Reportazhi/ Historia dhe arkitektura e Gjirokastrës në “The Wall Street Journal”

0
342

Reportazhi nga gazeta prestigjoze

 

Gjirokastra përshkruhet si një prej vendeve më intriguese për të cilin lexuesit e gazetës prestigjioze “The Wall Street Journal” mund të mos kenë dëgjuar kurrë. Në artikullin e shkruar nga Cathryn Drake janë dhënë përshkrime të detajuara për arkitekturën, mikpritjen, historinë e atraksionet më të mëdha të Gjirokastrës. Drake e nis artikullin e saj duke thënë se për të pasionuarit e arkitekturës, ky qytet ballkanik është sekreti i ruajtur mirë. “Gjirokastra, në jug të Shqipërisë, mund të mos jetë destinacioni i parë që të vjen në mendje nëse vendos të bësh një udhëtim në Evropë këtë fundverë. Por ky qytet  është jashtëzakonisht tërheqës dhe me çmime të përballueshme, si dhe dy orë me makinë larg nga plazhet e bukura të bregdetit shqiptar. Ende nuk jeni të bindur? Një kapsulë e vërtetë kohore, Gjirokastra shërbeu si qendër tregtare për rreth 500 vjet nën Perandorinë Osmane (1385-1912) dhe si skenë për një ‘Game of Thrones’ të vërtetë”, shkruhet në artikullin e publikuar në “ËSJ”. Gazetarja e “ËSJ” e përshkruan fundjavën e saj në Gjirokastër, gjatë së cilës ka qëndruar në Shtëpinë Babameto, që ndodhet pikërisht nën kalanë e madhe. “Megjithëse strehimi është i thjeshtë (madje edhe dhomat private kanë tualete të përbashkëta), struktura është komplet e kundërta. Një shtëpi-kullë osmane e shekullit të XIX, me rreshta elegantë dritaresh dhe ambiente të brendshme të ngrohta prej druri, Babameto është një nga restaurimet të ndërmarra në dekadën e fundit nga Fondacioni Gjirokastra”, shkruan Drake. Sipas saj edhe e kaluara komuniste e Gjirokastrës po ruhet. Gazetarja ndalet ta përshkruajë Muzeun e Luftës së Ftohtë, i cili u hap në 2014. “Muzeu përfshin një bunker me labirinte të ndërtuar në fshehtësi në vitet 1970 dhe i zbuluar vetëm dekada më vonë. Ky rrjet i ngushtë tunelesh ndërlidh rreth 80 dhoma, të cilat ende janë të etiketuara me funksionet e tyre zyrtare dhe të mbushura me mobilie metalike të ndryshkura”, shkruan gazetarja. Aty shtohet se Kalaja e Gjirokastrës shërben gjithashtu si një hapësirë festive. Artikulli i “ËSJ” përmbyllet teksa gazetarja citon një fragment të shkruar në vitin 1933 nga shkrimtari britanik i udhëtimeve Patrick Leigh Fermor. “Gjirokastra, shkruante ai, është ‘njëkohësisht tepër e vjetër dhe krejt e re dhe fare e panjohur’. Pothuajse 100 vjet më vonë, përshkrimi i tij është ende i vërtetë”, përfundon “WSJ”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here