Polovina nxjerr letrat: Pse s’u lejua Kadare në kongresin e Parisit

0
243

Studiuesi Ylli Polovina, në vazhdën e të dhënave që gazetari Dashnor Kaloçi ka publikuar për refuzimin e Ismail Kadaresë në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të Federatë-Klubit Internacional të Shkrimtarëve P.E.N., i cili do të mbahej në Paris nga 21 deri më 25 shtator 1981, hedh dritë mbi disa fakte të pathëna.

Sipas tij, çështja e Kadrie Kadaresë, nuk ndikon në penalizmin e shkrimtarit, në këtë rast, pasi ngjarjet kanë distancë të ndjeshme në kohë. Të vërtetat dhe ato që janë lënë pa u thënë, sipas Polovinës, radhiten në shkrimin e tij të mëposhtëm. 

Ylli Polovina
Ylli Polovina

NGA YLLI POLOVINA

ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETËM NGA E VËRTETA

Shoqëritë dhe kombet kanë aftësi vetëruajtjeje të kujtesës së tyre historike prej cenimeve të shpeshta që i vijnë nga të shumëpushtetshmit. Kjo ndodh edhe në Shqipëri. Një pjesë të këtij procesi shpëtues dhe rigjenerues e kryejnë në media kontribuues të veçantë, pikërisht duke e ditur që në ekrane dhe faqe gazetash pushton hapësirë manipulimi i historisë (në rastin më të zi) dhe në rastin më të zbërthylët, cektësia dhe pasaktësia. Pra, vetëm mirinformimi i paanshëm rreth një ngjarjeje apo personi protagonist është mënyra më racionale, njëkohësisht edhe më e dobishmja, për ruajtjen e memories kolektive. Ismail Kadare, duke filluar nga fundi i viteve pesëdhjetë të shekullit të shkuar, është bërë pjesë tepër e rëndësishme e jetës dhe e historisë së shqiptarëve.

Me sa duket, ajo do ta dominojë jo vetëm edhe këtë shekull të parë të mijëvjeçarit të tretë, por edhe shumë kohë më pas. Pavarësisht si i pëlqen vetë Kadaresë apo disa ndjekësve, varianti i ngulitjes në memorien kolektive të gjurmës së tij ia rrit shtatin historik vetëm një rrëfim dhe interpretim i sinqertë. Format e tjera ia mpakin. Më lejoni, që në mirëkuptim me këtë tezë, t’i përcjell lexuesit bashkëkombës një vëzhgim plotësues mbi çfarë, për Ismail Kadarenë dhe raportet e tij me pushtetin komunist, studiuesi Dashnor Kaloçi për shumë ditë e ditë me radhë po i kumton opinionit nga e përditshmja me jo pak auditor nacional dhe po ashtu me emër të mirë, “Gazeta Shqiptare”.

Prej atij volumi pune të palodhur, tashmë të mishëruar në një libër të ri të tij, po shkëputim vetëm një tematikë. Bëhet fjala për ndalimin e shkrimtarit të shumënjohur Kadare që të merrte pjesë në Kongresin e 45-të Ndërkombëtar të federatë-klubit internacional të shkrimtarëve P.E.N., i cili do të mbahej në Paris nga 21 deri më 25 shtator 1981. Pjesëmarrjen e Ismail Kadaresë në të e pati dëshiruar dhe shprehur me një letër të veçantë e plot njohje dhe respekt profesional, vetë kryetari i këtij klubi të njohur emrash të famshëm, René Tavernier, poet francez i shquar i rezistencës antifashiste dhe mik i ngushtë i poetit tjetër, Luis Aragon, komunist i grupit surrealist që nga moti 1917 e deri sa vdiq.

Aragon është pëlqyer, publikuar dhe promovuar dukshëm në Shqipërinë e regjimit të PPSH-së dhe të Enver Hoxhës. Ftesa e Tavernier, siç edhe korrektësisht e paraqiti të plotë studiuesi Kaloçi, u hartua dhe iu dërgua Ismail Kadaresë, me adresë Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë, më 6 maj 1981. Lidhja reagoi zyrtarisht më 11 korrik 1981 me një letër të kryetarit të saj, Dritëro Agolli, me adresim Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Agolli, pas pjesës informuese, i propozoi këtij institucioni që Kadare të merrte pjesë në këtë kongres të P.E.N., por më në fund, pas një vajtje-ardhje shkresash, nënministri i Jashtëm Ksenofon Nushi e ndaloi praninë e shkrimtarit.

SIPAS KOLEGUT DASHNOR KALOÇI

Para se Kaloçi të paraqiste paketën dokumentare të përzgjedhur prej tij, e parapriu publikimin e tyre të shkruar me një interpretim hyrës dhe doemos ndikues, sipas të cilit “Nuk dihet me saktësi, nëse është thjesht një koincidencë fatale, por plot një muaj para se t’i vinte ajo ftesë (3 prill 1981), shkrimtari Ismail Kadare është thirrur në Komitetin e Partisë të Tiranës nga sekretari Xhelil Gjoni, lidhur me “një grup armiqësor” ku ishte “implikuar” e motra e tij, Kadrie Kadare.

Dhe kësisoj, në atë atmosferë të ngjarjeve, ku bëhej fjalë se personat me të cilët “ishte pleksur” e motra e Kadaresë kishin thënë “gjëra monstruoze për Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”, miratimi i lejes për të ikur jashtë Kadareja do të ishte “një luks”, që “shokët e udhëheqjes” nuk do të kishin këllqe ta mbanin. Sidomos kur bëhej fjalë për “Komandantin”! Saktësojmë: Ftesa e Renë Tavernier është e 6 majit 1981, jo e 3 prillit të këtij viti. Saktësojmë, po ashtu, se Ismail Kadare u thirr në komitetin e PPSH-së për Tiranën jo një muaj, por dy vite më parë nga çasti kur mbërriti në Tiranë ftesa e P.E.N. Këtë ai e ka shkruar me dorën e vet në letrën drejtuar Enver Hoxhës, më 2 prill 1980 (“Ka një vit që disa ngjarje të njëpasnjëshme e kanë shtrembëruar këtë komplikim.

Faksimile të dokumenteve që tregojnë arsye të penalizimit të shkrimtarit për të shkuar në Paris, 1981
Faksimile të dokumenteve që tregojnë arsye të penalizimit të shkrimtarit për të shkuar në Paris, 1981

Ai nuk është i shkëputur nga ato që parashkrova në fillim të kësaj letre. Vitin e kaluar më thirrën në Komitetin e Partisë së Tiranës për të më njoftuar se motra ime flet keq politikisht dhe se është thirrur edhe në hetuesi për këtë gjë”). Pra, ngjarja e tërheqjes së vëmendjes së shkrimtarit të njohur ndërkombëtarisht për të frenuar dhe përmbajtur të motrën është e vitit 1979.

Kështu, si pasojë e një gabimi (urojmë të mos jetë i qëllimshëm vetëm për të argumentuar në mënyrë të sforcuar tezën e tij të lidhjes thelbësore të refuzimit të pjesëmarrjes në kongresin e Klubit P.E.N. me një valë të përndjekjes së Ismail Kadaresë prej udhëheqjes së Partisë së Punës) Kaloçi hapi një “gap”, një distancë, të paktën pesëqindditëshe. Kështu, asnjë lidhje imediate nuk mund të kenë këto ngjarje me njëra-tjetrën. Në vijim të interpretimit të tij hyrës, studiuesi shkroi: “Gjithsesi, refuzimi i kësaj ftese për Kadarenë, nuk do të ishte as e para dhe as e fundit.

 

Pasi, siç do të shohim edhe në kapitujt pasardhës të këtij libri, për plot një dekadë, deri në 1991-shin, shkrimtari Ismail Kadare do të ishte vazhdimisht “i refuzuar” nga Tirana zyrtare në të gjitha ftesat që i vinin nga jashtë”. Me sa kemi nënkuptuar prej botimit ciklik të fragmenteve të librit, gjithçka është më e qartë se ky gjykim i tij këtë rast shumë kategorik, pra se shkrimtarit i janë refuzuar të gjitha ftesat dhe për pasojë, duke njohur rregullat e ashpra të kohës, ai nuk ka mundur dot të ishte i pranishëm në asnjë rast në Francë.

Sepse e vërteta është shumë ndryshe. Ka pasur rrallim të lejeve, por jo shterim total të tyre. Besojmë se është në kufi absurditeti që kjo periudhë censurimi të egër nga kolegu Kaloçi të shtrihet deri në vitin 1991, sepse në fundshtator 1990 shkrimtari i madh kreu arratisjen e tij politike. Pra ishte në Francë. Kreu këtë kohë i Ambasadës Shqiptare në Paris, Arqile Semini, në librin e tij “Misioni i fundit”, Tiranë nëntor 2002, dëshmon se në fillimvjeshtë 1990 ia ka dhënë ai vizën Klod Dyranit, drejtorit të shtëpisë botuese “Fayard”, për të shkuar në Tiranë dhe marrë personalisht, për ta sjellë në Francë, Ismail Kadarenë.

Ndërkaq, vetë shkrimtari në një intervistë dhënë në londinezen “The Paris Review”, një vit më parë, në shtator 2016, pyetjes së intervistueses “Pas suksesit të librave tuaj në Perëndim, ju mund ta lëshonit vendin. A keni provuar ndonjëherë? Në librin tuaj “Pranvera shqiptare” të botuar më 1992, thoni se disa herë gjatë qëndrimit në Francë, gati sa nuk kishit vendosur të mos ktheheshit”, iu përgjigj me fjalët “Nuk e lëshova Shqipërinë për shkak të hakmarrjes që mund ta pësonin të afërmit, shokët. Më 1983, erdha në Francë me mendimin që do të qëndroja.

Aty e kuptova se kjo ishte e pamundur. Ekzistonte rreziku i një ndarjeje të plotë me vendin tim, gjuhën time, të cilën e doja. Shokët e mi francezë më udhëzuan të kthehesha, dhe i dëgjova”. Pra Kadare ka hyrë në territorin francez, madje me paramendimin të kryente arratisjen politike (por miqtë e tij francezë e frenuan dhe e këshilluan të rikthehej në Tiranë), jo tepër larg nga koha e çështjes P.E.N. Arqile Semini, në librin e tij “Misioni i fundit”, shkruan po ashtu, por pa e saktësuar kohën, veç gjithnjë brenda mandatit të tij në Francë 1985-1991, se Ambasada Shqiptare ka dhënë një pritje zyrtare për nder të Ismail Kadaresë.

Këtë e kujton kur paraqet raportet e përkeqësuara të përfaqësisë sonë diplomatike me gazetarin në kanalin e parë të televizionit francez, Frederik Miteran, nip i Presidentit të vendit, Fransua Miteran. Qëndrimin e tij refuzues Frederik e kish prishur vetëm në pritjen zyrtare të organizuar nga Ambasada për shkrimtarit të shquar. E njëjta gjë pati ngjarë edhe me drejtorin e gazetës “Le Monde”, i cili edhe ky, për shkak të qëndrimit të ngurtë të Tiranës zyrtare, qe ftohur me përfaqësinë diplomatike. Semini shkruan “E shumta që arritëm ishte ardhja e tij në pritjen që dhamë në Ambasadë për I. Kadarenë”.

Ndërkohë edhe vetë Dashnor Kaloçi në librin e tij, siç edhe e vë në dijeni me një fragment lexuesin e “Gazeta Shqiptare” më 16 gusht të këtij viti, paraqet dëshmi të dokumentuar se Kadaresë iu dha leje për të qenë në Paris, i ftuar nga Presidenti francez Miteran, si pjesëmarrës në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, të cilat u kremtuan në datat 13 dhe 14 korrik 1989.

DY FAQE TE LIBRI “MISIONI I FUNDIT”

Diplomati Arqile Semini, në faqet 99-100 të librit të tij, tek shkruan për raportet me drejtorin e gazetës “Le Monde Diplomatique”, Klod Zhylien, mik i shefit të tij në Paris, ambasadorit të njohur Maxhun Peka, pohon se “Edhe kur u largua Maxhuni nga Parisi, unë i mbajta lidhjet me Zhyljenin. Ai erdhi në ambasadë për pritjet zyrtare, por për drekë munda vetëm njëherë ta tërheq. Me këtë rast i propozova Zhyljenit që të botonte në gazetën e tij ndonjë shkrim nga ana e Ismail Kadaresë.

Zhyljeni ra dakord, më dërgoi tematikën e artikullit dhe më tha në telefon se priste përgjigje nga Kadareja, duke më treguar edhe numrin e ardhshëm të gazetës ku mendonte të botonte artikullin në fjalë. Njoftova menjëherë Tiranën (Drejtorinë e Jashtme të KQ të Partisë dhe jo Ministrinë e Jashtme, ku nuk e shihnin me sy të mirë Kadarenë) për këtë çështje dhe nuk vonoi që artikulli i shkruar nga dora e Kadaresë të vinte në Paris dhe të botohej në gazetën e përjavshme, “Le Monde Diplomatique”, e cila gjendet në të gjitha kancelaritë europiane dhe botërore”.

Në faqen 123 të librit të vet, Arqile Semini shkruan për një rast tjetër të pranisë së Kadaresë në Paris: “Shkuam në një restorant jo larg hotelit ku banonte Ismaili… Ai të nesërmen do të kthehej në Tiranë. Ishte mërzitur, se kur kujtonte atë kontrollin në doganën e Tiranës dhe mënyrën poshtëruese se si e bënin kontrollin atje, Ismailit i ngriheshin qimet e kokës përpjetë nga inati…”Nesër do të zihem, do të bëj sherr! Është poshtërsi – thoshte ai – kalon një pispiruqe e s’e nget njeri pse është vajzë e Byrosë Politike! Kurse mua ma kthejnë valixhen përmbys!”-I thashë të mos bënte sherr, se nuk do të fitonte gjë! Por ai me të vërtetë bëri sherr në doganën e Tiranës (në Aeroportin e Rinasit) dhe asaj radhe ishte ankuar te Foto Çami, i cili kishte ndërhyrë. Nuk ishte rasti i parë që ai ndërhynte për Ismailin.

Për disa është i njohur fakti se Ismail Kadareja vite me radhë pësoi njëfarë “persekutimi” nga ana e Ministrisë së Jashtme, duke i sjellë pengesa për çështjen e pasaportës dhe të vizave për jashtë shtetit. Unë nuk e kuptoja këtë veprim dhe nuk më mbushej mendja se një qëndrim i tillë denigrues ndaj Kadaresë bëhej për shkak të burokracisë në Ministrinë e Jashtme. Dikush nga lart, nga Komiteti Qendror i Partisë, ndonjë njeri me pushtet, vepronte në hije. Edhe këtë ngatërresë që e nevrikoste pa masë Kadarenë, e zgjidhi Foto Çami. Qysh nga ky moment, nuk pati më të bënte me Ministrinë e Jashtme, por direkt me Foton”.

CILI QE HIJA ANTIKADERIANE NË KQ TË PPSH-SË

Të rikthehemi një çast te refuzimi i komanduar prej nënministrit të Jashtëm, Ksenofon Nushi, që Ismail Kadare të mos merrte pjesë në kongresin e P.E.N., klubit në Francë, në shtator 1981. Me këtë rast nuk dëshirojmë të ngulim shumë këmbë që opinioni patjetër duhet të informohet edhe për ndonjë rrethanë dytësore, siç është problemi i financimit të kësaj pjesëmarrjeje. Por ne këtë transparencë duhet ta bëjmë. Në letrën e vet për MPJ, Dritëro Agolli shënon se “Sipas të dhënave të materialeve të dërguara, shpenzimet duhet t’i përballojë Lidhja”.

Duket që ai, me pëlqimin e argumentuar të pranisë së Kadaresë në këtë ngjarje, nuk shpreh asnjë mospëlqim për këtë barrë financiare. E nënvizojmë si shpenzim të dukshëm këtë pjesëmarrje, sepse kjo rrethanë nuk u bë e ditur prej studiuesit Dashnor Kaloçi. Autori i këtyre radhëve, i cili prej shumë vitesh është këshilluar dhe ka të skanuar prej arkivit të Ministrisë së Jashtme të gjithë paketën e plotë dokumentare të ngjarjes P.E.N. klub, po ilustron këtë shkrim edhe me dokumentet origjinale. Kështu, çmimi i pjesëmarrjes për çdo anëtar të P.E.N. ishte 720 franga dhe 520 për shkrimtarët joanëtarë.

Shoqëruesit e tyre do të paguanin 430 franga. Duke qenë se kongresi do të mbahej në Lion, kur të vinin në Paris (kjo do të ndodhte me një tren special), të gjithë pjesëmarrësit do të derdhnin në llogarinë e kongresit edhe nga 100 franga gjithsecili. Taksa e regjistrimit për të gjithë do të qe 20 franga. Megjithatë, në rast se kjo rrethanë është fare dytësore dhe nuk duhet të jetë marrë në konsideratë prej nënministrit të Jashtëm, Ksenofon Nushi, dhe sidomos nga ajo hija “lart” në Komitetin Qendror, një tjetër pa dyshim ka qenë shkak i dorës së parë për pengimin e Ismail Kadaresë.

Kolegu Kaloçi nuk e paraqet dhe as e nënkupton, por prej paketës që kemi ne, në një paragraf të tekstit të historisë dhe të programit të P.E.N., shpërndarë për të ftuarit, pra ardhur edhe në adresë të shkrimtarit shqiptar në Tiranë, një dorë e rëndësishme, sepse vetëm ata mund të ndërhynin me shënime apo theksime (mos është Ksenofon Nushi?!) ka vënë një vijë në anë të këtyre fjalëve që ndodhen në kapitullin “Deklarata e të drejtave të shkrimtarit”: “Fakti që ata mishërojnë një larmi ndjenjash dhe mendimesh, ka bërë që shkrimtarët të vihen shpesh nën persekutimet e padrejtësitë e regjimeve të ndryshme politike, kurdoherë që shkrimet e tyre largohen nga sistemi i të menduarit të imponuar nga pushteti në fuqi”.

I tërë materiali i këtij programi i përbërë prej nëntë faqesh të daktilografuara (dhe të përkthyera) nuk ka asnjë shenjë tjetër dalluese zyrtare. Të mos harrojmë se në tematikën e ditës së dytë të kongresit të P.E.N., të martën më 22 shtator, ishte edhe diskutimi mbi kërcënimet mbi shkrimtarët. Kryheshin në tri drejtime: në krijimtarinë e tyre me shkrim, në shprehjet që deklaronin me gojë dhe në botimet. Si do të vepronte Kadare kur të qe ky debat? Me siguri eprorët dyshues nuk e kishin fort për besë, përderisa shënuan se në këtë çast të punimeve të kongresit të P.E.N. fshihej një rrezik potencial. NË NJË DORË MBAJMË…DHE NË TJETRËN… Diplomati Arqile Semini, te “Misioni i fundit” ka edhe këto radhë: “Me Ismailin bënim biseda ‘të rrezikshme’ (apo të ndaluara) për gjithçka që kishte ndodhur në Shqipëri.

Për punën e fesë, të barazimit të pagave, të mbylljes së Shqipërisë, për tufëzimin e bagëtisë dhe për jetesën e Bllokut në Tiranë. Me neveri të hapur, Ismaili fliste për “budallenjtë që mblodhi rreth vetes Enver Hoxha”. Unë ia kisha frikën, jo për vete, por për atë, se ishte inatçi e mos i shpëtonte goja të fliste kaq hapur dhe kur kthehej në Tiranë”. Referuar këtij teksti, në fund të librit diplomati Semini bën këtë shtesë plotësuese: “Ishte një merak i kotë. Tani Ismaili dinte ta kafshonte gjuhën, se njëherë, para disa viteve, për pak do të kishte rënë nga fiku (siç përshpërisnin gojët e liga) me shakanë e hidhur dhe banale, që bëri me parullën e kohës “në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”.

Nga një bisedë të regjistruar me Arqile Seminin, para se të ndërronte jetë, autori i këtyre rreshtave e di tekstin konkret të parodizimit të parullës kryesore të gjysmëshekullit të dominuar nga doktrina e Hoxhës. Besojmë se ai nënkuptohet qartë prej çdo lexuesi. Ka një fjalë tjetër të gjuhës sonë që nis me germën K dhe një tjetër me P.

Ylli Polovina, Tiranë, më 16 gusht 2017

Titulli origjinal: ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETËM NGA E VËRTETA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here