Elbasan, pas kërkesës së Prokurorisë Lirohen kancelari dhe drejtori Ekonomik i Universitetit

0
205

Sonja Caka

 

Gjykata e cilëson arrestimin të paligjshëm, prokurori kërkon detyrim paraqitjeje

Reagon rektori Varoshi: Arrestimet, për të prishur imazhin e Universitetit tonë

 

univers-elbasan1Gjykata dhe Prokuroria kanë sfumuar operacionin e policisë së Elbasanit, e cila u vuri prangat dy zyrtarëve të Universitetit të këtij qyteti, ndërsa njoftoi nisjen e hetimeve për rektorin dhe drejtoren Juridike në gjendje të lirë. Paraditen e djeshme, Gjykata e Elbasanit liroi nga qelitë e paraburgimit kancelarin e Universitetit të Elbasanit dhe drejtorin Ekonomik të këtij Universiteti. Në vendimin e tij, gjykatësi Ramazan Avdia, i Gjykatës së Elbasanit, e ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e Eljan Hoxhës dhe Filip Qoses, pasi nuk ka prova të mjaftueshme për legjitimitetin e arrestimit të tyre. Avokati i çështjes Shkëlqim Duka, e quajti absurd pretendimin e Prokurorisë, duke i kërkuar gjykatësit Avdia që klientët e tij të liroheshin menjëherë. Sipas avokatit “polica ka kaluar çdo kompetencë që i jep ligji” ndërsa edhe prokurori kërkoi caktimin e masës “detyrim paraqitje” për Hoxhën dhe Qosen.

Reagimi

Pas lirimit nga Gjykata të kancelarit dhe drejtorit Ekonomik të Universitetit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i rektorit Liman Varoshi, i cili akuzoi policinë se me arrestimet e nxituara ka prishur imazhin e universitetit. “Unë deklaroj publikisht se deklarata e policisë së Elbasanit është e nxituar dhe tendencioze. Ne si Universitet, na shokoi policia me vendimin e saj. Gjykata e dha vendimin dhe u shpreh qartë për veprimet e nxituara të policisë, duke i quajtur veprimet si të pabaza. Policia nuk bën dot prokurorin, gjykatësin dhe auditin. Ne si senat do të vejmë në dijeni edhe ambasadat diplomatike në Tiranë për ndërhyrjet që po i bëhen Universitetit të Elbasanit. Janë 21 profesorë të nderuar që kanë firmosur një peticion për këtë problem lidhur me presionin e panevojshëm që po ushtron policia në dëm të universitetit”, – tha rektori duke shtuar se policia me veprimin e saj ka ulur ndjeshëm reputacionin e universitet dhe do të përgjigjet për veprimet e saj.

Hetimi

Ministria e Brendshme bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se kishte nisur procedimi penal për drejtuesit më të lartë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”. Po sipas këtij institucioni, nga hetimet e policisë ka rezultuar se rektori i Universitetit, Liman Varoshi, në bashkëpunim me kancelarin e këtij Universiteti, Eljan Hoxha, kishin favorizuar, vjehrrën e kancelarit, duke i dhënë për të shfrytëzuar me qira një hapësirë brenda ambienteve të Fakultetit Ekonomik të këtij Universiteti. Kontrata e lidhur ishte hartuar në favor të vjehrrës së kancelarit, Luljeta Xhuhani, pasi në të ishin parashikuar për shfrytëzim vetëm 60 metra katrorë, nga 165 metra që ishte në të vërtetë kjo hapësirë. Nga verifikimet rezultoi se Luljeta Xhuhani, kishte rreth 7 vjet që e ushtronte këtë aktivitet në mjediset e këtij fakulteti, për lokal bar-kafe. Të katër këta shtetas akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikim dokumentesh”.

