Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në një aktivitet festiv të organizuar nga të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim të qytetit të Fierit. Ja ku e shohim në valle kreun e LSI-së ndërsa shoqërohet edhe nga aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku.
Meta vlerësoi edhe një herë tjetër rëndësinë e pjesëmarrjes në politikë dhe në vendimmarrje, duke theksuar se “për LSI-në të rinjtë janë të parët”.
Kryetari i LSI-së rikonfirmoi mbështetjen e tij dhe të LSI-së për nxitjen e politikave rinore, shtimin e mundësive të punësimit duke nxitur sipërmarrjet rinore dhe punësimin e të rinjve. Meta, duke theksuar rëndësinë e formimit profesional për brezin e ri, vuri në dukje rëndësinë për punë më të mirëpaguara për të rinjtë, si edhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e tyre.
Gjithashtu, Kryetari i LSI-së përshëndeti nismën për të organizuar aktivitete që ndihmojnë të rinjtë për t’u socializuar dhe për të shkëmbyer eksperienca rinore.