Gëzim Saliu
Kryeministri, sipërmarrësve italianë: Do ta bëjmë Shqipërinë zgjedhje të parë për ju
Kryeministri i vendit Edi Rama deklaron se qeveria do të angazhohet për ta kthyer Shqipërinë në zgjedhjen e parë të sipërmarrësve italian. Në një takim që zhvilloi dje me sipërmarrësit italianë në Shqipëri, kreu i qeverisë bëri të ditura hapat që janë ndërmarrë deri më tani nga mazhoranca në fushën e investimeve të huaja si edhe ngritjen e një grupi me deputetë që bashkë me ambasadorin italian do të bëjnë vizitën e parë në Itali, për të bërë propozime konkrete, në mënyrë që sipërmarrësit italianë të vijnë në Shqipëri. “Kemi krijuar një grup parlamentarësh të cilët kanë detyrimin dhe përgjegjësinë, por së pari kanë dëshirën për të marrë pjesë personalisht në këtë nismë, duke shkuar në Itali, duke folur për Shqipërinë, duke paraqitur mundësi, duke dëgjuar sipërmarrësit italianë që kanë shumë pyetje për të bërë duke marrë shënime qoftë për pyetjet dyshimet. Dhe duke krijuar një urë ndërmjet botës së sipërmarrjes italiane dhe qeverisë e institucioneve italiane”, u shpreh Rama. Në këtë kontekst, duke theksuar se në Shqipëri janë të mirëpritura edhe industritë e mëdha, kryeministri pohoi se fokusi i qeverisë është përqendruar në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. “Në këtë vend ne kemi nevojë të madhe për vende të reja pune, të cilat nuk mund të krijohen nga shtetit, por nga sipërmarrja, nga hapja drejt botës së biznesit me nxitje të reja. Duam të eksplorojmë potencialet e sektorit të manifakturës, edhe duam të përfitojmë nga ajo gjendje jo fort e mirë që ky sektor po përjeton në Itali. Ne mund të ofrojmë kushte të favorshme dhe mund të krijojmë avantazhe për daljen e ndërmarrjeve italiane jashtë Italisë. Duam të shohim ç’mund të bëjmë edhe në fushën e bujqësisë”.
Taksimi
Një pjesë e rëndësishme e takimit mes kryeministrit dhe investitorëve italianë ishte edhe paketa fiskale, për të cilën sipërmarrësit kërkuan informacion të detajuar. Duke bërë të ditur se për ndërtimin e programit ekonomik, PS ka zhvilluar rreth 5 mijë intervista të sipërmarrjeve të vogla të mesme, Rama tha se,: “10 % është i ligjshëm dhe në fakt shumë më tepër është ajo që del nga xhepat e ndërmarrjeve. Për të mbledhur të gjithë atyre që vihen ne bilanc si nga TVSH e parimbursuar deri tek pagesat, kjo është e qartë. Nuk bëhet fjalë për rritje taksash, por është thjesht një ndryshim taksimi në përfitimin personale, të ardhurat personale. Të lehtësojmë ata që marrin më pak. Taksa e sheshtë është një mashtrim që nuk mund ta pranojmë, për atë që i përket me taksimin e të ardhurave, ne do zbatojmë taksimin progresiv. Për ata që marrin më shumë do të taksohen më shumë”. Ndërsa lidhur me biznesin, kryeministri deklaroi se nuk do të përdoret e njëjta formulë, por nënvizoi se për ndërmarrjet e mëdha do të taksohen me mbi 10 %, duke mos specifikuar shifrën e saktë pasi sipas tij, më parë duhet të zhvillohen konsultimet me FMN. “Nuk do kemi progresivitet i cili shkon drejt mbytjes. Do kemi dy nivele, sipërmarrjet e vogla që janë vende pune të krijuara për të mbajtur familje do heqim taksën e tyre që i shkon komunave dhe do të fillojmë duke ulur 10 %. Ndërsa ndërmarrjeve të mesme të mëdha, do shkojmë mbi 10 %, por do jemi me siguri në zonën tonë, nuk do shkojmë drejt shifrave të papërballueshme”, tha Rama. Po ashtu në këtë takim, kreu i qeverisë siguroi sipërmarrësit se qeveria do ti shlyejë të gjitha borxhet që shteti ka ndaj tyre duke nënvizuar se,: “Unë mendoj që një qeveri nuk mund të kërkojë asgjë ndërmarrjeve dhe konsumatorëve kur nuk është në gjendje të respektojë angazhimet e veta por edhe ti përgjigjet për ato që qeveria është përgjegjës. Për këtë përparësia jonë e parë është të kthejmë atë që nuk është e jona. Të kthejmë mbrapsht paratë për veprat publik që nuk janë paguar, për prodhimin energjisë së marrë por të papaguar, për shërbimet për spitalet, shkollat që janë kryer nga firmat dhe nuk janë paguar si edhe në sektorë të tjerë. Kemi filluar negociata tona me FMN, me Bankën Botërore, pasi vullneti ynë është të rifillojmë një program me FMN për të rivendosur ekuilibrat makroekonik për të mos lënë që vendi të zhytet në borxhe. Duhet të jemi në pozicionin e hapjes së portave për investimet në vend dhe nga ana tjetër për të thënë se ku duhet të investohet”.
