Ervin Kaduku
Shqipëria, veç “statusit” të një vendi të akumulimit të armëve të rrezikshme, prej kohësh i kanë dhënë atë të “ndihmësit” të ekonomive të vendeve të mëdha në krizë. A kemi këllqe ne për gjëra të tilla?
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, kanë ikur nga vendi 320 milionë euro, si transferta të institucioneve bankare me kapital të huaj, vetëm në tremujorin e tretë. Rritja është e ndjeshme: 34% më shumë se një tremujor më parë
Jo vetëm krizat globale të armatimeve të shkatërrimit në masë duhet të përballojë Shqipëria. Në të njëjtën kohë, nëpërkëmbja e qytetarëve të këtij vendi vjen edhe nga sektori bankar, ku gati 100 për qind e kapitaleve janë të huaja. Problemet edhe të krizës globale financiare, të paktën bankat që janë prezent në vendin tonë, po përpiqen të ndihmojnë me paratë e shqiptarëve super-banka të huaja.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, zëri “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucionet e tjera financiare” ka shënuar një rritje të ndjeshme me 34%, apo 32 miliardë lekë (230 milionë euro) vetëm në tremujorin e tretë në raport me atë të mëparshmin, pas një periudhe prej tre tremujorësh radhazi, kur ky tregues kishte shënuar vetëm rënie dhe bankat ishin orientuar disi te bonot e thesarit të qeverisë shqiptare.
Të dhënat më të detajuara, që janë publikuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se janë dy banka, që kanë ndikuar në rritjen e këtij treguesi, Raiffeisen dhe Tirana Bank. Kjo e fundit ka bërë diferencën, duke rritur ndjeshëm paratë e transferuara te mëma në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, Zëri “Vendosje në banka” për Tirana Bank u rrit ndjeshëm me rreth 11 miliardë lekë në tremujorin e tretë, në raport me tremujorin paraardhës, nga rreth 33 miliardë lekë që ishte zgjerimi i këtij treguesi për të gjithë sistemin për të njëjtën periudhë kohore.
Edhe Raiffeisen e ka shtuar këtë tregues me rreth 8 miliardë lekë në periudhën korrik-shtator, në raport me tremujorin paraardhës.
Pas Tirana Bank dhe Raiffeisen, renditen FIB dhe Intesa San Paolo përkatësisht me një zgjerim prej 3.8 dhe 3 miliardë lekë, me bazë tremujore.
Pothuajse të gjitha bankat e tjera rezultojë gjithashtu t’i jenë drejtuar bankave mëma apo institucioneve të tjera financiare jashtë në tremujorin e tretë, një lëvizje që sipas tyre është e detyruar, për shkak të mungesës së alternativave të investimit në vend, ndonëse vendosja e parave jashtë, sipas tyre bëhet me interesa ndëshkuese.
Tendenca është krejt e ndryshme nga gjashtë muajt e parë të vitit, ku zëri i “Vendosjeve në banka” për të gjithë sistemin, ra me rreth 6.7 miliardë lekë, në fund të qershorit, në raport me dhjetorin 2012, teksa bankat po i largohen investimeve në letrat me vlerë të qeverisë.
Një pyetje që mund të shtrohet në këtë mes: deri kur mazhoranca qeverisëse nuk do të reagojë ndaj situatës absurde të largimit masiv të kapitaleve nga Shqipëria, edhe kur për tremujorë të njëpasnjëshëm vijon pareshtur dalja nga vendi e qindra milionë eurove, që janë kontribut i një populli jo të pasur? Lidhur me këtë: deri kur të do bëjë sehir kryefajtori direkt, që e ka si detyrë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë të mbikëqyrur sektorin bankar në vend, guvernatori Fullani?
Sa të zgjidhin këta pingpongun e përgjegjësive, të huajt do ta “shtrijnë krahun” mirë…
Statistika të transfertave të valutës jashtë Shqipërisë nga bankat që operojnë në vend
Burimi: Banka e Shqipërisë