Në mes të nderit e dashurisë kam qëndruar

0
214

fridLetërsi/ Një tufë poezish franceze, sprova rinore të përkthyesit Vedat Kokona të përmbledhur në librin “Lule të pavenitura”, që panë dritën e botimit në 2006, ruajnë gjurmën e freskët në impresionet e përkthyesit për të cilat pat thënë: …atëherë sapo kisha filluar të çapitesha dhe të bridhja në lulishten e poezisë franceze, kur lija mënjanë, me gëzim po edhe me pendim, problemet e gjeometrisë apo të fizikës, lodroja lëndinave poetike dhe dehesha me nektarin e vargjeve të Lamartinit, Hygoit e sidomos Mysesë… nuk më shkonte asnjë t’imtë ndërmend se një ditë, buzë mbrëmje së pleqërisë, do t’i mblidhja lulet e këputura ende të njoma dhe të pikuara me vesën e mëngjesit për t’i bërë një tufë…

 

 

 

 

 

PIERRE CORNEILLE (1606-1684)

 

Sidi

(fragment)

 

AKTI II, SKENA IV

 

DON DIEGU

O turp! o ditë e zezë! u shofsh, moj pleqëri!

Gjer sot mos kam jetuar veç për ket poshtërsi?

Në fushat e betejës mos vallë unë u thinja

Të shoh brenda një dite të fishken aq dafina?

Ky krah, te cilin Spanja sodiste me nderim,

Ky krah, që sa e sa herë shpëtoi perandorinë,

Dhe fron’i mbretërisë sa ish ai s’u lua

Në balt’ sot të më lërë e s’bën asgjë për mua?

Oh, sa më qan kjo zemër për një lavdi të shkuar!

Veprën e kaqë ditëve një ditë e ka rrënuar!

Kjo shkallë ku u ngrita ç’ma prishi lumturinë,

Nga nderi im i shtrenjtë bie si në greminë.

Atje kur te arrijë un Kontin ta shikoj

Të vdes pa marrë gjakun, ose me turp të rroj?

O Kont, governator i princit ji ti sot,

Se një njeri pa nder kjo gradë s’pranon dot;

Edhe zilia jote që më varros të gjallë

Dhe pse mbreti më zgjodhi, më zbret nga ajo shkallë.

Dhe ti, e trimërive o vegël lavdiplotë,

Por sot e trupit akull veç një stoli e kotë,

O shpatë e lemeritshme kur të vërtitja unë,

Që, kur ma muar nderin s’më hyre aspak në punë,

Shko, ikë tani shpejt nga kjo dorë e pështire,

Kalo, për të shpaguar në dorën më të mirë!

 

SKENA V

 

(Don Diego, Don Rodrigue)

 

 

DON DIEGU

Rodrig, a më je burrë?

 

DON RODRJGU

Veç teje kush të dojë

Të vijë e ta provojë!

 

DON DIEGU

Të lumtë ajo gojë!

Por dhembjen s’ma shëron, o bir, ky zemërim!

Në pezmin tënd fisnik e njoh sot gjakun tim!

Gjithë rinia ime rilind në këtë flakë,

Pa eja, bir, pa eja që të shpagosh tët atë,

Pa eja ma laj turpin.

 

DON RODRIGU

Çfarë turp?

 

DON DIEGU

Shuplakë e shkretë

Sot nderin e shtëpisë na nxin, o bir, përjetë:

Atë që pat guximin s’e lija, besa, gjallë,

Por pleqëri e zezë nuk mundi t’i bëj’ ballë!

Dhe shpatën që kjo dorë e zonja s’eshtë ta mbajë

Ja ku ta jap, o bir, që turpin të na lajë!

Më një kapadai shko të luftosh ti fill,

Se vetëm gjaku e lan një poshtërim të tillë.

Vra, o vdis. Por ki mendjen, mos u hidh me rrëmbim:

Armiku që të jap, ta dish, ësht burrë trim;

Gjithë gjak e gjithë pluhur me sytë e mi e kam parë

Kur kallte lemerinë ndër mijëra ushtarë;

Kam parë si vërsulej e hidhej drejt në sulm,

Edhe ta dish, jo veç që ësht luftar plot zulmë,

Jo veç një trim i madh në fushat e betejës, Por ësht…

 

DON RODRIGU

Të lutem, thuamë.

 

DON DIEGU

I ati i Kimenës.

 

DON RODRIGU

I a….

 

DON DIEGU

Oh, jo, mos folë, e di që e do shumë,

Por kush jeton me turp të mbytetë në lumë.

