Napolitanët pësojnë disfatë në Londër, Borusia bën detyrën ndaj Marsejës

0
182

Jurges Veizaj

N ndeshje ku dominuan londinezët që u treguan të pamëshirshëm para portës. Fillimi i ndeshjes ishte edhe faktori kyç që përcaktoi fatin e lojës. Dy golat e shpejtë u dhanë epërsi anglezeve dhe konfuzion italianëve. Venger kishte përgatitur një ndeshje tepër të mirë dhe nuk i la mundësi shënimi skuadrës së spanjollit Benitez.


borussia-dortmundSfida në tërësinë e saj kishte vetëm një protagonist dhe ata ishin vendasit e Arsenalit. Që në minutat e parë u duk epërsia e tyre ndaj Napolit të Benitezit. Duke përfituar edhe nga faktori fushë, anglezët u hodhën menjëherë në sulm në kërkim të golit. Por me kalimin e kohës u pa se fusha nuk ishte faktori kryesor i epërsisë së “topçinjve”. Anglezët kishin bërë një përgatitje të mirë të ndeshjes dhe lojtarët ishin në formën e tyre të mirë. Pjesa sulmuese e skuadrës ishte e dalluar gjatë gjithë pjesës, pasi bëri një punë tepër të mirë, duke e mbajtur kundërshtarin në gjysmëfushën e tyre. Një lojë me tepër temp të lartë nga ana e “gunners”-ave që i çuan italianët në mbrojtje. Napoli me anë të Pandevit apo Insinjës tentojnë sulmin, por që duket se mbrojtja me në krye Mertesakerin është një mur i pakalueshëm. Dhe loja e tyre do të shpërblehej shumë shpejt. Në minutën e 8-të, pas një aksioni, Ramsei arrin që të futet në drejtim të zonës dhe tre lojtarët napolitanë markojnë lojtarin duke harruar qendrën e zonës bosh. Aty gjendet blerja më e re e Arsenalit, Ozil. Turku pas asistit që merr nga Ramsei, gjuan duke e çuar topin në rrjetë, aty ku Reina nuk mund të bënte dot asnjë gjë. Pritej ringritja e Napolit nga ky gol i shpejtë, por pa Higuainin skuadra e Benitezit duket e vakët në sulm, me një Pandev që e ka të pamundur që të kalojë qendrën e mbrojtjes. Arsenali vazhdon lojën e tij dhe kërkon golin e dytë duke vazhduar lojën sulmuese. Vetëm 7 minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë i skuadrës së Venger. Kësaj radhe do të ishte francezi Zhiru. Ozil do të bënte gjithçka mirë dhe do ta çonte topin drejt mesit të zonës, aty ku Zhiru arrin që të mposhtë tre lojtarë të Napolit dhe Reinën duke e çuar rezultatin në 2 me 0. Më pas pjesa tjetër e lojës vazhdon që të luhet më shumë në mesfushë. Një gjuajtje e Insinjës dhe aksion i rrezikshëm nga këndi nuk i hapin probleme Sheznit që nuk pati shumë punë gjatë ndeshjes. Arsenali vazhdon lojën e tij dhe tenton që të shënojë golin e sigurisë me anë të Ramseit apo Zhirusë, por që nuk munden nga ndërhyrjet vigjilente nga ana e lojtarëve të Napolit. Një rol të rëndësishëm luan dhe Sanja që përveçse arrin të bllokojë shumë mirë krahun e mbrojtjes, furnizon me topa edhe shokët, duke u kthyer në një lojtar kyç. Nga ana tjetër, Zuniga nuk luan të njëjtin rol, edhe pse kishte shumë përgjegjësi mbi supe. Në pjesën e dytë Napoli ndryshon lojë dhe vendos që të hidhet në sulm, pasi nuk ka asgjë për të humbur. Lojtarët e Benitezit duken të motivuar dhe më të freskët për të bërë ndryshime. As londinezët nuk ndryshojnë modul loje, por bëhen më mbrojtës për të mos pësuar gol. Kajehon, me anë të Behramit apo Insinjës, provojnë të shkojnë drejt portës, por që nuk arrijnë të finalizojnë, pasi gjuajtjet janë tepër larg portës. Ndërsa Arsenali shfrytëzon gjatë kësaj kohe kundërsulmet për të shkuar drejt portës kundërshtare. Venger, duke parë lodhjen e skuadrës, fut në fushë Uillshir. Nga ana e Napolit ndërrohet Pandev për shkak dëmtimi me Mertensin. Loja vazhdon të zhvillohet në mesfushë dhe sulmet e napolitanëve përqendrohen në gjuajtjet nga jashtë zone me anë të Ilnerit, por që nuk japin rezultat. Aksioni më i rrezikshëm ishte ai i Arsenalit rreth minutës së 70. Pas një krosi në zonë nga Ozil është Reina ai që ndalon gjuajtjen e Koshienit. Benitez gjatë kësaj kohe shfrytëzon të dyja ndërrimet e mbetura, duke hequr nga fusha Kajehonin për Zapatën dhe Albiolin me Fernandezin. Sfida duket e vështirë për italianët që nuk dinë si të manovrojnë, pasi Arsenali mban topin në këmbët e tyre, duke i minimizuar shanset për shënim goli. Ndërsa Borusia ka mposhtur Mërsejnë në sfidën tjetër, duke fituar me rezultatin 3 me 0. Dy herë Levandovski dhe një herë Rojs mjaftuan që të mposhtnin francezët. Ky rezultat i kthen në lojë gjermanët që humbën në Napoli para dy javësh.

Ndeshjet e djeshme

Bazel                                  0-1      Shalke 04

Steaua e Bukureshtit   0-4   Çelsi

Arsenal                              2-0      SSC Napoli

Borusia Dortmund        3-0      Marsejë

Zenit Petërsburg            0-0      Austria Vjenë

FC Porto                             1-2      Atletiko Madrid

 

Mesi: Kthehem së shpejti

Lajme të mira vijnë për skuadrën katalanase. Lionel Mesi ka shkruar në sajtin aziatik “Weibo” se është mirë dhe do të rikthehet së shpejti. Një lajm që gëzon të gjithë mbështetësit e klubit. Katër herë fituesi i “Topit të Artë” dha mesazhin se mund të rikthehet më shpejt nga dëmtimi në këmbën e djathtë, ndonëse është parashikuar se rikuperimi i tij mund të zgjasë rreth 2-3 javë. “Më vjen shumë keq që nuk mund të luaj në ndeshjet e radhës me Barcelonën apo me kombëtaren argjentinase”, – shkruan Mesi për të gjithë ndjekësit e tij në “Weibo”. Më tej ylli i blaugranave siguron se do të rikthehet shumë shpejt në fushë, me shpresën që procesi i rikuperimit të shkojë pa asnjë komplikim. Mesi në jo pak raste ka arritur të lërë pas një dëmtim shumë më herët nga sa është deklaruar nga stafi mjekësor i Barcelonës.