Shkrirja e Gardës/ Deputetët e PD-së: PS po hakmerret për 21 Janarin

0
174

Gëzim Saliu

Vendimi i ministrit Tahiri shkakton reagime të forta nga të djathtët. Deklaratat e Berishës, Topallit dhe Nokës

GardaPër opozitën shkrirja e Gardës së Republikës përbën një hakmarrje nga ana e mazhorancës qeverisëse për ngjarjen e ndodhur në demonstratën e 21 Janarit të vitit 2011. Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli si edhe ish-ministri i Brendshëm Falmur Noka, tashmë në postin e deputetëve të selisë blu, kanë bërë të ditur dje qëndrimin e demokratëve ndaj vendimit të ministrit Saimir Tahiri. Ata e cilësuan si një akt të paprecedent vendimin e marrë dy ditë më parë, duke theksuar se çdo institucion mund dhe duhet të reformohet, por nuk mund të shkrihet tërësisht.

Berisha

Një urdhër hakmarrës të Kryeministrit të vendit e ka cilësuar ish-kreu i qeverisë, Berisha, vendimin për shkrirjen e Gradës së Republikës. Sipas tij, vendimi vjen si hakmarrje, pasi ishte Garda që bllokoi puçin e 21 Janarit. “Të dashur miq, në një akt urrejtjeje dhe revanshi të papërmbajtur, Rama nga Nju Jorku shpalli dje vendimin për dënimin kolektiv, shkrirjen e Gardës se Republikës në 85-vjetorin e themelimit të saj. Ky vendim antishtet është akti i hakmarrjes primitive të Edvinit ndaj Gardës për bllokimin nga ana e saj më 21 janar 2011 të marrjes së pushtetit me dhunë, me grusht shteti. Ky vendim është dëshmi e frikës dhe urrejtjes ndaj anëtarëve dhe kolektivit te Gardës së Republikës qe u përballën me zjarrin, gurët, shishet Molotov të Ramës dhe falangave të tij të krimit, në mbrojtje te institucioneve dhe rendit kushtetues të vendit”, – shkruante Berisha në rrjetin social “Facebook”. Më tej, ai theksoi se çdo institucion mund dhe duhet të reformohet, por sipas ish-kryeministrit, shkrirja e një institucioni shtetëror 85-vjeçar vërteton praktikën e dënimit kolektiv. “Qytetare dhe qytetarë, ky është vetëm fillimi i shtetit policor i neobllokmenëve të Tiranes”, – theksoi Berisha.

Noka dhe Topalli

Sipas ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka, vendimi i marrë nga pasardhësi i tij është dëshmi e qartë dëshmi e qartë e frikës së qeverisë “Rama” ndaj të vërtetës së madhe për 21 Janarin. Në një reagim nga selia blu, deputeti demokrat pohoi: “Dje të gjithë shqiptarët u njohën me një akt të paprecedent revanshi dhe hakmarrje që tregon qartë orientimin dhe fillin politik antishtet të këtij pushteti. Dje, Tahiri, pa bërë ende prezantimin me efektivët e Gardës së Republikës, u deklaroi zhbërjen e institucionit me një histori 85-vjeçare në shërbim të shtetit. Ky akt i rëndë është, në thelb, dëshmi e qartë e urrejtjes dhe hakmarrjes, që kjo qeveri tregon ndaj këtij institucioni, që pengoi tentativën për grusht shteti në 21 janar. Është hakmarrje primitive ndaj institucionit dhe efektivave që penguan në realizimin e ëndrrës famëkeqe për marrjen e pushtetit me dhunë”. Sipas Nokës, kjo praktikë ndodh vetëm kur në krye të pushtetit është vetë antishteti dhe kur në krye të institucioneve të zbatimit të ligjit është dirigjenti i dhunës së 21 Janarit. “Goditja e rëndë, që qeveria “Rama” kërkon t’i japë Gardës së Republikës, është dëshmi e qartë e frikës ndaj të vërtetës së madhe për 21 Janarin, ku organizatorët dhe përgjegjësit kryesorë të tentativës për grusht shtetit, duan të shtiren si viktima dhe mbrojtësit e rendit kushtetues, shtetit ligjor dhe institucioneve të shpallen fajtorë”, – deklaroi deputeti i PD-së. Po ashtu edhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli reagoi me një postim në profilin e saj në “Facebook”, duke pohuar se mazhoranca e re ka si synim shkrirjen e të gjithave institucioneve shtetërore. “Shkrihet Garda! Rama ka vendosur të shkrijë Gardën! 85 vjet histori do fshihet! Arsyeja…???? Sepse Garda, efektivi i saj me përkushtim e profesionalizëm, mbrojti institucionet e shtetit sipas ligjit, kur vetë ai ishte organizatori i dhunës e sulmeve kundra institucioneve! Borxhin do ta rrisin deri në 70%, nën shembullin e Papandreut! Kambanat bien për shqiptaret!”, – shkruante Topalli.

