Ministria e Jashtme e njeh Manastirin si “Bitola”, pas reagimeve korrigjohet deklarata

0
146

“Gafa” e diplomacisë shqiptare

 

Ministria e Jashtme e Shqipërisë njohu dje me emërtimin sllav ‘Bitola’, qytetin e Manastirit. Ky term është publikuar dje në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, lidhur me takimin e zhvilluar të ministrit të ri të Jashtëm Ditmir Bushati me homologun e tij nga Maqedonia, Nikolla Popovski, në kuadër të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Por menjëherë pas reagimeve në media, Ministria e Jashtme u kujdes të korrigjojë gabimin, duke vënë emërtimin në shqip Manastir. Më parë mediat shqiptare në Maqedoni e kane cilësuar skandal, njoftimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për takimin mes kryediplomatit Ditmir Bushati, me homologun maqedonas, Nikolla Popovski. Në këtë njoftim, në pjesën ku flitet për pjesën e projekteve infrastrukturore mes dy vendeve, qyteti shqiptar i Manastirit, njihet me emrin sllav, Bitola. Ja çfarë thuhet konkretisht ne tekst. “Projektet infrastrukturore që lidhin më shpejt dy vendet tona si, rruga Durrës-Shkup dhe linja e interkonieksionit Bitola – Elbasan, mbeten në linjën e prioriteteve infrastrukturore në shërbim të dy vendeve. Thellimi i dialogut në nivel politik në të gjitha fushat e interesit të përbashkët është një mundësi që adreson qartazi çështjet mes të dy vendeve, sidomos në kuadër të procesit të integrimit evropian”. Ndaj kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe deputeti demokrat Gerti Bogdani, i cili pohoi se politika e jashtme e qeverisë së re për zero probleme me fqinjët është në kurriz të shqiptarëve. “Pasi Rama i barazoi shqiptarët në Maqedoni, me maqedonasit në Shqipëri, kësaj here ministri i jashtëm Bushati, Manastirit, qytetit ku lindi alfabeti i gjuhës shqipe, i drejtohet me Bitola!. Shqipërinë nga faktor paqe e stabiliteti në rajon, po e çojnë në “zero probleme me fqinjët” por në kurriz të shqiptarëve!!!…hajde rilindje, hajde!!!”, – shkruante deputeti i selisë blu në rrjetin social “Facebook”.