Mesazh ngushëllimi i Kryetarit të Partisë Demokratike për ndarjen nga jeta të Nelson Mandelës:
Ndarja nga jeta e Nelson Mandelës, simbolit te përpjekjeve për liri dinjitetit njerëzor dhe barazi është një humbje e madhe për gjithë njerëzimin.
Nëpërmjet vullnetit të papërkulshëm për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, Nelson Mandela ndryshoi kursin e historisë në vendin e tij dhe frymëzoi miliona njerëz dhe liderë të përpiqen për një botë më të mirë dhe më të drejtë.
Mandela besoi, jetoi dhe luftoi për një ideal të lartë, idealin e një shoqërie të lirë e demokratike, pa diskriminim dhe ku të gjithë qytetarët, pa dallim race apo statusi social, gëzojnë mundësi të barabarta dhe jetojnë së bashku në harmoni.
Ndjekja, persekutimi, burgosja e izolimi nuk e mposhtën shpirtin e tij luftarak dhe as zvetënuan dot kauzën e tij, e cila pushtoi zemrat e mbarë njerëzimit dhe e vendosi Mandelën ne altarin e pavdekësisë për mësimin e madh të faljes dhe pajtimit shoqëror, të dashurisë e përkushtimit ndaj njerëzve të thjeshtë, të bashkëjetesës në harmoni e barazi të të gjithë njerëzve e popujve.
Në emër të Partisë Demokratike i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kombit afrikano-jugor për humbjen e birit dhe udhëheqësit më të shquar të tij. Sot, në bashkojmë lutjet tona me ato të cdo qytetari të kombit afrikanojugor dhe të çdo ithtari të lirisë anembanë planetit, që shpirti i këtij njeriu të madh të prehet në paqen e amshuar.