Anxhela Tato
Përgjegjësi penale për këdo që strehon dhe mban të fshehur në banesë Gazmir Markun
Nënkomisari Agron Halilaj kontroll në banesën e Markut, i cili dyshohet për grabitje
I dyshuari për grabitje plagos efektivin e policisë, ndërsa policia ka vendosur 5000 euro në dispozicion të çdo person që ka dijeni për vendndodhjen e Gazmend Markut. Patrulla e policisë kishte shkuar për kontroll në banesën e Gazmir Markut, pasi dyshohej se ai ishte autor i një grabitjeje me armë të ndodhur orë më parë në fshatin Hamallaj të Durrësit. Por, Marku menjëherë ka marrë automatikun dhe ka qëlluar në drejtim të patrullës së policisë duke lënë të plagosur oficerin e krimeve Agron Halilaj, 42-vjeç, me gradën nënkomisar. Në këto kushte, policia është kundërpërgjigjur me zjarr duke e plagosur Gazmir Markun, por ky i fundit, duke përfituar nga nata dhe terreni, ka mundur të largohet. Policia ka vazhduar të ndjekë gjurmët e gjakut të lëshuar prej tij dhe ka ushtruar kontrolle në disa banesa të afërta që mendohet se mund ta kenë strehuar. Policia ka paralajmëruar banorët e zonës se do të mbajnë përgjegjësi penale siç e parashikon ligji për ata që strehojnë dhe ndihmojnë persona të kërkuar, ndërsa u ka bërë apel qytetarëve të japin informacion mbi vendndodhjen e autorit të plagosjes, duke iu premtuar se do të ruhet plotësisht anonimati. Policia ka dhënë detaje edhe për arratisjen e autorit. Sipas informacioneve të fundit Marku u largua nga banesa me makinën e babait të tij menjëherë pas përplasjes me policinë. Nën vëzhgimin e policisë janë edhe mjekët apo veterinerët e zonës që mund t’i japin ndihmën mjekësore të kërkuarit, pasi janë gjetur gjurmë të një gjakderdhjeje të madhe. Ndërkohë ditën e djeshme Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit kanë vizituar në spital efektivin e policisë që mbeti i plagosur në aksion Agron Halili.
Ngjarja
Përplasje me armë zjarri mes policisë dhe një personi në zonën e ish-Kënetës. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur një oficer i policisë. Oficeri i krimeve Agron Halilaj 42-vjeç me gradën nën komisar ka marrë dy plumba një natë më parë gjatë një operacioni për kapjen e një të dyshuari për grabitje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:15 minuta në zonën e ish-Kënetës te shkollina numër tre. Mësohet se oficeri kishte shkuar për kontroll në banesën e Gazmir Markut i cili më pas ka qëlluar me armë tip kallashnikov në drejtim të patrullës së policisë. Autori i dyshuar më të parë punonjësit e policisë në derën e shtëpisë së tij ka rrëmbyer një automatik që e mbante pa leje dhe ka shtënë disa herë në drejtim të policisë, për pasojë oficeri Halilaj është plagosur me dy plumba në krah dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Oficeri i plagosur ka rrëfyer se me armë kallashnikov janë sulmuar disa oficerë policie nga i dyshuari. Mjekët e spitalit të Durrësit bëjnë me dije se i plagosuri Agron Halilaj është jashtë rrezikut për jetën. Gazmir Marku është larguar menjëherë nga vendngjarja. Burime policore bëjnë me dije se aktualisht është duke u zhvilluar një kontroll i organizuar dhe krehje e gjithë zonës së Kënetës për kapjen e autorit të ngjarjes. Gjatë gjithë natës janë kryer kontrolle në banesat e të afërmve të autorit por ende nuk ka një rezultat konkret për kapjen e tij. Policia ka ngritur postoblloqe në zonën e Kënetës dhe në autostradë.
Korçë
Bashkëpunoi në arratisjen e burgut të Drenovës, pranga Bledian Dedës
Arrestohet Bledian Deda, i cili akuzohet se ka dhënë ndihmë për arratisjen e 7 të burgosurve nga burgu i Drenovës, ngjarje e ndodhur në datën 24 nëntor. Policia e Korçës ka bërë të ditur se mesditën e djeshme është vënë në pranga 26-vjeçari Deda, banues në Kodër Kamëz. Deda ka qenë në kërkim që prej datës 14 dhjetor. Gjykata e Korçës kishte caktuar ndaj Dedës masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “mbajtja pa leje e armëve luftarake” dhe “largimit të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Ky person iu ka dhënë ndihmë shtatë të dënuarve, të cilët u arratisen nga burgu i Drenovës. Aktualisht shtatë të arratisurit Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lula, Artur Gora janë rikthyer në burg, pasi u arrestuan në një hark kohor brenda një jave nga arratisja. Asokohe arratisja e këtyre personave alarmoi strukturat shtetërore, pasi këta të dënuar konsiderohen tepër të rrezikshëm si dhe ishin të armatosur. Për ngjarjen pati një sërë masash, si shkarkime, arrestime. Ndërsa si autorë të planit për arratisjen kanë rezultuar Admir Tafili dhe Fran Marashi.
Itali
Vrasja e Shkëlqim Malajt, vrasësit kolegë të viktimës
Policia italiane thotë se ka arrestuar dy autorë të vrasjes së shqiptarit Shkëlqim Malaj, trupi i të cilit u gjet i masakruar dhe i hedhur në një fushë në Verdellino në Bergamo të Italisë. Mediat italiane shkruajnë se të arrestuarit të dy shqiptarë, A. S, 36 vjeç i arrestuar në Vercelli dhe M. K., 29 vjeç u arrestuan në Cambiago, të cilët punonin me viktimën. 38-vjeçari i cili punonte si murator ishte goditur me shkopinj apo hekura, që e kishin shpërfytyruar fytyrën duke e bërë të vështirë identifikimin. Bashkëshortja ka rrëfyer në polici se i shoqi ishte zënë me dy të arrestuarit pak ditë para vrasjes. Mbrëmjen e 7 dhjetorit Shkëlqim Malaj kishte dalë nga shtëpia, duke treguar bashkëshortes se kishte marrë një telefonatë dhe do të zhvillonte një takim për të larë hesapet. Të tre ishin dehur dhe më pas kishin nisur sherri. Analiza e tabulateve telefonikë ka lejuar policinë të bjerë në gjurmët e të arrestuarve. Trupin e pajetë e gjeti një çift, burrë e grua, banorë të zonës, që të dielën 8 dhjetor 2013, në orën 07:55 minuta kishin nxjerrë qenin për shëtitje. Ata ishin duke shëtitur në rrugën Garibaldi, një rrugë pa krye, që zakonisht përdorej nga çiftet e reja. Por duke shëtitur ata kishin parë diçka në fushë.