8 dhjetori Zgjedhjet e reja në PD Basha: Vendimtare për sfidat e së nesërmes

0
178

Florenc Drizari

 

“Sot shpallim një garë  të re, të lirë e të  ndershme, të pastër, të drejtë e demokratike në çdo element të saj, garën që do të  afirmojë seriozitetin e një partie me histori të madhe dhe ambicie të mëdha siç është Partia jonë”

 

foto bashaPartia Demokratike hapi mbrëmë zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e reja në Parti. Pas festimeve për 8 dhjetorin në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, PD duket se zgjodhi një ditë simbolike për të celur zyrtarisht fushatën brenda radhëve të saj për zgjedhjen e strukturave të reja. Këtë fakt e bëri të ditur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili ftoi të gjithë anëtarët e PD-së, simpatizantët por edhe qytetarët e ndryshëm që të bëhej pjesë e këtij procesi për ribashkimin e të gjithë kontributeve historike në Partinë Demokratike. Edhe pse ky proces pritet të shoqërohet edhe me një analizë të gjërë të zgjedhjeve të 23 qershorit, procesi i sapo nisur nga PD pritet të mbyllet vitin e ardhshëm. Pas mbylljes së fushatës brenda radhëve të së djathtës, fillimisht zgjidhen kryetarët e degëve të PD në rrethe dhe njëkohësisht me zgjedhjen e kryetarëve do të zgjidhen edhe delegatët që do të përfaqësojnë degët në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Kuvendi i ri Kombëtar mund të mblidhet në muajin janar, kur të kenë përfunduar zgjedhjet në të gjitha degët lokale. Ai do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar të PD-së, forum prej të cilit rrjedhin edhe strukturat vendimmarrëse të PD-së. Nga ana e tij, Këshilli do të zgjedhë fillimisht Kryesinë e Partisë Demokratike të përbërë nga 25 anëtarë. Më pas ky forum zgjedh me votim të fshehtë dy nënkryetarët e partisë, ku sipas Statutit, njëri prej tyre është edhe kryetar i Grupit Parlamentar, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët.

 

LULZIM BASHA

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpalli dje hapjen e fushatës elektorale brenda PD-së, duke vënën theksin në vlerat e demokratëve për vizionin politik ndaj lirisë dhe zhvillimit të zgjedhjeve me standarde. Njëkohësisht kryerari i PD-së, fotoi të gjithë ata që kanë dëshirë ti bashkohen kësaj force politike që të bëhen pjesë e procesit.

“Sot shpallim një kuvendim të madh, të lirë e të përgjegjshëm, të gjithë anëtarësisë së Partisë Demokratike për rrugën që kemi bërë deri këtu, për sfidat e reja që do të marrim përsipër, për një fillim të ri të kësaj partie, për ringritjen dhe fuqizimin e saj si alternativë  fitimtare e të djathtës.

Sot shpallim një garë  të re, të lirë e të  ndershme, të pastër, të drejtë e demokratike në çdo element të saj, garën që do të  afirmojë seriozitetin e një partie me histori të madhe dhe ambicie të mëdha siç është Partia jonë; garën që  do të nxjerrë në drejtimin e partisë që nga seksioni më i largët e më i vogël e deri në kryesinë e partisë njerëzit më të mirë e më të aftë,  demokratët më të  respektuar nga anëtarësia, pse jo dhe nga publiku i gjerë i fshatit, lagjes, qytetit, ata që bashkë me mua si kryetar i zgjedhur me parimin “një anëtar një votë” do të udhëheqim partinë  në synimet e saj për të fituar zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjet politike me pas. Për të  gjithë  ne është e qartë se fushata që çelim sot është vendimtare për këto synime”, – deklaroi Basha.

Kreu i PD-së sqaroi do të jetë e hapur për të gjitha strukturat dhe kërko etikë në zhvillimet e debateve për çështje që ndihmojnë PD-në të arrijë sukses në zgjedhjet e ardhshme vendore. Gjithashtu z. Basha foli edhe për zhvillimin e një analize të plotë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare si dhe shkaqet që çuan Partinë Demokratike në opozitë.

“Duke pohuar të gjitha këto dhe duke njohur rrotacionin e pushtetit si shprehje normaliteti dhe pjekurie të demokracisë  se re shqiptare, dëshiroj të nënvizoj se kriza globale, konsumimi i qeverisjes, mashtrimet elektorale te kundërshtarëve,  interferencat antiligjore në  fragmente të caktuara të zgjedhjeve, siç ishin blerja e votës apo manipulimet e verifikuara në rrugë ligjore,  nuk janë e nuk do të trajtohen prej nesh si një jorgan i madh për të mbuluar shkaqet subjektive të rezultatit që morëm,  shkaqet që lidhen me punën dhe sjelljen tonë, me defektet, të metat dhe gabimet tona.

Diskutimet dhe debatet në këtë fushatë të zgjedhjeve në parti do të fokusohen me përparësi në  identifikimin e këtyre shkaqeve në funksion të një analize serioze,  shteruese dhe frymëzuese, që do të  jetë hapi i parë  i fillimit tonë  të ri me energji të reja, me forca të reja,  me synime të reja.  Ky diskutim i lirë dhe i hapur do të përfshijë  pa përjashtim të gjithë anëtarët e partisë demokratike, seksionet, grupseksionet,  konferencat dhe forumet e partisë.  Fushata do të jetë  kuvendi i madh i anëtarësisë së  Partisë Demokratike, do të jetë  ekskluzivisht kuvendi juaj, të dashur anëtarë të Partisë  Demokratike”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha një konference shtypi në selinë e PD-së.