Akademiku Artan Fuga, i cili kohët e fundit ka qenë në qendër të debatit për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, i ka drejtuar një letë kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Në këtë letër të postuar në Facebook-un e tij, Fuga i paraqet disa sugjerime për ndryshimin e parlamentit.
“Unë do të uroja që Gramoz Ruçi ta ndryshonte këtë duke e riorganizuar sallën e Kuvendit. I uroj Gramoz Ruçit që të mos pranojë asnjë propozim ligji të pa mbështetur në studime të bazuara shkencore, si edhe të porosisi si Kuvend oponenca shkencore dhe teknike edhe për ligjet apo propozimet e deputetëve, sikur ata vijnë nga shumica, sikur të vijnë nga opozita,” janë dy nga propozimet e Fugës.
Letra e plotë
Letër z. Gramoz Ruçi!
———-
Zoti kryetar!
Media ka të drejtë, disa nga diskutimet ishin për të qeshur, kishte edhe të mërzitshëm me vdek, kishte edhe monotonë, ca për të shkuar radhën, por edhe të mirë.
Por, nuk dua të bëj analizën e tyre as si qytetar dhe as ndonjë koment nisur nga kërkesat e komunikimit publik.
Si qytetar do t’i uroj sinqerisht punë të mbarë Kuvendit, qeverisë, deputetëve, opozitës!
Cfarë mund të bësh tjetër!
Do të uroj edhe :
1. Ndërtimi i brendshëm i vendosjes të deputetëve në sallë dhe konceptimi i hapësirave brenda saj është i kohëve të lashta. Me një fjalë na sjell mesazhe diktatoriale. Nuk shkruan kot Stjuart T. Hall se gjuha e shpalosjes të hapësirave është më e sinqerta. Asaj besojini, jo fjalëve, sepse njeriu është qenie gënjeshtare dhe hipokrite kur në lojë vihet interesi i tij.
Ministrat hipur në atë estradën e madhe, në presidium, ku dikur rrinin anëtarët e byrosë politike, që ishin pjesërisht edhe ministra, si edhe anëtarët e Presidiumit. Ashtu ishte rregjimi, deputeti ishte një punë si zari. Atje në plate e kishte vendin, si spektator dhe dëgjues i punëve të drejtuesve. Kurse tani çfarë kuptimi ka që ministrat dhe qeveria që atje janë për t’u dhënë llogari deputetëve të qendrojnë në presidium, dhe të shohin nga lart deputetët e trajtuar si spektatorë. Dhe mbi të gjithë, të ulet kryetari i Kuvendit, i cili gjithsesi nuk ka statusin e të qenit mbi të gjithë. Pastaj edhe deputët e vendosur si në klasë, në rresht njeri pas tjetrit, ata më të rëndësishmit, kryetarët e grupeve, të partive, në radhët e para, të tjerët në fund andej që as shihen as shohin.
E gjithë kjo hapësirë e brendshme, e sinqertë totalizuese, në gjuhën e vet, tradhëton diçka, që deputetët vazhdojnë të jenë skalioni i katërt ose i pestë i vendim-marrjes politike në Shqipëri, ata që bëjnë iso.
Unë do të uroja që Gramoz Ruçi ta ndryshonte këtë duke e riorganizuar sallën e Kuvendit!
2. Në mandatin e kaluar por edhe më parë, deputetët nxorrën ligje, por nuk di asnjë ligj të ketë emrin e ndonjë deputeti ose çifti deputësh iniciatorë. Nuk dihet se kush i ka iniciuar ligjet. Ligjet i sjell qeveria, kurse opozitën nuk e kam dëgjuar të iniciojnë ligje.
Uroj që kjo të ndryshohet, por kam shumë pak shpresë. Te ne është bërë traditë që opozita ndjek agjendën e qeverisë, një lloj isojeje kontrapunktuale, ju propozoni ne kundërshtojmë! Ky është problemi, kjo është e meta që vazhdon në ligjërimet opozitare edhe kur struktura e teksteve që ata lexojnë është zbavitëse, edhe kur është serioze.
3. As bëhet fjalë që deputetët në diskutimet e tyre t’i referohen studimeve shkencore, ekspertëve të pavarur, apo kërkimeve shkencore, kur është fjala për të përgatitur ndonjë reformë ose ndonjë ligj. As qeveria nuk është se iu paraprin hartimit të ligjeve me porositjen e ndonjë studimi paraprak që për disa muaj të shqyrtojë me themel një problem në mënyrë që politika të mos jetë menaxhuesja e politizuar e reformave, por të bazohet te studimet dhe te ekspertiza e studjuesve dhe grupeve të kërkimit shkencor.
Unë i uroj Gramoz Ruçit që të mos pranojë asnjë propozim ligji të pa mbështetur në studime të bazuara shkencore, si edhe të porosisi si Kuvend oponenca shkencore dhe teknike edhe për ligjet apo propozimet e deputetëve, sikur ata vijnë nga shumica, sikur të vijnë nga opozita.
Kuvendi duhet të porosisi studimet e veta, ekspertizat e veta, edhe komisionet e Kuvendit. Përndryshe ne nuk jemi një shoqëri që orientohet sikurse bëhet në kohët moderne, pra nga shkenca dhe teknika, por jemi në thelb një shoqëri mesjetare e kohëve kur vullneti princëror, apo i Tavolinës të Mbretit Artur, pra kur politikanët dhe deputetët, me nuhatjen e tyre politike drejtojnë një bigë lundruese, majna, majna, vira, vira!
4. Vendosja e kamerave si kamerave dyqanesh në rrugë, kamera vrojtimi dhe survejimi, në Kuvend, si ato që filmojnë 24 orë në 24 orë rrugët, nuk është paraqitje e punimeve të Kuvendit çdo të enjte para publikut.
Kamera nuk është media.
Duhet raportim jo filmim i punimeve të Kuvendit, filmim i cili është përgjegjës për të gjitha incidentet dhe skeçet humoristike që ndodhin në sallën e Kuvendit.
Raportimi i punimeve të Kuvendit do të kërkonte që atë ta bënin gazetarët duke analizuar e shtjelluar në mënyrë kritike dhe sa më objektive thelbin e aktivitetit të deputetëve.
Do i uroj Gramoz Ruçit që të inicionte një kanal televiziv të Kuvendit, ku qytetarët jo vetëm do të njiheshin me punimet, por edhe do të kthehej ky kanal në një arenë debatesh, paraqitjesh, bisedash, dhe veç të tjerash do të shpëtonte edhe mediat gjeneraliste nga politizimi i lajmeve të tyre duke i dhënë përmbajtjes së tyre një drejtim novator jo si sot që i takon gjysmës të shekullit të kaluar: media gjeneraliste e lajmit politik kombëtar! E tejkaluar.
Hapeni kanalin televiziv : Jeta parlamentare ! Rrjete ka sa të duash edhe gazetarë të rinj pa punë!
5. Uroj që zoti Gramoz Ruçi të mos pranojë si në dekadat e shkuara që në vend të ekspertizave të kemi materiale që nga servilizmi politik, nga ideologjizimet, nga politizimet të bëjnë të të vijë për të përzjerë. Të njejtët njerëz edhe ekspertë të partive, edhe të qeverisë, edhe të grupeve parlamentare.
Nxirrni një kuadër ligjor se kush quhet ekspert i pavarur, cila quhet agjenci e pavarur ekspertize, dhe ekspertizën mos lini ta bëjnë po ata shërbëtorë të interesave të lobiimit, por ekspertë vërtetë të pavarur. Një pedagog ose pedagoge nuk është ekspert i pavarur, as një avokat, nuk është i tillë. Mos lejoni të na hedhin hi syve.
6. Mos konsideroni si shoqëri civile, ojf që kurrë nuk bëjnë zgjedhje të brendshme, që janë vetëm në letër, që nuk përfaqësojnë asnjeri veç drejtuesit e tyre që u bëjnë shërbime politike, servilizma, lobive politike dhe interesave egoiste. E gjitha kjo është një gënjeshtër e madhe me të cilën qesh i gjithë qyteti. Një burrë, si edhe një grua, të vërtetë, jetojnë në të vërtetë, jo në hipokrizi. Shoqëria civile sot në Shqipëri është e papërfaqësuar jashtë politikës. Pranda, thërrisni aktivistë shoqërorë, qytetarë që iu preken interesat, grupe qytetarësh duke u bërë thirrje publike të vijnë në Kuvend dhe në komisione.
7. Vendosni rregull që depuetët t’i dorëzojnë me shkrim diskutimet e tyre paraprakisht, për ato diskutime që janë mbi tekste ligjesh të shërndarë paraprakisht. Pastaj me gojë të flasin si të duan lirisht. Por, jo të përsërisin njeri tjetrin. Një deputet te ne herë bën sociologun, herë bën gazetarin, herë bën këshilltarin bashkiak, herë bën tribunin popullor, herë bën politikanin partiak, herë gaztorin, ndërkohë që duhet të vendoset edukata për të bërë ligjëvënësin.
Lërini deputetët të flasin nga vendi dhe jo të dalin në podium si nxënës shkolle!
Mos i lejoni deputetët të lexojnë hartime pa propozime konkrete edhe nëse janë brenda kohës së tyre të fjalës së lirë.
Kërkojuni të thonë se përse flasin, cfarë propozimesh, amendimesh, vërejtjesh argumentesh kanë marrë fjalën.
Një pjesë e diskutimeve janë hartime, përsëritje, rrahje uji në havan, dëshirë për t’u treguar radikal. Kamera të bën dhe narcist.
8. Ftoni qytetarë të lirë që të vijnë disa dhjetra të ndjekin punimet e Kuvendit. Besueshmëria e qytetarëve për Kuvendit është më e ulët sesa për qeverinë, policinë, universitetet publike, edhe sesa e spitaleve. Afrojini qytetarët, por jo qytetarët e zgjedhur, kushurinjtë e depuetëve. Le të jetë rradha e qytetarëve për të ardhur në seanca e gjatë sepse do të tregojë shëndet politik, të jetë më e gjatë sesa radha e ankesave të klientëve për mosmarrëveshjet me operatorin e shpërndarjes elektrike. Njoftojeni publikisht në media paraprakisht agjendën e punimeve dhe bëni thirrje qytetarëve të vinë.
Gjithësesi urime në punime dhe suksese!