Reagon opozita Zgjedhjet në Korçë, PD sulmon FRD-në: Ish-presidenti po përdoret si patericë lokale e Partisë Socialiste

0
137

 

Florenc Drizari

 

Silvi Bardhi: FRD u krijua si opozitë e qeverisë së Partisë Demokratike, por nuk rezistoi asnjë ditë në opozitë me Partinë Socialiste

 

SilviBashkëpunimi i FRD-së me PS-në në zgjedhjet e pjesshme vendore në Korçë ka sjellë sërish reagimin e Partisë Demokratike e cila e quan një aleancë në hije. Përmes një deklarate, koordinatorja për mediat në PD, Silvi Bardhi, tha se “FRD-ja po shndërrohet në patericë lokale të PS-së”.

Zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Korçës mbahen nesër, ndërkohë që ky proces erdhi për shkak të emërimit ish-kryebashkiakut Niko Peleshit, në postin e zv.kryeministrit të vendit.

“Dje, e frikësuar nga mbështetja e fuqishme e qytetarisë korçare për kandidatin e Partisë Demokratike dhe opozitës, zotin Sotiraq Stratobërdha, Partia Socialiste hodhi në lojë aleancën me ish-presidentin Bamir Topi, të cilin e kishte mbajtur rezervë dhe të pashpallur publikisht deri dje. Në shkëmbim, siç njoftohet gjerësisht në mediat e sotme, Kryeministri Rama po bën gati thërrimet dhe kockat e mbetura nga gostia e klaneve dhe kioskave socialiste për të shpërblyer shërbimet e paskrupullta”, – deklaroi Bardhi.

Më tej PD sulmoi edhe kreun e FRD-së, Bamir Topi. “Partia Demokratike shpreh sërish keqardhjen e saj për katandisjen në këtë shkallë të ish-presidentit të Republikës, i cili u ngjit në postin më të lartë të shtetit me votat e kësaj partie dhe sot e ka bërë veten të përdoret si patericë lokale e Partisë Socialiste”.

Sipas PD-së, “FRD u krijua si opozitë e qeverisë së Partisë Demokratike, por nuk rezistoi asnjë ditë në opozitë me Partinë Socialiste. Ky është një moment qartësie për çdo zgjedhës që mund të ketë pasur ndonjë iluzion apo të jetë mashtruar nga pseudo-djathtizmi i saj”.

Ndërkohë Partia Demokratike garanton qytetarët se kandidati i saj Sotiraq Stratobërdha ka vizionin dhe programin e duhur për t’i shërbyer Korçës. Bardhi deklaroi se “Partia Demokratike i sheh zgjedhjet në Korçë si një mundësi për të sjellë në Bashkinë e Korçës projektin më të mirë për t’u shërbyer qytetarëve”.

“PD është e përqendruar në komunikimin me qytetarët dhe qytetarët për ne janë të parët, qytetarët e Korçës dhe kudo në Shqipëri. Prandaj ne kemi si kandidat një qytetar të mirë si z. Stratobërdha, i cili me vizionin dhe programin që ka për t’i shërbyer Korçës, e bën dukshëm diferencën me kandidatin e PS-së”, – deklaroi Bardhi.

“Partia Demokratike nuk i sheh zgjedhjet si një rast për të gatuar prapaskena politike, apo për të shpërblyer klane të ndryshme me tortën e pushtetit. Ndërsa Edi Rama e sheh votimin e ditës së diel si një mundësi për të rregulluar punët në Tiranë, Partia Demokratike ka një projekt për qytetarët e Korçës, ka një kandidat qytetar që kërkon dhe është gati t’u shërbejë korçarëve”, – përfundoi Silvi Bardhi.

 

 

Raporti për Shqipërinë: Decentralizimi i pushtetit ka qenë komponent madhor i demokratizimit

KE: Polarizimi i klimës politike në nivel vendor, pengesë për gjetjen e konsensusit

Rekomandohet gjithashtu që autoritetet qendrore shqiptare t’i përfshijnë të gjitha autoritetet lokale dhe rajonale në konsultimet e tyre

Marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve të zgjedhura vendore në Shqipëri janë të dominuara nga një mjedis tejet i politizuar që mbizotëron në vend, i cili është bërë një pengesë aq serioze sa nuk i lejon përfaqësuesit vendorë të përkatësive politike të ndryshme të shprehen me një zë të vetëm

Klima e polarizuar politike në Shqipëri edhe në nivelin e qeverisjes vendore, bën që raportet e ndërkombëtareve të jenë sërish kritike. Gjatë një raporti KiE sugjeron që qeverisja qendrore të jetë më e hapur ndaj pushtetit vendor. Raporti evidenton me kënaqësi se decentralizimi i pushtetit ka qenë një komponent madhor i demokratizimit në Shqipëri dhe se kuadri ligjor është në përputhje me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.

Anëtarët e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, në takimin e tyre të Sesionit të 25 të të Kongresit në Strasburg (Francë), shqyrtuan një raport mbi gjendjen e demokracisë lokale dhe rajonale në Shqipëri, në vijim të një vizite monitorimi që u mbajt në muajin dhjetor 2012.

Megjithatë, në raportin e tyre, raportuesit e Kongresit Ždenek Brož, (Republika Çeke ECR) dhe Åke Svensson, (Suedi, SOC) konstatojnë me keqardhje se niveli rajonal paraqet dobësi në raport me sistemin e përgjithshëm të qeverisjes, dhe se shoqatat e qeverisjes vendore janë të fragmentarizuara dhe kanë vështirësi në marrjen e qëndrimeve të përbashkëta.

“Një nga çështjet kryesore është se marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve të zgjedhura vendore në Shqipëri janë të dominuara nga një mjedis tejet i politizuar që mbizotëron në vend, i cili është bërë një pengesë aq serioze sa nuk i lejon përfaqësuesit vendorë të përkatësive politike të ndryshme të shprehen me një zë të vetëm. Ata nuk arrijnë të gjejnë konsensus brenda shoqatave të qeverisjes vendore. Unë mendoj se kjo çështje është me rëndësi të madhe sot, pasi zgjedhjet e fundit e kanë ndryshuar përsëri panoramën politike të vendit”, – shpjegoi Ždenek Brož në fjalën e tij gjatë Sesionit.

Rekomandohet gjithashtu që autoritetet qendrore shqiptare t’i përfshijnë të gjitha autoritetet lokale dhe rajonale në konsultimet e tyre dhe ta formalizojnë procesin e konsultimit përmes dispozitave ligjore të posaçme.

Kongresi gjithashtu rekomandon që të intensifikohet procesi i decentralizimit në Shqipëri, në dritën e Kartës, dhe të fillojë një reformë e sistemit territorial, e cila t’i mundësojë komunave dhe bashkive përmbushjen e përgjegjësive të tyre në mënyrë efikase dhe eficiente.

Kongresi inkurajon qeverinë që të rrisë kompetencat e deleguara të autoriteteve vendore, në raport të drejtë me burimet financiare për to, dhe të qartësojë e të rrisë rolin e autoriteteve rajonale.

Së fundi, raporti i fton autoritetet shqiptare të nënshkruajnë dhe ratifikojnë Protokollin Shtesë të Kartës Evropiane të Vetqeverisjes Vendore mbi të drejtën e pjesëmarrjes në çështjet e autoritetit vendor (CETS No. 207).