Personat e arrestuar, të liruar dje

Eljan Hoxha, 43 vjeç, banues në Lagjen Kala, Elbasan, me detyrë, kancelar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

Filip Qosja, 49 vjeç, banues në lagjen “Viserion Xhuvani” Elbasan, me detyrë drejtor i Drejtorisë Ekonomike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

Të proceduar në gjendje të lirë

Liman Varoshi, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan

Fatma Spahiu, 37 vjeç, banuese në Elbasan, drejtore e Zyrës Juridike në këtë Universitet

Akuzat

“Shpërdorim detyre”

“Vjedhje e kryer, duke shpërdoruar detyrën”

“Falsifikim dokumentesh”

 

 

SKANDALI

Sekseri i Xhezair Zaganjorit kërkon 2000 euro, shkarkohen kancelaria dhe sekretaria

Skandali i korrupsionit nxjerr në pah emrin e Xhezair Zaganjorit. Në pjesën e tretë të transmetuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare” shfaqet biseda e regjistruar e sekserit të kreut të Gjykatës së Lartë, i cili kërkon 2 mijë euro në emrin e tij. Ndërkohë në Pukë, kreu i gjykatës dhe prokurori vazhdojnë të marrin 5- milionëshin për ndryshimet e masës së arrestit. Të tjerë viktima qajnë hallin duke treguar se të njëjtët persona u kanë marrë nga 5-6 milionë lekë për lirimin nga qelia. Ndërkohë që pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin “Fiks Fare” të kancelares dhe sekretares së Gjykatës së Pukës, duke numëruar paratë që dha qytetari në këmbim të lirisë, ka reaguar Ministria e Drejtësisë. Përmes një komunikimi për shtyp njoftohet se ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ka urdhëruar shkarkimin nga detyra për dy punonjëse të administratës në Gjykatën e Rrethit Pukë. “Vendimi i ministrit të Drejtësisë, z. Naço, vjen pas kryerjes së verifikimeve paraprake, bazuar mbi transmetimin në emisionin investigativ “Fiks Fare” të pamjeve filmike ku trajtohej një rast korruptiv që implikonte edhe punonjëset Meliha Kukaj, me detyrë kancelare e Gjykatës së Rrethit Pukë; si dhe Liljana Shkjaun, me detyrë sekretare gjyqësore e Gjykatës së Rrethit Pukë”, – bën me dije komunikata. Më tej thuhet: “Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, inkurajon hetimin e shpejtë dhe të drejtë të çështjes ndërsa shpreh vendosmërinë e institucionit që ai drejton për të luftuar korrupsionin në çdo nivel, duke e vënë theksin në harmonizimin e veprimeve ndërinstitucionale për arritjen e objektivit final. Z. Naço gjen rastin t’i kujtojë çdo qytetari se është i mirëpritur për të dhënë ndihmën e tij përmes një roli aktiv në denoncimin e korrupsionit, duke u bërë një bashkëpunëtor i afërt i institucioneve të drejtësisë në parandalimin e veprimtarive të mëtejshme kriminale. Partneriteti midis të gjithë aktorëve është çelësi i suksesit të luftës kundër korrupsionit”.

 

 

Durrës, gjendet trupi i pajetë i një anglezi

Identifikohet kufoma e gjetur mesditën e djeshme në Durrës. Sipas policisë, në veshjet e trupit të viktimës u gjet një dokument identifikimi. Dokumentet e gjetura në veshjet e viktimës tregojnë se është shtetas britanik. Viktima u identifikua me emrin Mark Aykroyad, i datëlindjes 3.8.1946 në Londër. Sipas policisë, kufoma, e seksit mashkull, u gjet nga një anije peshkatarësh, në gjendje tejet të dekompozuar. Ndërkaq, mësohet se policia po punon me ambasadën përkatëse për konfirmimin e identitetit të viktimës. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë së qytetit bregdetar, të cilët u njoftuan nga ekuipazhi i një peshkarexhe që ishte në atë zonë. Policia po punën për zbardhjen e shkaqeve për vdekjen, nëse është i vrarë apo i mbytur. Uniformat blu kanë bërë të ditur se nuk kanë denoncime për persona të zhdukur.

 

Përplasen 3 makina, asnjë i lënduar

Tri automjete janë përplasur në aksin Tiranë – Durrës. Ngjarja ka ndodhur tek mbikalimi i Sukthit, ndërsa mësohet se nuk ka persona të lënduar. Pas përplasjes rezultojnë vetëm dëme materiale të tri automjeteve. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, ndërsa bëhet me dije se fatmirësisht nuk ka pasur persona të dëmtuar nga kjo ngjarje.