Programet e Pagesës së Papunësisë synojnë të mbështesin financiarisht të gjithë të punëkërkuesit e papunë në rast papunësie për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes etj.
Të gjithë punonjësit që ngelen pa punë apo që e lënë punën për arsye të ndryshme kanë mundësi të përfitojnë nga pagesa e papunësisë. Programet e pagesës së papunësisë janë pjesë e politikave shtetërore të punësimit të cilat sigurojnë mbështetjen me të ardhura të të papunëve në momentin e daljes së tyre si të tillë, duke synuar krijimin e kushteve për rikthimin e tyre në tregun e punës. Programet e Pagesës së Papunësisë synojnë të mbështesin financiarisht të gjithë të punëkërkuesit e papunë në rast papunësie për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes etj. Duke lehtësuar sadopak përpjekjet e tyre drejt punësimit. Kërkesa për pagesë papunësie fillon me plotësimin e disa formularëve si dhe i dosjes së kërkuesit të pagesës.
Personat që përfitojnë duhet të plotësojnë kushtet:
-Të kenë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12-mujore, për çdo rast përfitimi
-T- jenë regjistruar si punëkërkues të papunë pranë zyrës përkatëse të punësimit
-T- kenë paraqitur kërkesën me shkrim dhe të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës, brenda 60 ditëve nga data e lindjes së të drejtës, për t’i përfituar këto të ardhura;
-Të jenë paraqitur në zyrën përkatëse të punësimit një herë në muaj ose sa herë që thirren nga kjo zyrë;
-Të pranojnë të punësohen, kur u ofrohet punë e paguar dhe e përshtatshme nga zyra përkatëse e punësimit;
-Të pranojnë të kualifikohen ose të rikualifikohen kur kjo u ofrohet nga zyra përkatëse e punësimit.
Dokumentet që duhen
Dokumentacioni që duhet të paraqitet për të përfituar të ardhurën nga papunësia së bashku me kërkesën është:
-Librezë pune
-Formular i dyfishtë (merret në Zyrën e Punës)
-Certifikatë personale me fotografi
-Certifikatë e gjendjes familjare
-Vërtetim nga dega e tatim-taksave se subjekti nuk është i regjistruar pranë këtyre organeve
-Vërtetim për ndjekjen e shkollës, për fëmijët deri në moshën 18 vjeç
-Vërtetim për vazhdimin e studimeve të larta për fëmijët deri në moshën 25 vjeç
-Vërtetim nga KMCAP-i për deklarimin e paaftësisë për punë, për personat në ngarkim
-Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore, që njëri nga bashkëshortet nuk është përfitues pensioni të plotë
-Vërtetim nga kadastra, nëse ka tokë në pronësi.
Periudha e përftimit
-12 muaj, për personat që janë përfitues për herë të parë të kësaj pagese.
-10 muaj, për personat që janë përfitues për herë të dytë dhe brenda një periudhe 24-mujore, pas përfundimit të përfitimit të parë, aplikojnë.
-8 muaj, për personat që janë përfitues për herë të tretë dhe brenda një periudhe 24-mujore aplikojnë, pas përfundimit të përfitimit të dytë. Për çdo rast përfitimi personat duhet të kenë gjithsej 12 muaj pagesë kontributesh të sigurimeve shoqërore në degën e sigurimit të papunësisë.
Dhe në rast se ju punësoheni gjatë periudhës që trajtoheni me pagesë papunësie, e drejta e pagesës do të zgjasë deri në 2 vjet.
Masa e përfitimit
Niveli bazë i pagesës së papunësisë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, niveli bazë i të ardhurës nga papunësia është 6 340 lekë në muaj. Veç kësaj përfituesit kanë të drejtën e përfitimit të kompensimit në vlerë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, kompensim nga rritja e çmimit të bukës, kompensim nga rritja e çmimit të energjisë elektrike si dhe ndihmë shoqërore për çdo fëmije në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, për fëmijët që ndjekin studimet deri në moshën 25 vjeç si dhe për personat në ngarkim që janë të paaftë për punë (KMCA). Kjo shtesë është nga 2.5-5% të pagesës bazë për çdo fëmijë, por jo më shumë se 30% për të gjithë fëmijët në ngarkim. Aktualisht numri i të trajtuarve me pagesë papunësie zë 7-8% të numrit të përgjithshëm të papunëve të regjistruar pranë zyrave të punësimit. Ndërsa 70% e të trajtuarve më pagesë papunësie nga këto zyra e zë sektori privat.
Për të patur një transparencë në përdorimin e fondeve që përdoren për të ardhurën nga papunësia aplikohet marrëveshja me Alba-Postën sh.a., me qëllim eliminimin e abuzimeve në shpërndarjen e këtyre fondeve.