Në të njëjtën mënyrë si erosi, vdekja është një nga temat e privilegjuara të letërsisë, e cila e përshkruan, e vendos në një sistem të ndërlikuar, e mvesh me vlera etike dhe simbolike. Ajo ngarkohet nga njeriu me aq shumë domethënie (më gjasë, edhe më shumë se erosi) sa do të ishte e pamundur të përmendeshin të gjitha, domethënie që e kanë prejardhjen nga kultura dhe ndërgjegjja kolektive. Në letërsi, “erashka” simbolike që e shoqëron mbushet ndoshta edhe me më shumë ngarkesë.
Thanatos
Në mitologjinë greke, Thanatos është hyu i vdekjes dhe shfaqet si një plakush mjekërmadh e me flatra, ose i mbuluar nga një mantel i zi. Thanatos përmendet pothuajse përherë bashkë me Erosin, hyun e dashurisë. Që të dy janë polet e një mekanizmi që rregullon mbarë ekzistencën, atë që Frojdi më vonë e quajti “parimi i vdekjes” dhe “parimi i kënaqësisë”. Erosi krijon jetën, Thanatosi e shkatërron; Erosi afron, Thanatosi largon; Erosi bashkon, Thanatosi ndan përgjithmonë. Por në lojën e kulturave, domethëniet edhe mund të përmbysen. Le të shohim si rrëfehet tema e vdekjes në disa autorë të caktuar.
Ugo Foskolo
Vizioni foskolian mbi vdekjen sa vjen e përvijëzohet më hapur në mënyrë përherë e më të qartë përmes leximeve të poezisë së tij. Në sonetin “Mbrëmjes”, shkruar në vitin 1803, fillon e merr jetë një bindje materialiste që pastaj bëhet më e shpërfaqur në veprën më të rëndësishme, “Mbi Varrezat”. Shprehja e përdorur për të përcaktuar të përtejmen, quajtur “hiçi i përjetshëm”, tregon se për poetin, pas vdekjes nuk ka më asgjë. “Mbi Varrezat”, vitet 1806-07, është një debat i hapur mbi ligjet e reja napoleoniane në lidhje me varrezat (dekreti i Shën-Klodit, 1804), të cilat duhej t’i kaloheshin Italisë. Me trajtimin e temës së vdekjes, Foskolo ndërkallet në rrymën e Shtatëqindës të poetëve metafizikë anglezë (Thomas Gray), por shpreh një materializëm të fortë: njeriu bën pjesë në ciklin e natyrshëm ku ka një ndërrim të vazhdueshëm të gjërave, për të cilin çdo gjë lind dhe është e thënë të vdesë, vazhdimisht. Mesazhi përfundimtar i poetit është të pranosh vdekjen si fat të natyrshëm të njeriut. Por nga ana tjetër, ky pranim nuk duhet të lejojë që njeriu të jetojë në mënyrë pasive, sepse megjithatë, është e mundur të bësh rrugën e historisë drejt një evolucioni të caktuar. Në këtë kuptim, kujtesa (e njeriut në veçanti dhe e shoqërisë në përgjithësi) është një element i rëndësishëm kërcënimi kundër harresës dhe hiçit drejt të cilit na çon vdekja. «Monumentet e panevojshëm për të vdekurit u vijnë për hosh të gjallëve, sepse zgjojnë ndjenja virtuoze të lëna trashëgim nga njerëzit për së mbari” (letër e datës 26 qershor 1807 për abatin Eme Gijon)
Alesandro Manzoni
Murtaja e Të fejuarve përfaqëson mjetin e vdekjes përgjatë gjithë romanit. Përsa i përket kësaj, personazhi dhe rrëfyesi kanë këndvështrime të ndryshme që bëjnë të qartë kredon manzoniane, në lidhje edhe me problemet etiko-fetare. Klasikisht, ose më mirë: sipas biblës, murtaja është një “fshikullimë prej Zotit”, një dukuri me funksion purifikues që mbërrin në mënyrë ciklike për të ripastruar tokën nga e keqja dhe të ndëshkojë njerëzit mëkatarë. Manzoni nuk e kundërshton aspak këtë pikëpamje të vdekjes në romanin e vet, por as nuk e pranon tërësisht. Në fakt, ndryshe nga shumë çështje të tjera mbi të cilat shpreh drejtpërdrejt mendimet e veta, në këtë rast ai e lë çështjen të hapur, duke vënë në gojën e personazheve vetëm disa interpretime. Kështu, për Don Abondion, murtaja është si një “fshesë” që ripastron tokën; për At Kristoforin