Sa më shum’ që ta duam atë që na ka fyer

M’e madhe është fyerja; detyrën e kam kryer;

S’të them më asnjë fjalë; shpagohu dhe shpagomë,

Në je vërtet im bir këtë ti sot tregomë.

I mbytur në mjerim ku fati më ka hedhur,

Me lot un do ta qaj. Shko, ik, vrapo, shpëtomë.

 

SKENA VI

DON RODRIGU

O, se ç’më ther kjo zemra ime

Nga një shigjetë e mortshme që m’erdhi pa kujtuar,

Në mes të dashurisë e nderit kam qëndruar,

E shoh se fati i hidhur më shtie në mjerime;

Kam mbetur si i ngrirë dhe zemra e sfilitur

Për vdekje është goditur;

Ky fat i zi sa keq më ka mashtruar,

O zot, kështu ç’më gjen!

Në këtë turp im atë ësht poshtëruar

Dhe poshtëruesi yt atë ësht, moj Kimenë!

Në shpirtin tim po zien beteja!

Në nderin dashuria ka hyrë dhe bën pjesë:

Më duhet të marr gjakun edhe ta prish fejesë

Njeri më shtyn të vritem, tjetra më thotë: “eja!”

Dy udh’ më kanë mbetur, o zemrën ta tradhëtoj,

Ose me turp të rroj;

Ngado të shkoj ky helm nuk ka të shuar,

0 zot, kështu ç’më gjen!

A mund të lihet turpi pa u dënuar?

A duhet vrarë yt atë, moj Kimenë?

Baba, mikesh’, nder, dashuri,

Detyrë e shenjtë, e ashpër, e ëmbël tirani,

Të gjitha ëndjet shuhen, ose s’ka më lavdi,

Njëri më vret dhe tjetra më mbyt në poshtërsi.

Shpresë e ëmbël dhe hidhur e shpirtit trimëror

Po edhe dashuror,

Armik që sot ti jetën po ma nxin,

Shpat’ që në dor’ me vjen,

A mos m’u dhe ta laj un nderin tim,

A mos m’u dhe që ta humbas Kimenë?

Më mirë vdekjen të kërkoj:

I detyroj mikeshës po aq sa atit tim:

Sikur ta laj un turpin më pret një zemërim,

Ose përbuzjen pres tim at’ po mos shpagoj.

Nga shpresa ime e ëmbël që sot do të largohem,

Ose do turpërohem;

Më kot mundohem helmin që ta tres: E liga prap më gjen;

Po hajde, pra, moj zemër, dhe pse vdes,

Më mirë vdes pa fyerë Kimenë.

Të vdes un turpin pa e larë!

Dhe vdekja gjithë jetën të ma shuaj’ lavdinë!

Dhe të pranoj që Spanja të ma njollos’ kujtimnë

Pse nderin e shtëpisë un mbeta pa e marrë?

Me dashuri të merrem kur shpirti i hutuar

E sheh se është shuar!

Këtë mendim ta heqim për ngaherë

Sepse veç më gënjen!

Po hajde, pra, moj dorë, shpëto nderë,

Sepse u dashka ta humbas Kimenë!

Jo, jo, nuk jam, aspak i marrë!

Kaq shumë u mendova por vetëm nga hutimi,

Në vdeksha në luftim apo nga hidhërimi,

Un gjakun të kulluar do derdh siç e kam marrë.

Më kot kaq shum’ ngurova e sytë kot m’u laknë

Pa eja marrim gjaknë;

Më kot kaq shumë veten kam mashtruar,

Kontin të shkojm’ ta gjejmë:

Sepse im atë sot është poshtëruar

Dhe poshtëruesi yt atë ësht, moj Kimenë!

 

 

 

Jean Racine (1639-1699)

 

 

Fedra

 

(fragment)

 

AKTI I, SKENA III

(FEDRA, ENONA)

FEDRA

Le të mos shkojmë’ më tutje. Këtu le të qëndrojmë;

Këputur jam e tëra, e dashurë Enonë.

Drita që shoh sërish sytë po m’i verbon

Dhe trupi që më dridhet më këmbë dot s’qëndron.

E mjera unë! (Ulet)

 

ENONA

Mëshirë të kenë perënditë!

 

FEDRA

Të rënda sa më duken kjo napë edhe stolitë!

Në ballin tim kështu, më thuaj, cila dorë

Me kaqe nyje flokët m’i gërshetoi kurorë?

Mërzia që po ndiej më ka kapitur krejt.

 

ENONA

Aty kërkon një gjë, aty pendohet shpejt.

Ju vetë, pak më parë, duart tona i nxisnit

Që me stoli më shumë ju trupin t’ju stolisnin;

Ju vetë, duke hedhur në kokë ketë napë,

Kërkuat qe të dilnit, të shihnit dritën prapë.

Tani që e shihni zonjë, të fshiheni kërkoni,

Dhe dritën që e donit tani më nuk e doni.

 

FEDRA

Ti, që në jetë solle një familje të ngratë,

O ti, që nëna ime mburrej se të kish atë,

Që ndoshta tani skuqe kur sheh se jam e mjere

Vij të të shoh, o Diell, sot për të fundit herë.

 

ENONA

Si? Ende të brengos ajo dëshir’ mizore?

Nga jeta do të t’shoh përher’ të heqësh dorë?

Të duash sa më shpejt që vdekja syt t’t’i mbylli?

 

FEDRA

Sa mir’ do qe të rrija në hijen e një pylli!

Ah, kur do të mund, vallë, mes pluhurit të artë,

Të ndjek me sy vrapimin e kuajve të zjarrtë?

 

ENONA

Si, zonjë?

 

FEDRA

Mos u çmenda? Ku jam? E ç’thashë ashtu?

Ku më fluturoi mendja? Si fola kuturu?

Mendjen ma kanë prishur, Enonë, perënditë;

Faqet më janë skuqur, ç’u bëra në kët’ ditë!

Brengën time të turpshme un nuk ta fsheha dot

Dhe syt e mi ngarkuar, Enonë, jan’ me lot.

 

ENONA

Fajin e ke ti vetë, se brengën që të bren,

Në heshtje ti e mban, Enonës s’ia rrëfen.

Më gjith kujdesin tim po tretesh prej mërzisë

Dhe vdekjen e kërkon në lulen e rinisë.

Vallë ç’tërbim ty jetën në mes po ta shkurton?

Ç’magji, o çfarë helmi burimin ia shteron?

Tri herë lart në qiell u ndezë e u fikën yjtë

Qëkurse gjumi i ëmbël nuk t’i ka mbyllur sytë;

Tri herë është ngrysur, tri herë është gdhirë,

Qëkurse ti, moj zonjë, s’ke ngrënë e as ke pirë.

Ç’mendim i tmerrshëm vallë drejt vdekjes te thërret?

Jetës ti fund kërkon t’i japësh, me ç’të drejtë?

Që jetën perënditë ta falën nuk mendon?

Kështu ti rëndë i fyen dhe burrin e tradhton;

Tradhton edhe fëmijët, fëmijtë e tu të mjerë

Se nën’ një zgjedhë t’ashpër i hedh ti për ngaherë.

Ti mos harro se vdekja nënën do t’ua rrëmbejë

Edhe djalit të huaj prap shpresën do ia kthejë,

Atij armikut tënd, djalit të nj’Amazone

Që ësht armik e armik do mbetet gjithmonë.

Ai Hipoliti…

 

FEDRA

O, Zotër!

 

ENONA

Të shoh të zemëruar.

 

FEDRA

 Ç’emër ashtu nga goja ti nxore pa menduar?

 

ENONA

E ndiej se si të dridhet nga pezmi ajo zemër

Dhe trupi të rrëqethet kur e dëgjon kët emër.

Jeto, pra, dashurinë, detyrën të kesh nxitës;

Jeto dhe mos duro që djali i një Skites

Fëmijtë e tu përjetë t’i mbajë nën sundim:

Për fisin tënd fisnik do t’ish një poshtërim.

Të trupit të këputur shpejt mposhte dobësinë

 

Dhe katalinë e keqe këmbeje me fuqinë;

Gjersa pisha e jetës, që gati regëtin,

Nuk është shuar ende, sado pak që shëndrin.

 

FEDRA

Të jetës mëkatare e zgjata fillin shumë.

 

ENONA

Çfar’ brenga e shqetësime natën të lën’ pa gjumë?

Çfar’ krimi kaqe tepër ty zemrën ta ka thyer?

Me gjakun e pafajshem duart mos i ke lyer?

 

FEDRA

 Jo, duart un përlyer s’i kam aspak me gjak,

Por zemrën e kam sterrë, Enonë, edhe farmak!

 

ENONA

Ç’mendim i zi, i tmerrshëm, kaq shum’ të ka tronditur

Që po më dukesh sot, moj zonjë, e lebetitur?

