Largimi i paligjshëm i kapitalit nga Shqipëria

0
196

 Organizata jo-fitimprurëse “Global Financial Integrity” me bazë në Uashington publikoi dy javë më parë raportin vjetor mbi largimin e paligjshëm të kapitalit nga vendet në zhvillim. Ky raport analizon të dhëna për 187 vende, ku përfshihet edhe Shqipëria. Sipas raportit, Shqipëria ka humbur rreth 1 miliard dollarë gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, ndërmjet 2-3% të PBB-së. Joana Allamani e Zërit të Amerikës bisedoi me një nga autorët e raportit, ekonomistin Brian LeBlanc.

 

paraZëri i Amerikës: Le të fillojmë me konceptet bazë. A mund të na shpjegoni konceptin e largimeve të paligjshme financiare?

Brian LeBlanc: Largimet e paligjshme financiare janë largimet e parregjistruara të kapitalit nga vendet e zhvilluara apo në zhvillim, që është ose i paligjshëm në mënyrën se si fitohet, ose në mënyrën se si transferohet. Kjo përfshin nxjerrje jashtë vendit të kapitalit të siguruar nga një aktivitet tregtare, por që transferohet në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet transfertave bankare të paregjistruara, apo pagesave të paregjistruara tregtare, ose nëpërmjet korrupsionit dhe veprimtarive të paligjshme si trafikimi i drogës, apo trafikimi i qenieve njerëzore. Ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë se sa nga këto dalje të paligjshme financiare rrjedhin nga aktivitete të paligjshme dhe sa janë nga aktivitete të ligjshme por që transferimi bëhet në mënyrë të paligjshme.

 

Zëri i Amerikes: Sa i madh është problemi për Shqipërinë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit?

Brian LeBlanc: Shqipëria ka humbur rreth 1 miliard dollarë gjatë dekadës së kaluar. Kjo rreth 2 deri 3 për qind e PBB-së. Shifër është dukshëm më e ulët se mesatarja e vendeve të tjera evropiane në zhvillim, prej rreth 5 për qind. Shqipëria është më mirë se Serbia për shembull, ku daljet kanë qënë rreth 20 miliard dollarë gjatë dekadës së kaluar. Kjo nuk do të thotë se problemi nuk ekziston në Shqipëri.  Po ashtu Shqipëria ka të veçantat e saj dhe Serbia të vetat. Nga ana tjetër ne e kemi bërë të qartë se studimi im nuk mund të verifikojë dot gjithë aktivitetet që kryhen me para në dorë, ose pagesat që bëhen në këtë formë.  Pra, ne nuk jemi në gjendje për të përcaktuar saktësisht se sa ndikon ky lloj aktiviteti në Shqipëri, që mund të jetë jo i vogël.

 

Zëri i Amerikës: Cilat janë aktivitetet kryesore financiare që luajnë rol në daljen e paligjshme të kapitalit në Shqipëri?

Brian LeBlanc: Shohim se në Shqipëri, shumica kryhet nëpëmjet një procesi të quajtur mbifaturimi i importeve. Në thelb, importuesit në Shqipëri shënojnë shifra më të larta për importet aktuale, një mënyrë për të justifikuar ligjërisht pagesat jashtë Shqipërisë. Kjo gjithashtu rrit vlerën e prodhimit. Kështu që, këto korporata kanë një përfitim të dyanshëm: 1) munden të lëvizin kapital jashtë Shqipërisë në vende ku nuk do të taksohet, dhe 2) rrisin çmimin e mallrave të tyre, për të cilin paguajnë konsumatorët, njerëzit e zakonshëm shqiptarë që blejnë këto importe.

 

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj, ju e keni vërejtur një prirje në rritje të daljeve financiare të paligjshme, me ritëm më të lartë se PBB-ja, dhe vendet evropiane në zhvillim, grupi në të cilin përfshihet Shqipëria, me rritjen e tretë më të shpejtë në botë. Pse po shohim këtë prirje, dhe çfarë hapash mund të merren për ta zvogëluar atë?

