Abuzimi me çmimin e aboneve të studentëve në tregun e zi

0
231

Kamera e fshehtë e emisionit investigativ “STOP” ka mundur të sjellë me zë e figurë abuzimet me çmimin e aboneve të studentëve në tregun e zi.

Gazetarët pyesin në disa vende, se si mund të sigurojnë abone me çmim normal, por kjo përpjekje rezultoi një mision i pamundur.

Në këtë moment hyn në lojë “çmimi alternativ”. Me 50% më shumë, mund të gjesh abone, pa qenë student, madje me shumicë, pasi shitësit ambulantë dinë me hollësi ku dhe si të sigurojnë abonetë me çmimin e kripur.

Aboneja e studentit është kthyer në luks për studentët dhe burim i madh fitimi për tregun e zi.

RASTI 1:

Qytetarja – Si jeni? Më fal! Abone studenti mbani?

Shitësi – S’mbajmë. Abone të përgjithshme.

Qytetarja – Dhe sa është?

Shitësi – 16 (mijë lekë të vjetra). Mbaruan të studentëve.

Qytetarja – Mbaruan të studentëve? Sa i keni abonetë e studentëve?

Shitësi – 6 mijë na i sollën këtë rradhë, po ku di gjë unë.

Qytetarja – Po këta të tjerët duhet të kenë apo…?

Shitësi – Kanë, por i kanë shtrenjtë nga 10 mijë lekë më duket, nga 8 mijë.

Qytetarja – Po ku ka? Të paktën të marr një.

Shitësi – Dëgjo! Do shkosh tek një dyqan aty që shet këpucë.

Qytetarja i drejtohet dyqanit të këpucëve.

Shitësi ambulant – Ndonjë abone të përgjithshme? Abone studenti?

Qytetarja – Sa lekë është aboneja për studentët?

Shitësi ambulant – 10 mijë lekë.

Qytetarja – Qyqja! Po ajo është 6 mijë lekë?!

Shitësi ambulant – Po mi, po. Është edhe për një linjë teke 12 mijë lekë, kurse kjo është për gjithë Tiranën. Ajo ka shkuar dorë më dorë. Ajo ka 4 duar që kalon. 500 njëri, 500 tjetri deri kur vjen tek ne…

Qytetarja – Po do më japësh një abone mua, 8 mijë lekë të paktën?

Shitësi ambulant – Jo, s’ta jap dot për Zotin! 9 mijë lekë e kam marrë vetë, 1 mijë lekë do ta fitoj.

Qytetarja – Po mirë se do marr dhe 7 abone të tjera.

Shitësi ambulant – Jo jo, s’të ndihmoj dot. Këto janë të fundit.  Ja! Të fundit! S’ke ku i merr më, me vdek!

Qytetarja 2 – Me sa i ke abonetë e studentit?

Shitësi ambulant – 10 mijë lekë. Edhe ikën u mbaruan. Edhe 6 copë ka.

Qytetarja 2 – Ma ruaj një për nesër.

Shitësi ambulant – A s’e di për nesër unë.

RASTI 2:

Shitësi ambulant – Do ndonjë abone të përgjithshme?

Qytetarja – Abonetë e studentit sa i ke ti?

Shitësi ambulant – 10 mijë lekë.

Shitësi ambulant – Mori ai çuni, do t’i lesh me 9 mijë lekë tha, apo jo? 9 mijë lekë copën.

Shitësi ambulant – Ja të flas njëherë me atë e të kthej përgjigje. Burri i huaj ka marrë 100 copë me lekë në dorë, me 9 mijë lekë copën. A e sheh se çfarë bën? Do i marri me lekë në dorë. Me lekë në dorë do t’i marri ky i dyqanit të këpucëve.

Shitësi ambulant – Do rrezikoj 800 mijë lekë te këpucët, ti thua?

Qytetarja – Dëgjo! Do vij të marr 3 abone nesër unë. I shite?

Shitësi ambulant – Hajde, hajde!

Qytetarja – Më jep një abone!

Shitësi ambulant – Një do? Për Zotin, aq i kemi marrë vetë. Hajde nesër se ndoshta i marrim më lirë.

Qytetarja – Nesër po vij të marr 3.

Shitësi ambulant – Do dali ky çuni te këpucët. Vëllai im është ky, mos e vrit mendjen.

Qytetarja – Faleminderit!

RASTI 3:

Shitësi ambulant – Ça abonesh do?

Qytetarja – Studenti.

Shitësi ambulant – T’i gjej unë nesër, por kalo në Tiranë të Re.

Qytetarja – Je kështu…

Shitësi ambulant – Faturino jam.

Qytetarja – Po me sa i ke ti?

Shitësi ambulant – Me 12 mijë lekë.

Qytetarja – Jo, jo.

Shitësi ambulant – Do vish t’i marrësh nesër?

Qytetarja – Jo pra, jo!

RASTI 4:

Qytetarja – Më fal, abone studenti keni?

Shitësja – Po, kam.

Qytetarja – Më jep një. Sa është?

Shitësja – 9 mijë lekë. E do?

Qytetarja – Më poshtë nuk… Se ato sikur janë 6 mijë lekë?

Shitësja – Po e dashur, por shih gjeje atëherë 6 mijë lekë, se unë s’kam.

Qytetarja – Më jep një, se s’gjeta!

Përderisa në tregun e zi gjenden abonetë e studentit me shumicë dhe mund të përfitohen shumë kollaj, por me çmim më të lartë, pse në Rezidencën Studentore qindra e mijëra studentë qëndrojnë në radhë deri në orët e para të mëngjesit për të përfituar abonetë?

Drejtoresha e Shërbimit Studentor, Ornela Dume, tregon se në Rezidencën Studentore janë të regjistruar mbi 4500 studentë, prej të cilëve vetëm 1520 studentë janë pajisur me abone për muajin Prill.

Studenti mund të paraqesë kërkesën e tij pranë rezidencës ku banon ose në Drejtorinë e Shërbimit Studentor nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës. Numri është pa limit! Nuk ka më një limit numrash, ku ne të na jepen X numër abonesh dhe ne të mos dimë kujt t’ia japim më para. Përkundrazi, bëhet një listë zyrtare, e cila i drejtohet transportit publik, ku janë të gjitha të dhënat për të shmangur çdo lloj abuzimi.

Gazetarët e emisionit “STOP” iu drejtuan edhe Bashkisë së Tiranës, nga ku morën përgjigje nëpërmjet emailit, duke thënë se Bashkia e Tiranës është ajo që përgatit numrin e aboneve dhe ia kalon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku bëhet dhe printimi i tyre.

Operatorët e transportit ose agjencitë përkatëse të tyre realizojnë tërheqjen, shitjen e biletave të pajtimit mujor (aboneve) tek qytetarët e interesuar, proces i cili bëhet tërësisht nga operatorët privat të licensuar për transportin qytetas. Për këtë arsye, Bashkia Tiranë i është drejtuar Policisë së Shtetit (shkresa nr.prot., 3463, datë 26.01.2017) duke kërkuar bashkëpunimin me strukturat e saj për evidentimin e rasteve dhe marrjen e masave në ndalim të krimit ekonomik, shfaqur si fenomen në këtë sektor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here