Nga Viron Bezhani
Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është gjithnjë ëndrra e çdo sportisti, i cili investon për të ardhmen e tij, garon për të qenë më i miri dhe në fund nderon edhe ngjyrat e vendit të tij. Për t’ia dalë mbanë duhen shumë mund e sakrifica dhe asnjëherë të kapësh majat nuk është e lehtë. Përpos talentit duhet edhe puna e madhe, e veçanërisht ndihma e shtetit të cilin ai përfaqëson.
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Soçit më dha një leksion të mirë jo vetëm mua si president i KOKSH, por mbarë botës. Një leksion që ka të bëjë më mënyrën e menaxhimit të sportistit, trajnerit, por edhe sportit në tërësi. Delegacioni indian parakaloi jo me flamurin e vendit të tij, por me flamurin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Arsyeja ishte e thjeshtë: Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e kishte dënuar Komitetin Olimpik Indian për ndërhyrjet e shtetit ndaj këtij institucioni. Për të mos dënuar sportistët, IOC vendosi që delegacioni indian të mos parakalonte me flamurin e vendit të tij, por me atë të olimpizmit. Kjo që ndodhi, ishte diçka tepër e rëndë për sportistët, pasi ndodhi në sytë e mbarë botës, ndërsa IOC kërkon të thotë me këtë gjest se shteti nuk duhet të bëhet kurrë pengesë, por partner.
Pas shumë vitesh të mbushura me polemika, sot marrëdhëniet mes KOKSH dhe shtetit janë të shkëlqyera, falë insistimit të vetë ministres Nikolla, që është bërë krah në mbështetjen e sportit. Por së fundmi në skenë ka dalë z. Ndreca, që po bëhet pengesë e bashkëpunimit mes MAS-it, federatave dhe KOKSH, me pretekstin se nuk jemi regjistruar në gjykatë. Kjo është e gabuar, pasi ka një vendim qeverie për ekzistencën e KOKSH, ka një ligj parlamentar që e njeh KOKSH dhe ka një Komitet Olimpik Ndërkombëtar që e njeh KOKSH. Çfarë kërkon më shumë z. Ndreca, që i ka prerë financat KOKSH? Mos kërkon që Shqipëria të mos parakalojë me flamurin kuqezi? Jo z. Ndreca, gaboheni rëndë nëse prisni këtë, pasi kjo nuk ka për të ndodhur. Kur ju mendoni se keni zbatuar ligjin, atëherë e keni thyer atë. Nuk është mirë që hiqni pagat e sekretarëve të Federatave, të cilët janë njerëz të thjeshtë dhe kontribuues, ndaj mos i përçmoni duke thënë se janë të pazotë, pasi rrojnë vetëm me rrogën e shtetit. Turp!
Nëse keni mundësi për ta ndihmuar sportin ndihmojeni atë, nëse jo mos e pengoni, se pastaj do të kthehet në bumerang. Këtë gjë ka kërkuar dhe kërkon të bëjë prej muajsh edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, që investon te sportistët elitarë, trajnerët e tyre, në përpjekje që flamuri kuqezi të valëvitet triumfues në arenën ndërkombëtare, kudo. Por ata duan të ndjejnë edhe ngrohtësinë e shtetit, të mbështetjes së tij financiare, në mënyrë që të mbajnë më fort e më lart flamurin kuqezi. Kjo do të ishte shumë domethënëse për çdo sportist, që kërkon të ndihet i vlerësuar. E po kështu edhe trajneri i tij, shokët e tij, rivalët, Federata dhe i gjithë komuniteti i sportit. Pra, një zinxhir i gjatë dhe që lypset të jetë i fortë në mënyrë që të rezistojë gjithnjë ndaj vështirësive.
Të gjithë ne e veçanërisht shteti duhet të investojë te sporti, tek e ardhmja e të rinjve që merren me sport, në mënyrë që ata të mos ndihen të lënë mënjanë. Forca e rinisë është burimi më i madh i ecjes përpara të një vendi e ne duhet ta shfrytëzojmë këtë burim të paimagjinueshëm force për të kaluar çdo pengesë. Duke investuar tek rinia do të kemi një të ardhme më të mirë, të sigurt e do të jemi krenarë. Sporti sot promovon vlera të padiskutueshme, ndaj ne të gjithë duhet ta përkrahim atë, duke e parë si mundësinë më të mirë për të bashkuar njerëzit e forcat. Shteti, KOKSH, Federata, sportistët, trajnerët, tifozët e të gjithë aktorët duhet të jenë së bashku e me të njëjtat vizione që të mos kemi mosmarrëveshje. Ndaj duhet të tregojmë se nga rasti i Indisë kemi mësuar shumë, pasi ai ishte një leksion i mirë se çfarë ndodh kur shteti ndërhyn me pa të drejtë në punët e sportit, e përçan atë, nuk ndihmon financiarisht dhe në fund e përdor për politikë.
Sporti është krenari për këdo dhe shteti më shumë se kushdo duhet të ndihet krenar që valëvitet flamuri kuqezi në arenën ndërkombëtare, pasi ka parë frytin e mbështetjes. KOKSH ka bërë shumë për ta zhvilluar sportin, por edhe kjo nuk mjafton, pasi duhet shumë punë e bashkëpunim, që kushdo që kërkon të thotë fjalën e tij të ndihet i përfshirë dhe jo i përbuzur. Që vlerat pozitive të cilat promovon sporti të përqafohen nga të gjithë dhe nesër të kemi më shumë rezultate.