Brian LeBlanc: Në terma reale, duke marrë parasysh inflacionin, largimet e paligjshme të kapitalit janë rritur rreth 10 për qind në vit gjatë dekadës së kaluar. Dhe sidomos për vendet e Evropës në zhvillim, është rritur si përqindje e PBB-së, një shifër e nxitur kryesisht nga Rusia. Vitin e kaluar, Rusia arriti t’ia kalonte Kinës si eksportuesja më e madhe e kapitalit të paligjshëm në vitin 2011, sidomos sepse është ekonomia më e madhe e Evropës në zhvillim. Arsyeja pse këto dalje janë rritur në mënyrë të qëndrueshme është sepse edhe vendet në zhvillim dhe vendet e zhvilluara nuk kanë marrë vendimet të politike që janë të nevojshme për shkurtimin e tyre. Një nga zbulimet më të rëndësishme të raportit është se ky nuk është problem vetëm i botës në zhvillim, dhe organizatat ndërkombëtare kanë filluar ta pranojnë dhe ta bëjnë të njohur këtë fakt. Ky është gjithashtu një problem i botës së zhvilluar, dhe patjetër, ka probleme në këto vende që shtyn largimin e kapitalit, si klima e dobët e biznesit, korrupsioni , por vendet e zhvilluara janë po aq bashkëfajtorë në marrjen e kapitalit dhe lehtësimin e situatës. Dhe kjo ka ndikim në tregun e zi.

 

 

Zëri i Amerikës: Çfarë efektesh kanë largimet e paligjshme financiare në një ekonomi në zhvillim?

Brian LeBlanc: Efekti më i madh që këto kanë është humbja e kapitalit. Shumë njerëz e konsiderojnë analizën tonë si arsye për ligje taksore. Po, ajo është një anë e rëndësishme e saj, por në qoftë se konsideroni se sa humbje kapitali kanë këto vende çdo vit, kjo ndikon shumë. Po të kishte qëndruar në vend, ky kapital do të ishte përdorur për të financuar aktivitetet biznesi, për të krijuar më shumë vende pune. Por në vend të kësaj, ai po largohet nga këto vende në zhvillim në vende me taksa më të ulëta. Dhe kjo i bën vendet në zhvillim më të varura në ndihma nga jashtë, burimet e jashtme për t’i ndihmuar në zhvillimin e tyre, kur në fakt, në qoftë se ata mund të ndalojnë këtë dlaje të kapitalit, ata vetë mund të fillojnë të financojnë zhvillimin e tyre. Pra, kjo dukuri ndikon në mënyra të ndryshme. Dhe përkatësisht, këto dalje të paligjshme financiare i shtohen 1 për qindshit ose 0.5 për qindshit më të lartë të njerëzve në vend, gjë që inkurajon pabarazinë ekonomike, e cila është biseduar nga shumë organizata ndërkombëtare, si dukuri që ndikon në zhvillimin e një vendi.

 

Zëri i Amerikës: Cilat janë rekomandimet që dë t’i jepnit ligjvënësve?

Brian LeBlanc: Çelësi është transparenca. Të sigurojnë mundësinë për të gjithë që të shohin të dhënat. Në mënyrë të veçantë, duke vënë në dukje se shumë kjo ka të bëjë me sistemin financiar të paligjshëm. Të identifikohen pronarët e një shumë prej këtyre kompanive fiktive që po shtyjnë këto rrjedhje kapitali, është çelësi. Kohët e fundit, vendet e G20-es kanë shprehur mbështetjen e tyre për shkëmbimin automatik të informacionit taksor. Nëse një vend si Shqipëria ose në shumë prej këtyre vendeve të tjera evropiane në zhvillim do t’i bashkoheshin nismës, do të ishte shumë e dobishme për të gjithë. Por ne duhet të jemi në gjendje të dimë se kush janë pronarët e këtyre kompanive fiktive, të cilët bëjnë të mundura këto veprime të paligjshme, dhe të marrin masat e duhura. Dhe ne kemi parë disa rezultate pozitive nga vendet e G20-es, por rezultatet duhet të pasqyrohen nga vendet evropiane në zhvillim, në mënyrë që të shohim ndikimin e këtyre rekomandimeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency