Reagimi Prishja e ndërtesës te Ekonomiku, Gjonmarakaj kallëzon penalisht Tahirin, Didin dhe Dajtin

0
178

Pronari i ndërtesës së prishur i drejtohet prokurorisë, leja e ndërtimit ishte dhënë për 2 prej kateve të saj

Tiranë

godina te ekonomikuPas prishjes së ndërtesës 6-katëshe pranë godinës së Ekonomikut, Kol Gjonmarkaj i është drejtuar Prokurorisë me një kallëizm penal kundër tre zyrtarëve, ministrit të Brendshëm, z.Sajmir Tahiri; drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Artan Didi dhe kreut të INUK, z.Zyhdi Dajti. Sipas pronarit të kësaj ndërtese, edhe pas shkatërrimit me tritol të kësaj banese, ndërsa trualli i saj është rrafshuar tashmë dhe familja prej 6 pjesëtarësh ndodhet në qiell të hapur, kryefamiljarit Gjonmarkaj nuk i është vënë në dispozicion ndonjë dokument i INUK-ut apo Policisë për paligjshmërinë e ndërtimit apo ndonjë një vendim prishje. I ndodhur në këto kushte, babai i 4 fëmijëve ka kallëzuar penalisht në prokurori Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Artan Didi për shoqërimin e tij në policisë së bashku me familjen, si dhe drejtorin e INUK-ut Zyhdi Dajti për prishjen e ndërtesës. Pas këtij kallëzimi, Prokuroria i ka kërkuar INUK-ut dokumentacionin e plotë të prishjes së ndërtesës së kryefamljarit Gjonmarkaj. Nga verifikimi i dokumenteve të Gjonmarkajt, prokuroria konstatoi se ndërtesa kishte leje vetëm për dy kate dhe shkatërrimi i gjithë ndërtesës, është cilësuar si veprim i paligjshëm. Prishja e banesës, i ka sjellë 3 familjeve që banonin aty dëme të konsiderueshme.

Shkatërrimi

Më 21 tetor të këtij viti, përmes një shpërthimi me tritol, është realizuar shkatërrimi i godinës 5-katëshe pranë Ekonomikut, pronë e familjes Gjonmarkaj. Ditën e dielë paradite është realizuar shpërthimi, ndërsa pasdite është shembur gjithçka mbeti në këmbë me anë të fadromave apo mjeteve të tjera. Pas prishjes së saj, kanë reaguar familjarët e saj, të cilët u shprehën se dy prej kateve nuk ishin me leje ndërsa pjesa tjetër kishte leje të rregullt. Pronari i godinës Kol Gjonmarkaj deklaroi se ishte banor i Tiranës qysh prej vitit ’91 dhe se “këtë ndërtesë e kemi bërë me shumë sakrifica. Kjo ndërtesë është zhvilluar në mënyrë siç kanë ndërtuar të gjithë shqiptarët, me borxhe, me kredi. Eshtë me dokumente, me leje ndërtimi edhe nga Bashkia e Tiranës dhe i kërkoj edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës të prononcohet për këtë objekt. Kam ruajtur parametrat inxhinierike. Vetëm 2 kate janë pa leje. Unë nuk kam një letër zyrtare nga INUK, por këta duan ta shembin nga themelet. Unë kërkoj nga shteti që të më ndihmojë. Kërkoj drejtësi, të sistemohemi në këtë banesë jo të shkatërrohet kjo banesë. Mundi dhe djersa ime të mos shkojnë dëm. Jemi 3 vëllezër që banojmë këtu, 18 veta. Eshtë me leje tash 23 vjet këtu”.

 

 

Tiranë

Xhelal Mziu sot para gjykatës për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”

Sot pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës, për t’iu njohur masa e sigurisë “arrest me burg”,  Kryetari i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu, e cila është marrë pak ditë më parë në mungesë nga e njëjta gjykatë. Fakti konfirmohet nga burime pranë Policisë së Tiranës, ndërsa mësohet se në kërkim është edhe një tjetër zyrtar i lartë i kësja bashkie, me detyrë Drejtor i Drejtorisëe Juridike, për të cilin gjykata ka vendosur gjithashtu masën ‘arrest me burg’ në mungesë. Sipas policisë bëhet fjalë për shtetasin Aldi Hoti 37 vjeç. Kreu i Bashkisë së Kamzës ndodhet nën akuzë për dosjen penale të regjistruar pranë njësisë Task-Force mbi dyshimet e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”. Sipas prokurorisë, shoqëria “Gj. konstruksion” sh.p.k është penalizuar, pasi nuk ka pasur një vërtetim të lëshuar nga Bashkia Kamëz, me anë të se cilit duhet të vërtetohej se shoqëria kishte realizuar me sukses kontrata të ngjashme me Bashkinë e Kamzës. Në të njëjtën kohë, nuk gjendej autorizimi i administratorit për kontratën e marrjes me qira nga kjo shoqëri të një makinerie, e cila sipas komisionit të Vlerësimit të Ofertave është firmosur nga përfaqësuesi i shoqërisë. Gjithashtu, një tjetër shkelje që bashkia ka gjetur për të skualifikuar shoqërinë “Gj.Konstruksion” sh.p.k, është edhe një nga automjetet, që sipas komisionit të Vlerësimit të Ofertave nuk i plotësonte kushtet teknike. Pas kësaj, drejtori i Drejtorisë Juridike të Bashkisë Kamëz, Aldi Hoti, i ka kërkuar përfaqësuesit të subjektit që të vinte një ditë tjetër. Pas shumë përpjekjeve, përfaqësuesi i kësaj shoqërie nuk ka mundur të takohet asnjëherë me përfaqësuesit e bashkisë, të cilët kishin shpallur fituese të tenderit për rrugën firmën “E”. Pas kësaj, firma “Gj.Kons-truksion” është ankuar pranë komisionit të Prokurimit Publik dhe ka fituar të drejtën për ndërtimin e rrugës. Për të gjitha këto, Mziu është pyetur gjatë në prokurori, ku ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për veprimet që ka bërë drejtori i tij juridik, i cili vazhdon të jetë i shpallur në kërkim nga policia. Ndërkohë që nga policia mësohet se dy ditë më parë Xhelal Mziut i është gjetur një vulë e komisionit zgjedhor numër 27 të Kamzës, të përdorur në zgjedhjet e zhvilluara atje. Kjo vulë e procesit zgjedhor po verifikohet se ku është përdorur dhe mësohet se Mziu do merret në pyetje edhe për këtë provë të re që mund të jetë nisje e një tjetër hetimi në lidhje me zgjedhjet e mbajtura në Kamzë.

 

Elbasan

Kërkohej në Itali për prostitucion, arrestohet Bullari

Kërkohej në Itali për shfrytëzim prostitucioni, arrestohet në Peqin, Robert Bullari. Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se 42-vjeçari Robert Bullari, kërkohej në Itali, pasi gjykata e Velletrit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Policia e Elbasanit tha se ndaj Bullarit, Interpol Roma kishte lëshuar një urdhër arresti, pasi ndaj tij rëndonin akuza e “pjesëmarrjes në organizatë kriminale” dhe “shfrytëzim prostitucioni”. Uniformat blu kishin marrë informacione në rrugë operative se, 42-vjeçari Bullari kishte ardhur në Peqin dhe kanë organizuar aksionin për arrestimin e tij, për ekstraduar më pas në Itali.

Tiranë

Harrojnë pajisjen ngrohëse ndezur, merr flakë banesa

Një zjarr në një apartament në katin e pestë të një pallati në Rrugën e Dibrës në Tiranë, ka alarmuar banorët e tij, duke evakuaar banorët e një shkalle. Flakët kanë qenë të mëdha duke alarmuar banorët të cilët kanë lajmëruar forcat zjarrëfikëse, të cilat kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Përveç tyre mësohet se ka patur një përqëndrim të madh të forcave të policisë dhe një ambulancë, për raste emergjence. Pas kësaj zona u rrethua nga policia dhe banorët e disa apartamenteve u larguan nga banesat e tyre, pasi zjarri mund të ishte shkak për shpërthimin e ndonjë bombule gatimi në apartamentin që kishte marrë flakë. Por, brenda një kohe të shkurtër, situata u normalizua dhe nga zjarri pati vetëm dëme të vogla materiale. Shkak për rënien e zjarrit mësohet të ketë qenë harrimi i një pajisjeje elektrike i ndezur nga personat që banonin në atë apartament. Mësohet se ata banonin aty me qera dhe për fat të mirë nuk ndodheshin në shtëpi në momentin e rënies së zjarrit. Ndërkohë që orenditë e apartamentit nuk kanë pësuar dëmtime të shumta, pasi reagimi i forcave zjarrëfikëse të Tiranës ishte i shpejtë dhe efikas.