Reforma administrative në Kuvend Mazhoranca do ta mbyllë brenda 6 muajve: Nëse opozita refuzon, vendosin votat e shumicës

0
128

Gëzim Saliu

 

4 deri në 5 ligje do të preken nga reforma administrative. Çuçi: Ndryshojmë hartën e Shqipërisë

 Sot në Konferencën e Kryetarëve vendoset edhe ngritja e komisionit bipartizan për reformën territoriale

 

KUVENDI 22Mazhoranca dërgon në Kuvend nismën për ngritjen e komisionit bipartizan për reformën administrative-territoriale. Të majtët kërkojnë që ta mbyllin këtë reformë brenda 6 muajve, duke e cilësuar këtë çështje si një prej angazhimeve kryesore të qeverisjes në 300 ditë. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, bëri të ditur dje se reforma territoriale do të rindërtojë hartën e Shqipërisë si edhe njëkohësisht do të ndryshojë edhe disa ligje për të pasur, sipas tij, një ndarje të re të kompetencave për pushtetin vendor. “Ne do të krijojmë një paketë të tërë ligjore për të bërë të mundur që më në fund edhe në Shqipëri që ato që shkruajmë, t’i zbatojmë bëjmë realitet. Kjo do të bëhet duke vendosur raporte të reja territor-administratë-popullsi, kompetenca, organe të zgjedhura”, – tha ai për “VP”.

 

Reforma

Duke nënvizuar domosdoshmërinë e reformës administrative-territoriale, ministri Çuçi bëri të ditur dje se mazhoranca do të kërkojë konsensusin e opozitës. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se nëse të djathtët nuk do të shprehin konsensusin e tyre lidhur me këtë reformë, mazhoranca do të vërë në lojë votat e shumicës së cilësuar. “Nevoja që ka Shqipëria për të riparë hartën e vet administrativo-territoriale e justifikon plotësisht aksionin e qeverisë për të bërë një reformë të tillë territoriale. Sikundër justifikon edhe besimin që qytetarët i kanë dhënë mazhorancës në këtë rast për të bërë reforma të tilla që kërkojnë mazhoranca të kualifikuar që quhet”, – deklaroi ministri. Reforma administrative-territoriale pritet të sjellë përplasje të mëdha mes palëve politike në vend. Marrë shkas nga fakti, mazhoranca qeverisëse e ka përcaktuar këtë reformë si domosdoshmëri, opozita ka shprehur më parë qëndrimin e saj, duke kërkuar që kjo reformë të kryhet nga Parlamenti dhe jo nga qeveria. Po ashtu, të djathtët kanë bërë të ditur se reforma administrative sjell me vete edhe ndryshimin në Kodin Zgjedhor. Sipas asaj që ka parashikuar deri më tani qeveria, drafti i reformës së re administrative bën që të humbasë koncepti i organizimit të njësive vendore mbi ndarjen në zona rurale dhe urbane dhe do të përfshihet termi i ri i emërtuar njësi funksionale. Në bazë të skemës së përcaktuar në draft, procesi i ndarjes së re administrative-territoriale në njësisë funksionale do të nisë nga rrethet, ku do përcaktohen 36 qendra urbane gjithsej. Ndërkohë, sa u përket bashkive në vend, varianti i draftit përcakton se për to numri maksimal i popullsisë do të jetë në 30 mijë banorë e ndërsa për zonat rurale në 20 mijë banorë. Në fund për zonat e vogla rurale, parashikohet që ato të përmbajnë jo më pak se 10 mijë banorë.

 

Ndarja administrative sipas draftit të qeverisë

36 rrethe do të ketë i gjithë territori shqiptar

30 mijë banorë do të jetë numri maksimal i bashkive rurale

20 mijë banorë do të jetë numri maksimal i njësive rurale

10 mijë banorë do të jetë numri maksimal i njësive të vogla rurale

 

Vendimet e qeverisë

Ndryshon lista e financuesve të terrorizmit, ripërtërihet leja e fibrave optikë Bari – Gjiri i  Lalzit. Lista e personave të shpallur si financues të terrorizmit do të ndryshojë. Vendimi i Këshillit të Ministrave i marrë dje në mbledhjen e qeverisë parashikon disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave. “Vendimi i qeverisë ka si qëllim përditësimin e listës së miratuar të personave të shpallur si financues të terrorizmit me listën e shpallur si të tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, thuhej në vendimin e qeverisë. Ndërkohë, një tjetër vendim i miratuar dje ishte edhe ai për një ndryshim në vendimin nr. 840, datë 21.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtar me fibër optik Bari (Itali) – Gjiri i Lalzit (Shqipëri) (projekti Balkans – Itali Network)”, të ndryshuar. Sipas këtij vendimi, ripërtërihet afati i lejes, deri në shkurt 2017, për realizimin e shtrimit të fibrës optike nënujore, e cila, do të ketë si pikë nisjeje qytetin e Barit në Itali dhe si pikë hyrëse Gjirin e Lalzit në Shqipëri. Një tjetër vendim i miratuar dje nga Këshilli i Ministrave është për përcaktimin e modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor. Po kështu, qeveria ka marrë vendimin dje “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjeorgjisë, për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit”. Me vendim të Këshillit të Ministrave u liruan nga detyra dy anëtarë të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, për shkak të përfundimi të mandatit, si dhe janë mandatuar dy anëtarë të rinj.

 

 

Takimet për punë

Mbushet selia e PS-së nga qytetarët

Ashtu si çdo ditë në këtë fillim viti, në selinë e PS-së, janë paraqitur dje një numër i madh qytetarësh, të cilët duke marrë për bazë grafikun e vendosur në këtë ndërtesë, kanë pritur për takim me ministrin e radhës. Ditën e djeshme ishte radha e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, i cili nuk u paraqit në seli, ku, sipas asaj që u mësua, shkak për këtë mungesë ishin angazhimet e shumta për shkak të detyrës. Mbi 50 qytetarë kishin regjistruar emrin për t’u takuar me ministrin, kërkesa kryesore e të cilëve sigurisht ishte ajo për t’u punësuar. Takimet e ministrave në selinë e PS-së si edhe deputetëve në zyrat e tyre elektorale janë kërkuar më parë nga Kryeministri Rama, i cili ka kërkuar më shumë komunikim me qytetarët lidhur me problemet dhe ankesat e tyre.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency