Përplasja për selinë e PSD-së Pronarët: Ja pse duhet liruar godina. Gjinushi: Hajdutët me letra s’e marrin dot

0
194

Gëzim Saliu

Kreu i PSD-së: Vendimi i Gjykatës na jep të drejtë, ish-qeveritarët kërkojnë pronë pa gjyq

“Gjinushi e dorëzoi në ‘97-ën, por u gdhi nënkryetar Parlamenti në ‘98-ën dhe e harroi”

 

selia e PSD-sePërplasja mes Partisë Social-Demokrate dhe pronarëve të godinës së kësaj partie thellohet edhe më shumë. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se situata e ndodhur dy ditë më parë, ku policia private bllokoi hyrjen e në godinë, përbën një tentativë të pastër grabitjeje. Sipas tij, e gjithë ngjarja përbën një skenar të organizuar nga ish-qeveritarët. “Kjo është inertësia e qeverisë që humbi zgjedhjet dhe strukturat e saj në mënyrë të organizuar krahas vjedhjes së vendit kishin programuar edhe grabitjen e selisë. Ish-ministri i Brendshëm tentoi të na largonte pa gjyq. Ka vetëm një gjyq mes nesh dhe pretenduesit dhe këtë e vërtetoni në Gjykatën e Lartë, është në rekurs nga ana e atij që ka humbur. Vendim i formës së prerë ku i rrëzohet kërkesa për largimin tonë me gjyq nga selia. Kur flet gjykata, hajdutët heshtin”, – tha ai. Ndërkohë avokati i pronarit të godinës bëri të ditur disa fakte ku sipas të cilave vërtetohej kërkesa për lirimin e godinës ku është vendosur PSD-ja. “Vendimi mban nr. 664, 2.9.1994, vendim i Komisionit të Kthimit të Pronave në favor të trashëgimtarëve Fortuzi, pronarë. Komisioni i çuar për të verifikuar pronën në vend, vëren se në shtëpi nuk janë bërë ndryshime konstruktive, e dyta oborri është i rrethuar me mur. Pra kjo është në pjesën arsyetuese. Pra komisioni ka vendosur t’i kthejë pronarit në rrugën “Asim Vokshi”, shteti shqiptar si ish-pronar ia rikthen pronarit, ne gabimisht themi pronarit të vjetër se ai është, pronari origjinal. Personi që unë mbroj është Astriti, ai e ka blerë këtë pronë, ka ndodhur blerja në vitin, 1997”, – u shpreh për “News 24” Riza Hicka, avokati i pronarëve që pretendoj në godinën.

Selia

Për kreun e PSD-së, situata e krijuar dy ditë më parë në selinë e partisë që ai drejton përbën një veprim banditesk urdhëruar prej ish-ministrit të Brendshëm. Po ashtu ai ka akuzuar për shpërdorim detyre drejtorin e Entit Kombëtar të Strehimit, për aktin normativ të 5 shtatorit, që e futi edhe PSD si familje të pastrehë. “Ta fusim PSD në subjekt partiak, e fusin si të pastrehë dhe ky Ylli Pajo e bën këtë. Ne jemi në listën e 5 shtatorit, figurojmë si të pastrehë. Hajdutët mbijetojnë, falsifikimi është i pastër”. Në këtë kontekst, Gjinushi tha se Policia e Shtetit ka mbrojtur vendimin e formës së prerë të gjykatës. “Policia e Shtetit ka mbrojtur pronën e shtetit sepse 2/3 janë shtet me vërtetime nga shteti. Banditët vijnë në emër të drejtorit apo të përmbaruesve. Hajdut me letra, kurrë nuk keni parë, ja ku i keni”, – tha ai. Ndërkohë, avokati i pronarit që pretendon selinë e PSD-së, duke marrë shkas edhe nga shkresa e firmosur nga Gjinushi në vitin 1996, ku sipas së cilës kreu i PSD-së ia ka dorëzuar me vullnet të plotë pronarit Agim Sula godinën, tha: “Në atë shkresë në atë vit ne do e blinim godinën. Garantuam se do e blinim dhe Gjinushi do e lironte në janar të vitit ‘97, por në vitin ‘97 e dimë të gjithë çfarë ndodhi dhe nuk u veprua as në atë vit. Në vitin ‘98, Gjinushi u gdhi nënkryetar parlamenti dhe ai harroi shkresën që e kishte bërë. Ai nuk e lëshoi këtë godinë”. Sipas avokatit Hicka, Gjinushi po i jep pa shkak nota politike çështjes, pasi ajo sipas tij është thellësisht juridike. “Ajo parti që iku që humbi zgjedhjet mund ta nxirrte Gjinushin, kur të donte se ishte në pushtet. Gjinushi i jep kot nota politike kësaj çështje. Shteti shqiptar ia ka caktuar dhe zyrat dhe ambientet ku të transferohet zyra e selisë së PSD. Ambienti që propozohet është hapësira tek një pallat tek bulevardi “Zogu I”, ia ka dhënë Bashkia e Tiranës. Nëse Gjinushi nuk e njeh vendimin e gjykatës ky është një problem i tij. E njeh apo nuk e njeh vendimin e gjykatës është problem i tij, e ritheksoj dhe jo imi. Dhe Presidenti dhe kryeministri ngrihen në këmbë para vendimit të një gjykate”, – tha avokati i pronarëve që pretendojnë godinën ku është vendosur selia e PSD-së.

 

 

Konflikti fizik

Selia e PSD-së përfshiu dy ditë më parë në përplasje fizike policinë e shtetit dhe atë private. Aksioni i ndërmarrë nga përmbarimi privat për lirimin e godinës së partisë së Skënder Gjinushit u kundërshtua nga forcat e policisë së shtetit, të cilët kërkuan largimin e përmbaruesve dhe policisë private nga godina. Por urdhri i policisë nuk u mirëprit nga privati e në këtë moment nisi përplasja mes palëve, e cila u mbyll me shoqërimin në rajon të përfaqësuesve të policisë private dhe përmbaruesin privat i cili ishte kontraktuar nga pronari që pretendon selinë e PSD-së.

 

 

Reagimi

Ministria e Brendshme: Policët privatë kundërshtuan punonjësit e rendit, po verifikojmë rolin e përmbaruesit

Ministria e Brendshme ka sqaruar dje shoqërimin dhe arrestimin e dy ditëve më parë të tre punonjësve të shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Publike “AULONA POL-1”, pas përplasjes mes policive te selia e PSD-së. MB sqaroi se ata kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë se rendit publik” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. “Gjatë konfliktit të ditës së djeshme, shtetasi Baftjar Avdulla Nela, me precedentë të mëparshëm penalë (goditje me mjete të forta, armëmbajtje pa leje etj), është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, pasi ka hyrë me dhunë dhe nxjerrë jashtë një punonjës të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike “A- 2000” e cila kishte marrëveshje dypalëshe me PSD për ruajtjen e këtij objekti, në rrugën “Fortuzi”, thuhej në njoftim. Sipas MB-së, ndaj shtetasit Baftjar Nelaj, vazhdojnë verifikimet për sqarimin e rolit të tij, gjatë incidentit të dy ditëve më parë si dhe legjitimitetin ose jo të veprimeve përgjatë ushtrimit të detyrës duke tejkaluar kompetencat funksionale si përmbarues Gjyqësor Privat. MB theksoi se ndërhyrja e shërbimeve të policisë së shtetit, ka qenë e bazuar në ligj dhe ajo është realizuar vetëm pas konfrontimit të palëve, me synim shuarjen e konfliktit dhe sqarimin e rrethanave.

 

 

Letra në prill të 2013-ës

Noka, Gjinushit: Liro godinën se u takon pronarëve, ke gati selinë tjetër

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka vënë në dijeni kryetarin e Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, për lirimin e godinës që në prill 2013. Në datën 24 prill 2013, me anë të një shkrese me objekt “njoftim për pajisjen me ndërtesë në përdorim, subjektit Partia Social-Demokrate”, Noka i shkruante Gjinushit: “Në bazë të kërkesës së përsëritur të shtetasit Astrit Manopulli, i cili ka pretenduar të drejtën e pronësisë përmes gëzimit dhe disponimit mbi ndërtesën ku ushtron aktualisht veprimtarinë subjekti PSD me adresë në rrugën “Asim Vokshi”, nr. 24, aktualisht rruga “Fortuzi”, është konstatuar se: Ankuesi, shtetasi Astrit Manopulli, rezulton të jetë pronar i ligjshëm, pronar i ndërtesës ku ushtron veprimtarinë Partia Socialdemokrate, fakt ky i provuar në basë të vërtetimit hipotekor nr. 3188, datë 18 korrik 1997 të ZVRPP Tiranë”. Në këto kushte, theksonte ish-ministri i brendshëm, duke qenë se ndërtesa ku PSD ushtron veprimtarinë nuk është pronë shtetërore, dhe rrjedhimisht nuk është në inventarin e pronave publike, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me qëllim respektimin e të drejtës kushtetuese të pronësisë së ankuesit, i caktohet në përdorim ambientin e vënë në dispozicion nga Bashkia Tiranë, ndodhur në bulevardin “Zogu I”, me nr. pasurie 6/127+1-5, kati i pestë me adresë: Ndërtesa 22, hyrja 3. Në shkresën e Nokës lihej afat për lirimin e godinës brenda 15 ditësh.