herë është një “ndëshkim”, herë përdëllim. Ama motivet bazë të çështjes kapërcehen, kalohen, sipas një qëndrimi tipik iluminist, prandaj dhe analizohen në mënyrë të hollësishme “shkaqet kryesore” të një fenomeni, pa hulumtuar “shkaqet dytësore”. Rrëfyesi, me zërin e vet, priret të thjeshtojë çështjen duke ndjekur një interpretim providencial, për të cilin “gjithçka është mirë kur mbaron mirë”. “Qe një kamzhik i rëndë kjo murtajë; por edhe një fshesë; na fshiu ca disa njërëz, o bijtë e mi, nga të cilët nuk po çliroheshim dot”
Xhakomo Leopardi
Koncepti leopardian i vdekjes shpërfaqet në mënyrë të qartë nga tërësia e veprave të tij dhe lidhet me konceptin që kishte ai për jetën dhe për dhimbjen. Te Zibaldone, dhimbja moderne i kundërvihet dhimbjes së lashtë: nëse më parë ajo interpretohej si një ndëshkim hyjnor, tashmë shihet si një element i përhershëm që shoqëron jetën e njeriut, një e keqe e pashmangshme para së cilës duhet të dorëzohesh. Prandaj, kuptohet se, në të kundërt me jetën ku mbizotëron dhimbja, sëmundja dhe ndjesia e pathemelsësisë së ekzistencës, vdekja merr konotacione pozitive. Te Dialogu i Federico Ruysch-it dhe mumjeve të tij, kori i të vdekurve shpreh pikërisht këtë koncept: vdekja është një moment pa dhimbje dhe i qetë, që shenjon, në mos fillimin e lumturisë, të paktën fundin e dhimbjes. «Në ty, o vdekje, prehet / Natyra jonë cullake, / E lumtur jo, por e sigurt / Nga dhimbja e lashtë» (Dialogu i Federico Ruysch-it dhe mumjeve të tij) «Ekzistenca në asnjë mënyrë nuk ka për qëllim as kënaqësinë dhe as lumturinë e kafshëve» (Zibaldone) «Ekzistenca është një e keqe për të gjitha gjërat që përbëjnë universin» (Zibaldone)
Honore de Balzak
Koncepti cinik i historisë dhe marrëdhënieve njerëzore që Balzaku shfaq në Komedinë Njerëzore të tij, prek edhe temën e vdekjes. Në romanet e tij, pjesa më e madhe e personazheve vepron duke u nisur nga qëllime egoiste, nga një luftë e mbrapshtë për mbijetesë dhe mesazhi i gjithë veprës së tij, me hir a me pahir, është se, mirësia, bujaria dhe ndjenjat, edhe pse janë vlera shumë të larta, nuk kanë vend në shoqërinë njerëzore dhe janë parathënë të shkërmoqen nga të tjera vlera. Mes këtyre: arrivizmi, pushteti dhe sipërfaqësia. Në një tablo kaq negative të mekanizmave shoqërorë, vdekja nuk mund të mos bëhet një nga çastet më kulminantë të rrëfimit, ku shfaqet me qartësinë më të madhe degjenerimi i sistemit shoqëror. Marrim një shembull: romani Xha Gorjoi është historia e një njeriu, me mentalitet tipik borgjez, i cili ia del në një farë mënyrë të çajë në jetë. Edhe pse është me prejardhje të varfër, ka dy vajza të mrekullueshme, të cilat arrin t’i fusë në shoqërinë e lartë aristokratike, sepse është i pasur. Por modeli i jetës që u ka dhënë të bijave e shpërblen me të njëjtën monedhë: kur vdes, i vetëm në një pension të varfër, asnjëra nga të bijat nuk është te koka e tij; vetëm njëra nga të dyja kalon ta takojë, por vetëm për t’i kërkuar para që të shkojë në ballo. I vetmi vëzhgues i kontradiktës së jetës së zotit Gorjo është Rastinjaku, i cili merr mësim nga kjo ngjarje për të forcuar më tepër cinizmin e vet. “Paraja blen gjithçka, madje edhe bijat. Oh! Ku janë paratë e mia? Po të kisha thesare për t’iu lënë, do të kujdeseshin për mua, do të më ndodheshin pranë. Do t’u dëgjoja zërin, do t’i shihja. […]. Që të dyja e kanë zemrën prej guri. Dashuria ime për to ishte shumë e madhe për t’u ndërruar me tjetër gjë. Një baba duhet të jetë përherë i pasur, duhet t’i mbajë fëmijët nën frerë, si kuaj që nuk mund t’u zësh besë“.
Emil Zola
Në veprën e Zolait, vdekja merr përparësi në romanet e veçantë se sa në tërësinë e veprave të tij. Një nga më përfaqësuesit në këtë kuptim, është padyshim Nanà. Ky roman, i shkruar në 1880, është historia e një vajze të llastuar e mantenutë, e cila vetëm për bukurinë e saj, arrin të bëhet një nga personazhet më të rëndësishëm dhe përfaqësues të jetës shoqërore mondane të periudhës historike në të cilën jeton, në Perëndorinë e Dytë. Gjithë figura e saj pra, është një metaforë e débauche të shoqërisë franceze nën qeverisjen e Napoleonit III. Vdekja e Nanàsë, e rrëfyer në faqet e fundit, bëhet një metaforë e fundit të asaj periudhe historike: trupin e saj e ruajnë prostituta të shoqërisë së lartë në Perandorinë e Dytë, ndërsa nga dritarja dëgjohet: “Në Berlin! Në Berlin!”, të bërtiturat e luftës së famshme franko-prusiane, e cila shenjoi edhe mundjen e tmerrshme franceze në Sedan. Mesazhi i Zolait është i qartë dhe i pangatërrueshëm: Franca, e cila nën regjimin e Napoleonit III jetoi në skandale dhe në kënaqësira si një prostitutë, është mundur në mënyrë të pashmangshme nga Prusia. Vdekja bëhet kështu, një mjet mesazhi që, siç ndodh përherë me Zolanë, ka ngarkesa politike.
Lev Nikollajeviç Tolstoj
Aty nga viti 1880, shkrimtari tregon një reflektim të tijin mbi kuptimin e jetës dhe vlerave të ekzistencës, të cilat duken edhe në tregimin e vitit 1886, Vdekja e Ivan Iliçit. Tregimi është një denoncim i shurdhët i gënjeshtrës dhe hipokrizisë së shoqërisë borgjeze burokratike, e cila duket se vihet në lëvizje nga mekanizma dhe marrëdhënie shumë të rrepta, por që në fund del se ëhstë zhgënjyese dhe e rreme. Protagonist është një funksionar i cili gjatë gjithë jetës ë vet asimilon dhe i bën të etët këto mekanizma e rregulla, aq sa beson se gjen kënaqësi e vetërealizim, por që bëhet i vetëdijshëm, nëpërmjet përvojës së dhimbshme të sëmundjes e pastaj të vdekjes, për gabimin e tij fatal. Vdekja në këtë rast, shfaqet si një çast çlirues dhe jo i lumtur, sepse lejon shkëputjen nga etiketat dhe nga opinionet që të ngjesh bota e jashtme, duke na hequr qashtërsinë dhe aftësinë për të provuar ndjenja autentike. “Ndoshta nuk kam jetuar siç duhej,” i erdhi befas në mendje. “Por unë gjithnjë sipas rregullave kam vepruar?” i tha vetes së vet dhe përzuri menjëherë, si diçka krejtësisht të pamundur, atë zgjidhje të vetme të enigmës së jetës e të vdekjes” «Dhe kur donte të mendonte se gjithë kjo ndodhte ngase nuk kishte jetuar siç duhej […], menjëherë ndërmendte se kishte jetuar përherë sipas rregullave dhe e përzinte atë ide të çuditshme”
Marsel Proust
Në Në kërkim të kohës së humbur, vdekja është një element që ndan, që krijon dhimbje dhe që lë një bosh. Por kësaj domethënieje të vdekjes, e cila nuk është nga më origjinalet, i bashkangjitet edhe një tjetër, shumë më interesante, të cilën mund ta shohim në rastin e vdekjes së Bergotit, shkrimtarit. Vdekja e tij përshkruhet në vëllimin E burgosura: shkrimtari, i cili ka probleme me stomakun, shkon në një ekspozitë arti, por ndërsa vëzhgon tablotë e nxjerra aty, një dhimbje e fortë i shkakton vdekjen në mënyrë të papritur. Pasazhi i këtij përshkrimi është interesant, sepse tregon, sipas Prustit, se figura e njeriut dhe e artistit janë dy gjëra shumë të dallueshme nga njëra-tjetra: në të vërtetë, nëse njeriu vdes, edhe në mënyrë jo shumë dinjitoze, ndoshta se nuk i janë tretur mirë patatet si në rastin e Bergotit, është gjithashtu e vërtetë që, përkundrazi, artisti nuk humbet aspak nga dinjiteti i vet dhe vazhdon të jetojë në përjetësi, në kujtesën e njerëzve që e kanë dashur dhe në veprën e tij. Me fjalë të tjera, arti është i aftë t’ia rijapë jetën njeriut, dhe në këtë domethënie të tijën ka edhe funksionin më të rëndësishëm për njerëzimin. “E varrosën, por gjatë gjithë natës funebre, nga raftet e ndriçuar, librat e tij, të radhitur në grupe prej tre syresh, ruanin si engjëj me krahë të hapur dhe ngjanin, për atë që nuk ishte më, simbol i ringjalljes së tij“.
Përgatiti: Elvana Zaimi