 

FEDRA

Të fshehtën, moj Enonë, ti mos kërko të dish;

Të vdes më mirë: pohimi mynxyr’ për ty do t’ish.

 

ENONA

Ahere vdis; të fshehtën Enonës mos ia thuaj;

Por për t’ t’i mbyllur sytë kërko një dor’ të huaj.

Megjithëse jeta jote po fiket me nxitim

I pari ndër të vdekur do zbresë shpirti im.

Shumë udhe atje e shpien zemrën plot hidhërime,

Por udhën më të shkurtër do zgjedhë brenga ime.

Qëkur Enonës sate s’i jep më jo ti besë?

Për ty ç’kam bër’, mizore, si ranë në harresë?

Për ty kam lënë vendin, fëmijët, dashurinë;

Kështu po ma shpërblen ti sot besnikërinë?

 

****

FEDRA

Do të dëgjosh një emër plot llahtar,

Unë dua…trupi krejt më dridhet kur e kujtoj

Unë dua..

 

ENONA

Kë?

 

FEDRA

Të birë e Amazonës besoj

E njeh princin që unë e kam munduar shumë?

 

ENONA

Hipolitin? O Qiells!

 

FEDRA

Emrin ti e the, jo unë.

 

ENONA

O zotëri gjithë gjaku në rrembat më ka ngrirë!

O ç’gjëmë e madhe! Ç’krim! Mallkim, moj racë e nxirë!

O udhëtim fatzi!

O vise të mallkuar,

Ktij bregu të rrezikshëm a duhej vallë afruar?

 

FEDRA

Rrënjët më thellë, Enonë, i ka kjo brengë e shkretë.

Me djalin e Egjeut sa lidhur qesh’ përjetë,

E lumtur dhe e qetë kujtoja do jetoj;

Armikun tim krenar Athina ma tregoi.

E pashë, u skuqa, u zbeva, mbeta si e zalisur,

Si valë u ngrit hutimi në shpirtin e trallisur;

M’u errën sytë e ballit dhe goja m’u nemit,

Akull m’u bë gjith’ trupi, njëherësh m’u zhurit.

E njoha Afërditën dhe zjarrin shkatërrimtar

Në gjak që më kish ndezur shpagimin për të marrë.

Në lutje të paprera kërkoja ngushëllim.

Një tempull i ndërtova, e stolisa me durim;

Ngahera me viktima siç isha e rrethuar

N’gjitë e tyre kërkoja mendjen time t’hutuar;

Por zjarri i dashurisë po digjej si më parë.

Më kot dogja, e mjera, temjanin mbi altarë:

Kur emrin e Hyjneshës shqiptonte zëri im

Un doja Hipolitin; e shihja pa pushim

Atje, afër altarit, dhe zotit që s’guxoja

Emrin që t’ia përmend të gjitha i blatoja.

Nuk doja që ta shihja fytyrën që më vret,

Por sytë e mi e shihnin tek tiparet e t’et.

Ahere zjarrin tim un’ desha që ta shuaj:

Armikun që e doja e bëra që të vuaj’;

Atë që e adhuroja kërkova ta mërgoj,

Posi një njerkë e keqe veprova kësisoj:

Mërgimin’ e tij e desha, britmat e mia u shtuan

Dhe nga krahët e t’et të birin e larguan.

U lehtësova, Enonë, dhe me ikjen e tij

Nisa t’i shijoj prapë ditët në qetësi.

E mbyta brengën time, martesës iu nënshtrova

Edhe atë që doja që ta martoj kërkova.

0 ç’fat i zi! Të kota të gjitha masat qenë!

Im shoq një ditë e solli të birin në Trezenë,

E pashë prapë armikun q’e kisha nisur lark

Dhe plaga e pezmatuar filloi të rrjedhë gjak;

Dhe zjarri i dashurisë, në rrembat i tulitur,

Gjith trupin e dërrmuar tani ma ka zhuritur.

Për krimin tim, Enonë, kam marrë lemerinë,

Sot jetën e urrej, urrej dhe dashurinë.

Me vdekjen doja nderin ta mbaj’të pacenuar,

Një dashuri e turpshme të mbetej pa zbuluar;

Por lotët që ti derdhje nuk munda t’i duroj;

Të thashë te vërtetën dhe bëra mirë, besoj.

Veç dije, Enonë e dashur, se vdekja më afrohet;

Mos më qorto qe shpirti më shumë të dëshpërohet,

Dhe kot mos u mundo të lidhësh me kujdes

Fillin e jetës sime që m’u këput në mes.