Ndarja e posteve/ Rama takon këtë javë aleatët, çfarë pritet nga tryeza me 35 partitë

0
199

Gëzim Saliu

Përballja e Kryeministrit me krerët e partive aleate, propozimet dhe kërkesat

 

RAMA-ME-ALEATET-E-PS-PARA-ZGJEDHJEVEKryeministri Edi Rama pritet të mbledhë këtë javë aleatët e koalicionit të majtë, i cili fitoi zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Pas më shumë së dy muajsh nga takimi i fundit me krerët e partive të vogla, kreu i qeverisë do të përballet me aleatët si për përzgjedhjen e ministrave ashtu edhe ato të zv.ministrave. Aleatët, ku një pjesë e madhe e tyre kanë mbetur të pakënaqur nga përzgjedhjet e Kryeministrit si edhe për mungesën e komunikimit lidhur me ndarjen e posteve të nivelit të dytë dhe të tretë, do të paraqesin në tryezën e mbledhjes kërkesat dhe propozimet e tyre. Tashmë këto kërkesa mbështeten vetëm në poste në nivel drejtorësh rajonalë si edhe për postet e mbetura të zv.ministrave. Krerët e partive të vogla, pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, i kanë dërguar prej thuajse dy muajsh emrat në selinë e purpurt për postet e zv.ministrit, si edhe postet në nivel drejtorësh dhe prefektësh në rang qarku e rrethi. Pas vizitave në SHBA dhe Bruksel, aleatët ishin në pritje të takimit me Kryeministrin Rama, i cili, i shtyrë në kohë për shkak të angazhimeve të kreut të qeverisë, pritet të zhvillohet gjatë kësaj jave.

 

Emërimet e reja

Pak ditë më parë, qeveria emëroi Ervin Metën dhe Erion Luçin në postet e zv.ministrave të Financave. Përfaqësimi i kreut të Partisë G-99 Ervin Mete me një post zv.ministri në kabinetin qeveritar, ndërkohë që partitë e tjera aleate me më shumë vota se kjo forcë politike nuk janë përfaqësuar ende me asnjë post, u cilësua nga Kryeministri Rama si një zgjedhje që do të kontribuojë në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit. Të dy zv.ministrat nuk u emëruan me vendim qeverie, por me një procedurë të quajtur “vendim qarkullues”. “G99 nuk ka asnjë zv.ministër pse quhet G99, siç janë dhe të gjithë zv.ministrat e tjerë që janë emëruar mbi bazën e asaj që ofrojnë në raport me programin tonë. Ne i kemi kërkuar që të vërë shërbimin e tij në dispozicion të një projekti që është projekti i rimëkëmbjes së financave publike të vendit”, – tha Rama. Ndërkohë në mbledhjen e së premtes së kaluar të Këshillit të Ministrave u emëruan 23 zv.ministra dhe 10 prefektë. Në të gjitha këto emërime të reja, nuk janë përfshirë deri më tani aleatët e PS-së, duke përjashtuar LSI-në dhe PBDNJ-në, e cila mori një post zv.ministri si edhe kreu i saj më parë është zgjedhur si nënkryetar kuvendi. PSD-ja e Skënder Gjinushit, PDS-ja e Paskal Milos, PSV’91 e Petro Koçit si edhe Aleanca Popullore e Artur Dojakës, janë partitë që ende nuk janë përfaqësuar me një post në nivel të dytë dhe të tretë të qeverisjes. Megjithëse këto parti kanë arritur të sigurojnë një numër të lartë votash, ende nuk janë përfaqësuar me asnjë post, gjë që pritet të sjellë jo pak reagime. Ndërkaq, mbeten ende për t’u plotësuar disa poste zv.ministrash, ku janë pesë ministri që ende nuk kanë të përzgjedhur numrin dy të tyre, si zv.ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, zv.ministri i Mbrojtjes, zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, zv.ministër i Kulturës dhe zv.ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit që pritet të plotësohen edhe me një zv.ministër tjetër, pasi në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave emëroi vetëm një.

 

Takimi i fundit

Në takimin që Kryeministri Rama organizoi me aleatët e tij pas fitimit të zgjedhjeve të 23 qershorit, kërkoi nga 35 krerët e partive të koalicionit të majtë që të paraqesin kërkesat e tyre tek selia e PS-së, së bashku me CV e personave përkatës.

