Teorema e mbetjeve të zhdukura: 10 arsye për të mos pyetur “kumbarin” a ekziston mafia. . .

0
290

Historia e mbetjeve të zhdukura midis Italisë dhe Maqedonisë po shpaloset në një realitet të madh pasigurie për publikun, i cili si gjithmonë qëndron në mëdyshje midis atij që bën të pafajshmin dhe atij që bën me faj, duke i gjykuar gjërat më shumë nisur nga bindjet e veta politike se sa nga faktet që ende nuk njihen nga shumica e njerëzve.

Le të rendisim elementët për të cilat kemi dijeni deri tani:

  1. Ka një faqe italiane lajmesh online, it, me një farë tradite në hetimet mjedisore, e cila publikoi një lajm se rreth 2 600 kontenjerë me mbetje të veçanta nga zona të ndryshme të Italisë u nisën drejt një vend-depozite në Maqedoni, të manaxhuar nga një kompani italiane. Kjo kompani u kishte ofruar shërbimin e trajtimit të mbetjeve shumë kompanive të mbledhjes së mbetjeve italiane. Sipas faqes italiane, nga 2600 kontenjerë të nisur, vetëm rreth 1 200 kanë mbëritur në Maqedoni, ndërsa të tjerët kanë kaluar tranzit nëpërmjet Durrësit, por nuk kan arritur kurrë në destinacion. Kjo të bën të mendosh se rreth 1 400 kontenjerë mund të jenë asgjësuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
  1. Në Shqipëri, ka një realitet të degraduar institucional dhe bashkëpunim të fshehtë mes elementëve shtetërorë, në të gjitha nivelet, me krimin, përfshi organizatat kriminale që kontrollojnë prodhimin e kanabisit dhe trafikimin ndërkombëtar të kanabisit dhe llojeve të tjera të drogës. Në Itali, ka një realitet të tregëtisë së mbeturinave (të veçanta ose jo) dhe një traditë të dështuar të depozitave të mbetjeve të kontrolluara nga krimi (Terra dei Fuochi në Campania) apo të hedhjes së tyre në në det (në Kalabri dhe Pulia). Këto aktivitete prodhojnë fitime po aq joshëse sa ato të drogës organizohen në Itali nga të njëjtat grupet kriminale të përfshirë në trafikimin e drogës shqiptare.
  1. Ka pasur një reagim të parë tipik të mediave shqiptare online të afërta me qeverinë, të cilat tentuan të përgënjeshtronin burimin, duke thënë se faqja italiane ishte një faqe e panjohur, drejtori i të cilës nuk ishte as gazetar dhe se faqja ishte pronë e një senatori të dënuar për korrupsion. Në të vërtetë, pronari i faqes është një ish senator italian dhe drejtore gruaja e tij, një gazetare. Por senatori ka një ëprvojë të gjatë dhe të pasur politike, ka qënë kryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Senatin itlian dhe kryetar e delegacionit parlamentar italian në NATO, ndaj është e vështirë të thuash që ai është një person pa rëndësi. Përkundrazi, ai me siguri gëzon akses të privilegjuar në institucione të ndryshme hetimore dhe pak mundësi ka që ai ta ketë bërë publik lajmin për të shpifur për qeverinë Rama për llogari të ndonjë pale të tretë.
  1. Është e sigurtë se ekzistojnë vendime të disa komunave afër Barit për eksportin e disa kategorive mbetjesh në një depo shkarkimi në Drislla afër Shkupit, vend-depozitimi që ka qenë objekt polemikash të ashpra në Maqedoni, qyshse u ndërtua me formulën e partneritetit publiko-privat nga një kompani fare e panjohur italiane, e cila ka bërë investime të mëdha duke financuar privatisht.
  1. Lajmi është marrë nga media të tjera italiane dhe jo vetëm, mes të cilave edhe CNN grek. Përpjekja për të “vrarë” lajmin në burim, në vend të dhënies së kundërprovave konkrete, dështoi menjëherë, dhe e njejta faqe italiane filloi të zbulojë elemente të tjera.
  1. Muajt e fundit ka patur një sërë vizitash në Shqipëri të funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë italiane dhe drejtuesve më të lartë të Guardia di Finanzia. Këto vizita të pazakonta në shpeshtësinë e tyre janë pagëzuar nga mediat pro qeveritare si mbështetje e qeverisë italiane për policinë shqiptare dhe strategjinë e saj kundër drogës. Por këto “arsye” vizitash nuk janë konfirmuar apo pohuar nga pala italiane, madje burimet zyrtare italiane qëndrojnë absolutisht të heshtura, si në historinë e mbetjeve ashtu edhe për vizitën e para pak ditëve të komandantit të Guardia di Finanza.

Vizita e këtij të fundit nuk është njoftuar dhe as përmendur nga faqja zyrtare e Guarida di Finanza, e cila normalisht raporton edhe lajmet me të parëndësishme në lidhje me aktivitetin e institucionit. Kjo heshtje lë të nënkuptohet se qëllimi i vizitës nuk ka qenë përgëzimi i Ministrit Tahiri, siç është thënë nga burimet e zakonshme të qeverisë shqiptare, por me gjasa verifikimi i gadishmërisë së vërtetë të autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar me hetimin mbi mbeturinat. Në të vërtetë, prokuroria e Durrësit ka hapur një hetim për çështjen e mbeturinave të zhdukura, i cili i kaloi për komptencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda çka do të thtoë se dyshohet për aktivitet të kryer nga një “grup i strukturuar kriminal “.