 Takimi

Basha me ambasadorin gjerman Hoffman: Opozita, e angazhuar për integrimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje në një takim mirëseardhjeje ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Hellmut Hoffman, ku bëri të ditur se opozita do të jetë gjithnjë e gatshme për të dhënë kontributin e saj për integrimin e vendit. Basha i shprehu Hoffman mirënjohjen më të thellë të tij dhe Partisë Demokratike, për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën bujare që Republika Federale e Gjermanisë dhe qeveria gjermane, i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë, si në projektet dypalëshe ashtu edhe për sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Dëshira jonë është që marrëdhëniet e bashkëpunimit të shkëlqyer me Republikën Federale Gjermane, të vijojnë të konsolidohen edhe më tej në të ardhmen”, – theksoi Basha, duke shtuar se opozita shqiptare do të japë kontributin e saj në këtë drejtim edhe nëpërmjet lidhjeve të ngushta me Partinë simotër Kristian Demokrate dhe Kancelaren Merkel dhe qeverinë e saj, e cila shënoi një fitore historike në zgjedhjet e fundit në Gjermani. Ambasadori gjerman, Hoffman, e falënderoi përzemërsisht kryetarit Basha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu atij gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë dhe frytdhënës në vijimësi, në interesin më të mirë të Shqipërisë, të marrëdhënieve dypalëshe të saj me Republikën Federale Gjermane dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Ambasadori gjerman e siguroi kreun e PD-së, se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në përpjekjen e saj në të gjitha hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Durrës

Mbledhja e Këshillit Bashkiak, zgjidhet kryetari i ri, Alban Ramahito

Pas 6 muajsh Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit zhvilloi dje mbledhjen e radhës duke zgjedhur kryetarin e ri të këtij këshilli. Përfaqësuesit e djathtë të këtij këshilli bojkotuan mbledhjen, ku ndërkohë 23 këshilltarët e majtë shkarkuan kryetarin e Këshillit Bashkiak dhe zgjodhën në vend të tij për periudhën 2013-2015 përfaqësuesin e tyre, Alban Ramohito. Përfaqësuesi i PS-së zëvendëson në këtë post Indrit Hamitin, përfaqësuesin e PD-së. Ramahito mori 24 vota nga 44 katër anëtarë të këshillit, ndërsa nënkryetar u zgjodh Hajri Nuri, përfaqësues i LSI-së. Këshilli Bashkiak i Durrësit nuk mblidhej që prej gjashtë muajsh, duke krijuar vështirësi në vendimmarrjen e Bashkisë së Durrësit. Rokada në këtë postin e kreut të Këshillit Bashkiak ndodhi pas bashkimit të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mbledhja vijoi edhe me vendime të tjera, si miratimi i paketës së ndihmës ekonomike. Këshilli Bashkiak i Durrësit, i dalë nga zgjedhjet e 8 majit 2001, ka 45 anëtarë gjithsej.