Anxhela Tato
Dëshmia e Besnik Dervishit para prokurorëve: Nuk pashë lëvizje të dyshimta, kur mora automjetin
Rrëfimi i prefektit për 4 orë: Gardisti zbuloi lëndën plasëse, pas kontrollit me pasqyrë
Zbardhet dëshmia e prefektit të Vlorës dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pas neutralizimit të lëndës plasëse që iu gjet në makinë. Burime nga organi i akuzës tregojnë se Dervishi dyshon që ngjarja mund të jetë e lidhur me detyrën e tij, por ka mohuar ekzistencën e kërcënimeve ose probleme. Ai ka rrëfyer se ka udhëtuar të enjten në darkë nga Vlora për në Tiranë dhe në mëngjes ka vajtur në Kryeministri, ku kishte një takim me drejtuesin e Antikorrupsionit Ergys Hoxhën. Gjatë gjithë udhëtimit nuk ka ndjerë zhurma që ta bënin të dyshonte se automjeti kishte probleme. Udhëtimi ka vajtur i qetë dhe në makinë ka qenë vetëm. Prefekti ka qëndruar për gati katër orë para prokurorëve dhe përfaqësuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, ku ka përshkruar me detaje lëvizjen e tij. “Në ora 20:00 të darkës më kanë telefonuar që të vija në Tiranë për një punë. Kur kam marrë makinën nuk kam parë lëvizje të dyshimta dhe as gjatë udhëtimin nuk kam dëgjuar zhurma. Kur lënda plasëse u zbulua nga ana e gardistit, u tremba dhe u tensionova. Dyshoj se kjo ngjarje është e lidhur me detyrën time si prefekt dhe me ngjarje aktuale që po ndodhin në Vlorë”, – ka rrëfyer Besnik Dervishi. Ndërkohë që dyshimet e organit të akuzës janë se kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me shkarkimet nga detyra në Prefekturë nga Besnik Dervishi. Ndërsa një pistë tjetër është konflikti i pronësisë, si dhe mundësia e ndonjë akti terrorist.
Dëshmia
“Mbrëmjen e datës 12 dhjetor isha në zyrë duke punuar, kur më telefonojnë dhe më kërkojnë të paraqitesha në Tiranë për një punë. Ishte ora 20:00 e darkës dhe unë njoftova familjen që nuk do kthehesha në shtëpi atë natë, pasi më kishin thirrur në Tiranë. Zbres nga zyra dhe marrë makinën e parkuar poshtë punës dhe nisem për në Tiranë. Gjatë rrugës çdo gjë ka qenë e qetë dhe nuk kishte zhurma të çuditshme. Kam qenë i qetë dhe kur zbrita poshtë për të marrë makinën nuk kishte lëvizje të çuditshme dhe as pikasa gjë, nuk konstatova gjë poshtë makinës, pasi nuk kishte gjë. Nuk pashë asgjë poshtë punës kur morra makinën dhe nuk kishte lëvizje të dyshimta dhe as në makinë nuk ndjeva gjë zhurma që të dyshoja, pasi çdo gjë ishte në rregull. Të nesërmen në mëngjes telefonoj Ergys Hoxhën, shefin e Antikorrupsionit për t’u takuar dhe nisem drejt Kryeministrisë. Nuk po gjeja vend parkimi dhe futem në oborr të godinës, aty më del gardisti dhe unë i tregoj identitetin tim. Njoftoj Ergysin që kisha mbërritur, gardisti më kërkoi të zbrisja nga automjeti që të bënte procedurën e kontrollit. Pashë që ai morri pasqyrën dh po kontrollonte automjetin nga poshtë, kur pashë që ai u përkul dhe u zverdh pak në fytyrë. Më tha që kishte një lëndë ngjyrë kafe dhe njoftoi policinë. Unë u tremba dhe po rrija me Ergysin. U alarmuam dhe më shkonin shumë mendime në kokë. Më s’postuan dhe pashë momentin që bënë shpërthimin. Erdhën policë, drejtues të lartë policie, prokurorë dhe isha pak i hutuar dhe nuk mbaj mend çdo veprim. Më pas më shoqëruan këtu. Unë nuk kam as konflikte dhe as kërcënime. Nuk kam pasur probleme dhe nuk e di motivin, por dyshoj që kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me detyrën time. Makina është personale imja”.