  1. Ka një “pothuajse përgënjeshtrim” të Doganave shqiptare që pranojnë se nga Durrësi kanë hyrë tranzit për në Maqedoni vetëm 1,140 kontenjerë, por nga deklaratat (pra dokumentat shoqëruese të ngarkesës, por jo verifikimet fizike) ato kanë patur ngarkesa kryesisht produktesh ushqimore, por në asnjë rast nuk ka patur mbetje. Kjo deklaratë ngjalli dyshime jo vetëm për mënyrën e formulimit, por edhe për faktin se sasia e importeve ushqimore (vetëm) nga Italia duket e madhe për një treg të përmasave të Maqedonisë.
  1. Ka një qartësim nga Ministria e Mjedisit, e cila tregon një listë të autorizimeve tranzit përmes Shqipërisë nga Maqedonia dhe Kosova për kategori të ndryshme të mbeturinave të veçanta (kryesisht, goma të përdorura) por jo të destinuara për në depon e shkarkimit në Drislla, dhe jo në sasi kaq të mëdha.
  1. Ka një vullnet të paepur të qeverisë shqiptare për të miratuar importin e mbetjeve të përzgjedhura për t’u përdorur si material i parë në aktivitete të ndryshme riciklimi, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga grupe të ndryshme mjedisore. Importi u miratua nga shumica qeveritae, por u kthye nga Presidenti Nishani, u rifut në programin e Kuvendit për rimiratim, por pastaj u hoq kalendari parlamentar në mënryë të pashpjegueshme. Ndoshta rastësisht, ndoshta jo, qeveria ka miratuar para ca kohe një ligj që rregullon trajtimin e mbetjeve radioaktive, të cilat në Shqipëri nuk i prodhon askush, dhe që lejon tranzitimin.
  1. Ka një numër të pazakontë dhe të dyshimtë projektesh PPP të licensuara nga qeveria dy vitet e fundit për ndërtimin e depove të shkarkimit dhe djegies së mbeturinave në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Këto investime nuk justifikohen nga sasia (e pakët) e mbetjeve që prodhohen në vend dhe ndërtimi i tre impianteve të njejta kaq pranë njëri-tjetrit nuk bën sens ekonomik (përjashto skenarin kur lënda që do trajtohet do të vijë nga jashtë). Për më tepër, këto investime i janë licensuar të njejtës kompani italo-shqiptare (me pjesëmarrjen e një shqiptari që nuk ka kapitale të ligjshme të mjaftueshme), e cila zotërohet plotësisht nga një kompani holandeze çfarë e bën të pamundur njohjen e pronarëve finale të këtyre koncesioneve. Ka vlerë si lajm të përmëndet që në mjediset e biznesit në Tiranës qarkullon një version i pakonfirmuar se pas kompanisë holandeze fshihen anëtarë të rëndësishëm të qeverisë Rama.

Në rastin më të mirë, hipoteza është ajo e një organizimi subjektesh italiane, me lidhje të mira politike në Shqipëri, që pasi kanë zbuluar një burim shumë të madh përfitimesh në asgjesimin e mbetjeve italiane, ka rendur të përfitojë nga infrastruktura ligjore dhe llogjistike ende e mangët në Shqipëri, shrusn exit.Por për shkak të vonesave të shkaktuara nga kundërshtimi i ligjit për mbetjet, atyre u është dashur në një farë mënyre të pranojnë dërgesat e para për të mos humbur klientin e siguruar me garancinë e lejimit të imporitt të mbetjeve në Shqipëri dhe me sa duket e ka bërë në mënyrë të paligjshme dhe të papërgjegjshme.

Në rastin më të keq, bëhet fjalë për një skemë komplekse kriminale ndërkombëtare, e mbështetur nga lakmia e pakontrollueshme e një klase politike grabitqare dhe absolutisht të papërgjegjshme në Shqipëri.

Natyrisht, deri tani ne kemi vetëm një teoremë dhe shumë të dhëna, por kemi arsye për t’u frikësuar se së shpejti do kemi edhe provat.

Në këtë pikë të vjen për të qeshur kur mendon për teknikën e zbatuar nga një “mjeshtër i famshëm i të gjithë gazetarëve shqiptarë” i cili, në një përpjekje të dëshpëruar për të nxjerrë të pastër qeverinë Rama, publikon mohimin e drejtuesve të depozitës së shkarkimit në Maqedoni ku do të shkonin mbetjet e zhdukura. Sipas tyre, ata nuk kanë importuar asnjë kilogram të mbetjeve. Dhe këtë lajm e publikon pa i shtuar asnjë koment tjetër duke menduar se po përgënjeshtron lajmin e publikuar në Itali, por harron se ajo depozitë shkarkimesh, pra edhe drejtuesit e intervistuar, janë pjesë e të njëjtës kompani italiane që ka mbledhur në rrethinat e Barit mbetjet që dyshohen se janë zhdukur në Shqipëri.

Pra, është njësoj si të pyesësh Toto Rinën nëse ekziston mafia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here