Kryetari i PD-së ndodhet në Fier për të bërë thirrje për tu bashkuar në Tiranë më 18 shkurt për një protestë për të kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme.
Basha akuzoi qeverinë se mban në pushtet njerëz të inkriminuar pasi do të vjedhë zgjedhjet dhe foli për një lëvizje që do të nisë më 18 shkurt në Tiranë që nuk do ndalet por do të përhapet në të gjithë Shqipërinë
Lulzim Basha: “Më 18 shkurt shqiptarët do të afrohen për ti thënë jo padrejtësisë, varfërisë, gënjeshtrës, dhe për të diktuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kudo në Shqipëri e në Fier ka pllakosur varfëria. Të tjera gjëra premtoi rilindja të tjera bëri. Premtoi ulje taksash për shumicën e shqiptarëve, energji me cmim më të ulët, e 300 mijë vende pune, sot kemi më shumë të papunë, shëndetësia është në gjëndje të mjerë, rinia ka më pak shanse në punësim. E gjitha kjo vjen sepse qeveria braktisi qytetarët dhe po i shërben vetes së vet.
Nuk do zgjedhje të lira prandaj mban Elvis Rroshin kryetar bashkie, e Saimir Tahirin ministër të Brendshëm, që e kanë treguar me gisht partnerët tanë si një nga kokat e krimti të organizuar dhe përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në hambar droge.
Prandaj nuk pranon votimin dhe numërimin elektronik sepse e di se me votë të lirë e demorkatike kjo qeveri është e rënë dhe rruga hapet për një qeveri të qytetarëve.
Kjo është beteja, lëvizja që nisim më 18 shkurt. Bashkohemi të gjithë për të diktuar me bashkimin e pjesëmarrjen tonë zgjedhje të lira e të ndershme. Dy rrugë ka për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.
Të pranojë votimin dhe numërimin elektronik, largimin e kriminelëve nga politika, të lërë shqiptarët të votojnë të lirë, nëse s’e pranon fatin do ta marrin në dorë qytetarët.
Nga Fieri i them çdo qytetari të bashkohet masivisht me protestën e 18 shkurtit sepse ne nuk tërhiqemi, nuk ndalemi, nuk frikësohemi e as mashtrohemi. Jemi të vendosur për ta çuar këtë lëvizje deri në fund për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë derisa të garantojmë zgjedhje të lira e të ndershme.
Më 18 shkurt do marrim një vendim të madh në Tiranë, në emër të gjithë qytetarëve. Ajo që nisim më 18 shkurt në Tiranë është rrugë pa kthim, do shtrihemi në të gjithë Shqipërinë derisa tia kthejmë Shqipërinë qytetarëve dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Rrugë tjetër për të vrarë dëshpërimin e frikën dhe për të kthyer shpresën nuk ka.