Deklarata
Një ditë pasi Garda shmangu atentatin ndaj tij, prefekti i Vlorës Besnik Dervishi deklaron se makina ku u gjet e instaluar dhe u çaktivizuan 200 gr eksploziv C4 ishte në përdorim të tij. Paraditen e sotme, Prefekti i Vlorës ishte pranë Kompleksit “Jon”, i cili dje u shemb pjesërisht, por nuk pranoi të japë deklaratën për shtyp duke pasur në sfond kompleksin “Jon”. “Dua të shikoj të ardhmen, dhe tjetra i përket të shkuarës”, – është shprehur para gazetarëve. Prefekti Besnik Dervishi shprehu mirënjohje për mbështetjen, ndërsa shtoi se ka besim se institucionet dhe prokuroria do të zbardhin sa më shpejt ngjarja e djeshme. “Në radhë të parë, do të shpreh mirënjohjen për të gjithë ata miq që personalisht më shprehën solidaritetin. Falenderoj dhe institucionet Kryeministrin, zv./ministrat, deputetët që kanë qëndruar pranë meje. Ju orientova në drejtimin e së ardhmes së qytetit të Vlorës. Së bashku me agjencinë kombëtare të Planifikimit të Territorit inspektuam shëtitoren. Nuk kam koment për ngjarjen e së premtes, kam besim në institucionet e shtetit dhe prokuroria do e zbardhë sa më shpejt. Kjo nuk është replikë, por detyrë e institucioneve”, – tha Dervishi.
Hetimet
Karta SIM u dëmtua gjatë shpërthimit, eksplozivi iu vu në Vlorë
Shpërthimi i policisë ka dëmtuar kartën e celularit SIM, duke e bërë të pamundur aktivizimin e saj në ndonjë celular tjetër. E vetmja mënyrë sesi mund të zbulohet karta është me anë të identifikimit nga kodi 3 shifror dhe për këtë arsye karta i është dërguar kompanisë celularë AMC. Nga ana e policisë është në dispozicion vetëm kodi 12 shifror i celularit. I dëmtuar është edhe aparati celular, veshja e sipërme e tij ka shenja plasaritje si dhe ekrani. Aktualisht nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë duke u zhvilluar hetimet në disa pista, të cilat janë ngjarje e lidhur me detyrën e Besnik Dervishit, i cili vetë në dëshmi ka pohuar se ka pasur thjesht disa probleme të vogla. Siç bëhet me dije ngjarja dyshohet se mund të jetë e lidhur me shkarkimet nga detyra që ka bërë në prefekturë. Një pistë tjetër hetimore është përfshirja e Dervishit në një konflikt pronësi, për të cilin ende nuk ka shumë të dhëna. Akti terrorist është pista tjetër ku po zhvillohen hetimet, por nuk përjashtohet as mundësia qw kjo ngjarje të jetë e lidhur me Kompleksin “Jon”. Ndërkohë që ditën e djeshme grupi hetimore ka shoqëruar 5 persona, të cilët janë marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni rreth ngjarjes. Ndonëse nuk jepen shumë të dhëna rreth identitetit të këtyre personave, bëhet me dije se ata janë individë që kanë qenë të informuar rreth lëvizjeve të prefektit. Ndërkohë që nga hetimet e deritanishme përjashtohet mundësia që lënda eksplozive t’i jetë vënë automjetin natën e qëndrimit në Tiranë. Burime nga organi i akuzës e mohojnë në mënyrë kategorikë këtë fakt, duke u shprehur se makina nuk është prekur në asnjë moment që ka qëndruar gjatë natës e parkuar në rrugën e “Elbasanit”. Dyshimet janë që lënda plasëse është vendosur në Vlorë, ndonëse prefekti mohon të ketë parë lëvizje të dyshimta.
Policia shkatërroi provën më të rëndësishme, neutralizoi lëndën plasëse
Në njoftimin zyrtar Ministria e Brendshme tha: “Nga veprimet e kryera nga njësia antieksploziv dhe Njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit.” Realisht, në vendngjarje u mundësua shpërthimi i kontrolluar i eksplozivit, me anë të aparaturës që zotëron kjo njësi Antieksploziv në Policinë e Shtetit, e cila funksionon me anë të trysnisë së fuqishme të ajrit dhe ujit, që shkon deri në 12 bar. Burime pranë Policisë së Shtetit thanë se eliminimi i të gjithë pakos me tritol, me anë të ujit dhe ajrit, ka shkatërruar edhe provën me të rëndësishme, kartën e celularit e cila i përkiste një kompanie të njohur, por që nuk ishte e regjistruar zyrtarisht në ndonjë emër personi. Në fakt ky përbën një tjetër shqetësim, pasi grupet kriminale blejnë karta në tregun e zi dhe i përdorin për atentate. Ndërkaq, veprimi i djeshëm i njësisë Antieksploziv nxjerr edhe një herë në pah mungesën e theksuar të aparaturave të fjalës së fundit të teknologjisë, apo të ekspertëve të mirëfilltë e të superspecializuar, për të mos u bërë në fillim veprimi që mund të mbetet për në fund. Pra, nëse do të ekzistonte në Policinë e Shtetit, kjo aparaturë apo ky superekspert, tritoli i djeshëm do të çmontohej me kujdes dhe të ruhej si provë kyçe materiale, pasi atje mund të gjendeshin shenja gishtërinjsh apo të dhëna të tjera që mund të dilnin pas analizës në Laboratorin Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme. Deri kur të vijë ajo ditë kur rreziku të shmanget dhe prova të ruhet, duket se policia do të shkatërrojë lëndën shpërthyese me ajër e ujë.