Takimi “Miqtë e Evropës” në Bruksel Stefan Füle: Vendimi për statusin është politik, nuk lidhet vetëm me kriteret

0
160

Gëzim Saliu

“I impresionuar nga bashkëpunimi i opozitës dhe vendosmëria e qeverisë për luftën kundër korrupsionit”

 

fyle ne miqte e evropesNë prag të vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave të BE-së për statusin e kandidatit për Shqipërinë, komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Füle, deklaron se vendimi që do të merret nga vendet anëtare, është politik dhe nuk bazohet vetëm mbi kriteret. Pjesëmarrës në takimin e përvitshëm “Miqtë e Evropës”, që organizohet në Bruksel me pjesëmarrjen e lartë të personaliteteve evropiane dhe të rajonit të Ballkanit, Füle theksoi se edhe ne rastin kur një vend i përmbush kushtet, statusi i kandidatit mbetet një vendim politik. “Statusi i kandidatit është një vendim politik. Të akordosh statusin e kandidatit nuk është tërësisht e lidhur me kriteret që janë përcaktuar. Kriteret që përcaktohen janë të motivuara politikisht”, – pohoi komisioneri.

Qeveria dhe opozita

Në fjalën e tij në takimin e djeshëm, eurokomisioneri shprehu vlerësime të larta për bashkëpunimin e opozitës në Shqipëri për reformat e integrimit si edhe për vendosmërinë e qeverisë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Jam i impresionuar nga progresi i bërë nga autoritetet shqiptare. Jam i impresionuar nga procesi i gjithëpërfshirjes në Shqipëri dhe nga roli që po luan opozita për reformat evropiane në formën më konstruktive të mundshme. Jam i impresionuar me masat e mëtejshme që janë marrë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Po marr nga qeveria çdo javë raportime substanciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shpresoj shumë që shtetet anëtare mund ta marrin këtë në konsideratë në takimin e dhjetorit”, – theksoi Füle. Më parë, komisioneri për Zgjerimin u pati dërguar një letër të gjitha shteteve anëtare për të mbështetur statusin e kandidatit për Shqipërinë. “Duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit, Këshilli do të dërgojë një sinjal të fortë te populli shqiptar, njëkohësisht duke shërbyer si një konsolidim në përfshirjen evropiane të vendit. Kjo do të ndihmojë qeverinë dhe opozitën në shtimin e promovimit të kulturës demokratike, mbi të gjitha gjithëpërfshirjes, duke prodhuar më shumë reforma”, – shkruante Füle në letrën e tij. Po ashtu, mbështetje në këtë kuadër do të japë edhe Parlamenti Evropian, i cili pritet të miratojë pas dy ditësh një rezolutë, e cila do të kërkojë që vendet anëtare të BE-së t’i japin statusin Shqipërisë. Ndërkohë, pak ditë më parë, kreu i delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, deklaroi se dialogu politik është kriteri kyç që kërkohet nga Brukseli në ditët në vijim për të bërë të mundur marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. “Ne po i japim një shans Shqipërisë. Mendojmë që edhe pse gjërat nuk janë ende siç duhen, vendi duhet të marrë statusin e kandidatit, si një nxitje për të ecur përpara. Pa dialogun politik do të jetë e vështirë të provohet që klima politike në Shqipëri ka ndryshuar dhe që Shqipëria po zhvillohet sipas standardeve evropiane”, – u shpreh Kukan.

Statusi

Në dy vitet e shkuara vendi ka dështuar për realizimin e këtij objektivi. Mazhoranca e mëparshme ka akuzuar opozitën e kaluar socialiste se me bllokimin e reformave dhe bojkotin parlamentar bëri të pamundur marrjen e statusit kandidat. Nga ana e saj, PS i ka mbetur qëndrimit se mundësia e marrjes së statusit lidhej me reforma që duhet të përmbusheshin nga qeveria, si korrupsioni dhe zgjedhjet e lira e të drejta. Pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme mes palëve, tri ligjet e Brukselit të vendosura si kushte nga KE-ja u votuan 6 muaj më parë e ndërkohë edhe zgjedhjet e 23 qershorit u vlerësuan me nota pozitive nga ndërkombëtarët. Nisur nga kjo, mundësitë që vendi të marrë statusin e kandidatit janë të mëdha, por ndërkohë disa vende skeptike, si Holanda, mbeten dyshuese lidhur me ecurinë e reformave në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vendimi përfundimtar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian merret në javën e tretë të muajit dhjetor, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Vota për statusin duhet të jetë unanime, pasi nëse edhe qoftë një vend anëtar i BE-së voton kundër, Shqipëria do të dështojë për të tretin vit radhazi në prioritetin e saj.

 

Ministri i Jashtëm

Bushati merr pjesë në ministerialin e NATO-s në Bruksel

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, do të marrë pjesë për dy ditë në takimin e radhës të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që do të zhvillohet në selinë e Aleancës në Bruksel. Gjatë këtij takimi, ministrat pjesëmarrës do të diskutojnë kryesisht për axhendën e takimit të nivelit të lartë të NATO-s, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe do të trajtojnë çështje të bashkëpunimit në gjirin e Aleancës, në kuadër të përballimit të sfidave për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Ministri Bushati pritet gjithashtu të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologë të vendeve anëtare.

 

Senati i SHBA-së

Bllokohen dhjetëra kandidatura të ambasadorëve, mes tyre edhe ajo e Donald Lusë

Dhjetëra kandidatura të propozuara nga Presidenti Obama për poste të ndryshme publike janë bllokuar në Senat nga republikanët e opozitës. Mes tyre është edhe ajo e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Shqipëri, Donald Lu. Kongresi pritet t’i fillojë punimet javën e ardhshme dhe miratimi i kandidaturave pritet të jetë në rend të ditës. Kohët e fundit demokratët, që kontrollojnë Senatin, i bënë një ndryshim historik rregullores së Senatit, sipas së cilës, emërimet presidenciale, me përjashtim të atyre për në Gjykatën e Lartë, mund të miratohen me shumicën e thjeshtë, me 51 vota, nga 60 që parashikonin rregullat e mëparshme. Senatori republikan Lindsey Graham ishte zotuar se do të bllokonte të gjitha emërimet e reja të Presidentit Obama, për t’i bërë trysni administratës të jetë më transparente për ngjarjen e Bengazit, ku nga sulmi ndaj konsullatës amerikanë në Libi u vranë 4 persona, mes tyre edhe ambasadori amerikan. Emërime si ato ku bën pjesë kandidatura e ambasadorit Lu, zakonisht miratohen në Senat me konsensus unanim, pa qenë nevoja e një vote të regjistruar. Kandidatura e ambasadorit Lu është miratuar tashmë nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit.