Vetëm dy ditë nga marrja e detyrës, Ministrja e Financave Helga Vukaj ka dhënë porositë e para, gjatë inspektimit të bërë në Degën Doganore Durrës.
Ajo kërkoi nga administrata doganore të distancohet nga çdo veprim i paligjshëm që cënon standardet zgjedhore.
“Ministrja Vukaj theksoi rëndësinë e përmbushjes së objektivave fiskalë dhe vlerësimin strikt të procedurave doganore për të shmangur çdo rast abuzimi, që favorizon operatorë të veçantë të biznesit, me qëllim financimin e aktiviteteve elektorale”- njofton zyra për shtyp e saj.
Ministrja paralajmëroi gjithashtu masa administrative dhe ndjekje penale për çdo punonjës që shkel ligjin.
“Ajo kërkoi me prioritet nga agjencitë ligjzbatuese rritjen e eficencës së kontrolleve doganore kundër trafikut të drogës dhe hartimin e një plan-veprimi për një reagim të shpejtë dhë të koordinuar me Policinë Kufitare”- theksohet më tej në njoftim.
Në takimin me Shërbimin Doganor dhe Policinë Kufitare Durrës, ministrja e Financave Helga Vukaj shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.