Intervista
Majko: Administrata është “ku thërret qameti”. Shqipëria ka dështuar në 23 vite në shtetin ligjor
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko tha dje se si PD ashtu edhe PS kanë dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor në vitet e tranzicionit. Në një intervistë në Uashington për Zërin e Amerikës, deputeti i PS-së duke iu referuar një raporti të organizatës Transparency International, sipas të cilit Shqipëria ka shënuar rënie në perceptimin e korrupsionit, tha se vendi ka ligje shumë të mira, por korrupsioni shihet në publik si një çështje e pashpresë dhe se qeveria e ka të vështirë ta luftojë. “ Është tregues i një fakti që pas viteve ‘90 Shqipëria ka dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor. Kemi ligje shumë të mira, por mos funksionimi i sistemi në institucione të ndryshme dhe sigurisht kjo ka rënë një peshë të madhe jo vetëm me perceptimin e korrupsionit por edhe me mënyrën se si shihet çështja e korrupsionit si një çështje të pazgjidhshme”, deklaroi Majko. Në këtë kontekst, Majko theksoi se Shqipërisë i nevojiten prokurorë dhe gjykatës të guximshëm, të cilët nuk mund të justifikohen më se politika është e paprekshme. Ndërkohë lidhur me aktin e nëpunësit civil dhe ndryshimet në administratë, ligjvënësi socialist theksoi se ekziston domosdoshmëria për reformimin e saj. “Kemi një administratë e cila është ku thërret qameti. Do të ketë ndryshime në sektorët e tej polizituar. A do të ketë gabime? Po do të ketë gabime, por kështu nuk mund të vazhdohet. Mendoj që ne duhet ta mirëkuptojmë qeverinë në këtë histori të lubrifikimit të administratës”.
Shembet muri rrethues i kompleksit “Jon”
Avokati i banorëve, Haxhia: Çështja ka shkelje ligjore, do e dërgojmë në Strasburg
INUK ka nisur dje shembjen e një pjese të rrethimit të kompleksit tek “Uji i Ftohte” me emrin “Jon”. Policia e Shtetit nuk ka lejuar banorët të hyjnë në banesa, ndërsa për 5 ditë sipas INUK, banorët duhet të lëshojnë ambientet sepse godina do të shembet. Pritet që shembja të ndodhë së shpejti dhe kompleksi të rrafshohet tërësisht me modelin e shpërthimit të komanduar si në rastin e ndërtesës 7-katëshe që ndodhej buzë Ujit të Ftohtë në Vlorë. Sipas vendimit të qeverisë, pronarët do të kompensohen me vlerën e plotë që kanë shpenzuar për banesat, ndërsa shtohet se afati i përfundimit të shpronësimit është data 28.12.2013. Lidhur me këtë aksion reagoi dje, avokat i banorëve të kompleksit “Jon” Maksim Haxhia, i cili ka theksuar se çështja në fjalë ka shkelje të rënda ligjore ndaj do të përcillet shqetësimi deri në Strasburg. “Të ndiqet procesi i shpronësimit, pikë për pikë, jo të kalohet direkt dhe tek shembja. Problemi i pronës është madhor, delikat. Sot INUK ndërhyri me mjete shkatërruese në objekt duke mos lejuar banorët të ndërhyjnë në objekt. Ka një vendim qeverie që tregon sesi do të shpronësohen qytetarët. Ka qytetarë që kanë blerë apartamente dhe që ndodhen jashtë vendit. Do të ndjekim ligjin, çështja do të dërgohet deri në Strasburg”, tha Haxhia. Më tej avokati pohoi se nëse ligjërisht gjatë ndërtimit të godinës, shteti ka evidentuar shkelje, ai si avokat nuk del kundër shembjes, por kundër shkeljes së interesave të qytetarëve që ditën e djeshme sipas tij u shkelën nga INUIK. Por avokati shtoi se nëse evidentohet se dhe procesi i shembjes ka qëllime djallëzore në vetvete jo thjesht shkelje gjatë procedurave, atëherë kjo kthehet në çështje për Gjykatën Kushtetuese.