Ervin Kaduku
Pa u tharë mirë boja mbi programin e qeverisë, Financat hasin pengesat e para për të realizuar premtimet. Specialistët e kanë gjetur shumë të vështirë hartimin e një buxheti që të plotësojë të gjitha “detyrat” e Ramës
Energjia, pronat dhe pagesa për të përndjekurit, krahas kostos së uljes së premtuar të disa taksave, duket se janë arsyeja e vërtetë e vonesës në hartimin dhe paraqitjen e projektbuxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm. Dy ditë më parë, ka qenë Kryeministri Edi Rama, që ka deklaruar për herë të parë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të mazhorancës se do të kishte një vonesë në paraqitjen e buxhetit, që ka afate të përcaktuara, duke qenë se do të kalojë edhe në analizën e komisioneve kuvendore, ndërkohë që do të merret edhe mendim nga grupet e interesit. Sipas tij, vonesa justifikohet me auditin që do t’i bëjnë borxhit publik ndërkombëtarët, por ka më shumë gjasa që pas kësaj të fshihet një problematikë, deri tani e mbetur në hije, që ka të bëjë me pamundësinë e realizimit të premtimeve elektorale dhe të programit qeveritar në fushën e ekonomisë e të financave.
Në fakt, Ministria e Financave ka nisur hartimin e projekt-buxhetit 2014, por, krahas prioriteteve të tij, ajo që po diskutohet më shumë dhe që ka dalë në pah si pengesë reale është çështja e risqeve të këtij buxheti.
Sipas të dhënave konfidenciale nga ky dikaster, “pikat kritike” të hasura gjatë hartimit të projektbuxhetit janë kryesisht situata e sektorit elektroenergjetik, detyrimet ndaj ish të përndjekurve politikë dhe vendimet gjyqësore të Strasburgut për pronat. Të gjitha këto së bashku me ndryshimet që mendohet se do të bëhen në taksa, nuk do të bënin gjë tjetër veç ta zhysnin qeverinë në një borxh të pashembullt.
Energjia
Pas dështimit të privatizimit të operatorit të shpërndarjes, sektori elektroenergjitik, ka hyrë në një fazë shumë të vështirë. Duke lënë mënjanë mospagesat e krijuara ndërmjet sektorit publik CEZ – KESH (që në rastin më të mirë do të mund të fshihen pa pasoja shtesë për buxhetin e shtetit), tani është bërë kritik kontrolli i faturës së re financiare të sektorit. Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës Botërore, për të përballuar nevojat për furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, duhet një mbështetje buxhetore me rreth 19 mld Lekë (135 mln euro) çdo vit.
Nevoja buxhetore mund të ulet në periudhën afatmesme deri në 10 mld Lekë, nëse humbjet ulen nga 40% aktualisht, në rreth 30%, niveli më i ulët historik i arritur nga administrimi publik i operatorit të shpërndarjes. Edhe kjo ulje e humbjeve kërkon një investim prej 30 – 50 mln euro në vit, për 3 – 4 vite. Një faktor tjetër që ka rritur presionin financiar të KESH, është marrëveshja, që detyron KESH-in për të blerë energji të prodhuar nga hidrocentralet e vogla, me një çmim fiks, i cili mund të shkojë edhe 50 mln euro në vit. Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë financiare të sektorit, është e nevojshme të hartohet sa më parë një plan veprimi, që synon qendrueshmërinë financiare në periudhën afatmesme. Ky plan, është i domosdoshëm, për planifikimin e mbështetjes buxhetore, brenda kuadrit të konsolidimit të borxhit publik.
Pronat
Ka një presion të fortë ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së pronave. Një vendim pilot është në proces zbatimi (kosto totale 460 milionë lekë, paguar deri tani vetëm 110 milionë lekë). Një vendim tjetër rreth 2 milionë euro, është miratuar dhe është në pritje për t’u zbatuar. Mendohet se ka një radhë të gjatë qytetarësh shqiptarë, që presin zgjidhje nga kjo gjykatë. Për zgjidhjen e problemit, qeveria, duhet urgjentisht të hartojë një plan si dhe kur do zgjidhet kjo çështje. Duhen argumente të forta për të bindur Gjykatën e Strasburgut, se qeveria po e zgjidh pozitivisht këtë çështje, që ajo të mos ndërmarrë veprime të tjera.
Ish-të përndjekurit
Deri tani, me vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave, dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit politikë, është 51.117 milionë lekë për 12.760 dosje. I ndarë në 8 këste, kostoja e njërit prej të cilëve është rreth 6.4 mld lekë. Në të gjithë skenarët, që ne kemi mundësitë e buxhetit, nuk lejojnë më shumë se 2 mld lekë në vit. Kjo ka qenë eksperienca e deritanishme, me përjashtim të vitit 2013, i cili ishte vit elektoral, ku ky fund ishte 3 miliardë lekë.
Zgjidhjet
Në këto kushte, ka vetëm një mundësi për buxhetin e ardhshëm: të planifikojë ulje të ndjeshme të shpenzimeve, investimeve publike, ngrirje – më e pakta! – të pagave dhe pensioneve, ndërkohë që ato realisht ulen në sajë të inflacionit, më pak para për shëndetin publik, arsimin. Ky të ishte një dush i ftohtë për shqiptarët. Por, mund të shihet si e vetmja mundësi për të shlyer detyrimet pa fund ku po e fut vendin, me një borxh tepër të lartë, qeveria aktuale. Duke u pasuar nga ai që është shmangur gjithë këto vite: recesioni!
Tatimet
Është zbuluar tjetër skemë mashtruese tatimore
Përveç skemës së mashtrimit me rimbursimin e TVSH-së që i shkaktonte shtetit një dëm në vlerën e 515 milionë lekëve, Drejtoria e Tatimeve ka zbuluar edhe një tjetër evazion fiskal prej 295 milionë lekësh. “Përveç zbulimit të skemës mashtruese të rimbursimit të TVSH-së me vlerë prej 515 milionë lekësh, kemi arritur të zbulojmë edhe një vlerë të evazionit fiskal me masën prej 295 milionë lekësh, kryesisht shmangie nga detyrimi për të deklaruar dhe paguar tatimet apo skema karusel të TVSH-së”, – tha dje drejtorja e Tatimeve, Brisida Shehaj, në një konferencë për shtyp për të prezantuar analizën e punës një mujore në krye të këtij dikasteri.
Shehaj tha se për muajin tetor është realizuar plani i mbledhjes së të ardhurave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore në masën 106% krahasuar me planin e qeverisë së mëparshme. Sipas saj nga tatimet janë mbledhur 12 milionë dollarë më shumë se muaji shtator i këtij viti, ndërkohë që krahasuar me tetorin e vitit të kaluar të ardhurat tatimore janë grumbulluar 716 milionë lekë më shumë.
“Rëndësi të veçantë zë TVSH-ja me 61 milionë lekë më shumë dhe të ardhurat personale me 17% më shumë. Kontributet nga sigurimet shoq. 6% më shumë se tetor 2012”, – tha Shehaj. Sipas saj do të vijojë goditja e fortë e sjelljeve korruptive apo skemave mashtruese me TVSH-në.