Edi Rama është vetëm.
Pas Ilir Metës edhe aleati i tij më i vogël, por i përkëdhelur veçanërisht kohët e fundit prej kryeministrit, PDIU, deklarohet hapur se nuk do të bëhet pjesë e një farse elektorale, ku zgjedhjet të zhvillohen pa opozitën zyrtare.
I vetmi që i ka ngelur në krah nga partitë parlamentare është “armiku” i tij më i fundit Ben Blushi, i cili këmbëngul se LIBRA do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit nëse zhvillohen, pa vendosur asnjë kusht.
Mbrëmë në emisionin “Opinion”, deputetja e PDIU, Mesila Doda dhe Luan Rama i LSI, kanë reflektuar dakortësinë që duket se është arritur në drekën e peshkut mes Ilir Metës dhe Shpëtim Idrizit.
Ata kanë ndarë të njëjtin qëndrim në raport me zgjedhjet e 18 qershorit, duke deklaruar prerë se nëse nuk futet opozita në zgjedhje, edhe forcat e tyre politike do ti bojkotojnë.
Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, ka deklaruar se qëndrimi i LSI-së për një qeveri besimi dhe zgjedhje me opozitën është një qëndrim parimor dhe kushtetues njëkohësisht, duke hedhur kështu poshtë pretendimin e Ramës, se nuk e lejon kushtetuta as për qeverinë teknike dhe as për shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas tij, Lëvizja e Dhjetorit e vitit ’90 përmbysi një regjim pa zgjedhje për të shkuar dhe instaluar një sistem demokratik dhe me zgjedhje.
Gjithashtu i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, nëse populli mund të votojë një opozitë tjetër, Luan Rama theksoi se opozita nuk mund të klonohet, pikërisht për shkak të faktorizimit që i bën populli me votën e vet. Ai tha se opozita për të hyrë në zgjedhje, kërkon garanci që zgjedhjet do të jenë demokratike dhe në përputhje me standardet e OSBE-ODIHR-it.
Krejtësisht i njëjtë është, edhe qëndrimi i PDIU. Në të njëjtin emision, Mesila Doda, ka deklaruar pa ekuivoke se edhe PDIU nuk planifikon të hyjë në zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës.
“Nuk mund të hyjmë në zgjedhje me opozitë të emëruar. Para disa vitesh ka qenë mazhoranca e sotme në opozitë që kërkonte garanci dhe zgjedhjet u shtynë. Vazhdoj të mendoj që pa opozitën nuk ka proces normal”, tha Mesila Doda, duke përcjellë kështu vendimin zyrtar për këtë çështje, të aletit tjetër qeverisës të Edi Ramës.