 

Postet e mbetura bosh të zv.ministrave

Një zv.ministër te Zhvillimi Urban

Një zv.ministër te Turizmi

Një zv.ministër te Zhvillimi Ekonomik

Një zv.ministër te Mbrojtja

Një zv.ministër te Kultura

Një zv.ministër te Transporti

 

Postet që kërkojnë aleatët

PBDNJ ka marrë 14690 vota – do të përfitojë 4 drejtorë rajonalë (ka marrë një post zv.kryetari i Kuvendit si edhe dy poste zv.ministrash)

PDS ka marrë 11889 vota – do të përfitojë 5 drejtorë rajonalë

PSD ka marrë 10194 – do të përfitojë 5 drejtorë rajonalë

Aleanca Popullore ka marrë 8929 vota – do të përfitojë 4 drejtorë rajonalë

PKDSH ka marrë 7993 vota – do të përfitojë 2 drejtorë rajonalë

PSV ’91 ka marrë 6135 vota – do të përfitojë 2 drejtorë rajonalë

 

Tafil Buzi “Nderi i Kombit”. Presidenti: Figurë e vyer e trimërisë dhe mençurisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka akorduar dje dekoratën “Nderi i Kombit” Tafil Buzit, heroit të njohur kombëtar nga zona e Buzit, në Tepelenë. Motivacioni ka qenë për kontribut të shquar atdhetar, si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e jugut, gjatë viteve 1828-1847. “Me këtë nderim që ne po bëjmë sot së bashku duke i dhënë titullin “Nderi i Kombit” Tafil Buzit, ne e vendosim më në fund këtë figurë të vyer të trimërisë dhe mençurisë sonë në piedestalin e duhur që i takon, jo vetëm si një prijës të kryengritjeve më të para mbarëshqiptare, por edhe si një pararendës të madh të vetëdijes sonë kombëtare”, – u shpreh Nishani. Më tej kreu i shtetit veçoi në fjalën e tij vlerësimin për vizionin largpamës të Tafil Buzit kur përkrahu nismën luftarake për kryengritje të përgjithshme të përfaqësuesve të shtatë krahinave të jugut, të lidhur në një besëlidhje politike në Berat. Në këtë organizim kanë marrë pjesë dje veç banorëve, edhe drejtues lokalë e deputetë të qarkut të Gjirokastrës.

 

“Kur ngjyrat ndryshojnë jetën”, Rama, nostalgji për pallatet me ngjyra

Në një album të titulluar “Kur ngjyrat të ndryshojnë jetën”, Kryeministri Rama ka publikuar dje në profilin e tij në “Facebook”, 3 fotografi nga salla e teatrit të Napolit, ku dy net me parë u transmetua filmi i transformimit të Tiranës, me autor Anri Salën. Fotografitë me pallatet shumëngjyrëshe të Tiranës i përkasin kohës kur Edi Rama mbante postin e kryetarit të Bashkisë. Gjithashtu, në faqe është publikuar edhe një foto nga shfaqja e fjalës së Kryeministrit Edi Rama në “TedTalks”.

 

Ndryshimet e Kushtetutës, juristët: Duhen konsulta publike

Ekspertët ligjorë pohojnë se ndryshimet e Kushtetutës së vendit kanë domosdoshmëri konsultat publike. “Padyshim disa depozita referuese të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë ose kanë ngelur mbrapa realitetit ose nuk kanë funksionuar si të tilla për shkak të sistemit. Duhet vëmendje shumë e madhe në ndryshimet kushtetuese në qoftë se ato nuk kalojnë në procese referendare. Ashtu siç ka nisur të veproj kushtetuta për mendimin tim çdo ndryshim që do të bëhet brenda kuadrit kuvendor do të jetë ndoshta do të jetë në kundërshtim të interesave të qytetarëve. Referendumi është ai që i jep zgjidhje”, – tha Sokol Hazizaj për “AS”, ku shtoi se ligji themeltar i shtetit, duhet të ndryshohet vetëm me referendum, nëse politika nuk dëshiron ta shkatërrojë atë. Ndërsa për ish-deputetin Enkeled Alibeaj dhe dekanin e Fakultetit të Drejtësisë, Altin Shegani, çdo ndryshim duhet të ketë marrë më parë dhe bekimin e publikut, përveç konsensusit politik me mbi 90 vota në parlament. “E shoh të largët madje të pa shpresë historinë e ndryshimeve kushtetuese sepse artikulimet për të ndodhin dhe të emetohen nga të gjitha krahët politike kjo jo vetëm për faktin që numri 93 me të cilin kërkohen amendamente kushtetuese nuk arrihet vetëm nga njëra palë por duhet domosdoshmërish edhe nga pala tjetër, ose konsensusi kushtetues është më tepër konsensus politik ose më tepër një konsensus publik”, – u shpreh Enkeled Alibeaj. “Duhet të sjelli pozitivitet, duhet të sjelli një efiktivitet jo thjeshtë të jetë ndryshim për ndryshim. Akte të tilla si Kushtetuta nuk duhet rishikuar herë pas here sepse kjo tregon pa qëndrueshmëri të strukturës dhe cilësisë vet të aktit ligjor”, – deklaroi Shegani.