Kërkesa për ndryshim mase/ Apeli i Krimeve të Rënda lë në burg biznesmenin Ilir Karçini

0
150

 Sonja Caka

 

Avokati Ardian Leka: Nuk ka vepër penale, s’ka njohje me Sinanajn

 Akuza para Gjykatës: Porositi vrasjen e biznesmenit Piro Bare

 

  ilir karcini ne gjykateNuk ka ndryshuar asgjë në Apelin e Krimeve të Rënda, biznesmeni Ilir Karçini mbetet në burg. Togat e zeza të Apelit nuk e pranuan dje kërkesën e të akuzuarit për porositjen e vrasjes së biznesmenit të hidrokarbureve Piro Bare për lirimin nga qelia e paraburgimit. Sipas vendimit të Gjykatës, nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë nga dita e caktimit të masës së sigurisë “Arrest me burg” nga kolegët e Shkallës së Parë. I dyshuari mohoi në mënyrë kategorike njohjen me vrasësin Julian Sinanaj. Avokati mbrojtës Ardian Leka i kërkoi Gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë, pasi akuza e sigurimit të mjeteve për të kryer një vepër penale, nuk qëndron. Sipas avokatit Leka, klienti i tij, biznesmeni Karçini, nuk e njeh vrasësin e pagesë Julian Sinanaj. Seanca u zhvillua me dyer te mbyllura për shkak të sekretit hetimor, ndërkohë që mësohet se ende nuk është marrë në pyetje për ngjarjen e akuzuar nga grupi hetimor.

 

Reagimi

Pasi shqyrtoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, Apeli vendosi të mos e merrte parasysh kërkesën e Ilir Karçinit për ndryshimin e saj, duke lënë në fuqi të njëjtën masë vendosur në ngarkim të tij. Pas këtij vendimi të Gjykatës, avokati i tij, Ardian Leka, deklaroi për mediat jashtë sallës së gjyqit se në dosjen e Prokurorisë nuk ekzistojnë elementët e veprës penale dhe për këtë do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë. “Ne mendojmë se nuk ekzistojnë elementët e veprës penale dhe për këtë arsye do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë”, – tha Leka. Sipas tij, klienti në sallë e gjyqit ka deklaruar se nuk e njeh të penduarin Julian Sinanaj. Avokati theksoi duke iu referuar klientit të tij, biznesmenit Karçini, se “ai foli dhe nuk e njeh personin që është i penduar dhe që pretendohet se është ekzekutuesi”. Në fund të reagimit të tij, Ardian Leka u shpreh se bashkë me ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku do të jenë avokatët mbrojtës të Ilir Karçinit, i arrestuar si i dyshuar për porositjen e një atentati ndaj biznesmenit Piro Bare.

 

Akuza

Arrestimi i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, aktualisht me statusin e dëshmitarit të penduar të drejtësisë, zbardhi edhe një skemë atentati që u parandalua në kohë. Sipas të penduarit, ai ishte paguar nga një biznesmen për të vrarë rivalin e tij në fushën e hidrokarbureve, Piro Bare. Më pas, i penduari zbuloi për akuzën edhe emrin e biznesmenit, që dyshohet se është Ilir Karçini. Por, për fat, atentati ndaj Bares nuk u realizua, sepse policia vuri në pranga vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, ditën e shtunë në datën 25 janar 2014, në kohën kur ishte duke shkuar për të kryer këtë vrasje. Pas arrestimit, Sinanaj u bë i penduar i Prokurorisë dhe ka treguar disa krime që ka bërë. Vetë biznesmeni Karçini ka mohuar çdo lloj akuze në drejtim të tij, ndërsa ka mohuar të ketë njohje apo të jetë takuar me Julian Sinanajn. Këto deklarime të biznesmenit vijnë, pasi i penduari ka deklaruar se janë takuar bashkë për të folur për këtë vrasje. Gjithashtu, gjatë dëshmive të tij, Sinanaj ka dhënë edhe emrat e personave që kanë qenë porositës të vrasjeve dhe atentateve me tritol, Marjon Mitro, për atentatin ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishaj. Sinanaj ka thënë për Prokurorinë se, kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj ishin personat që i kishin kërkuar për të vrarë peshkatarin Sokol Veizaj, për një pronë.

 

 

Takimi

Reforma në drejtësi, ekspertët e Komisionit të Venecias në KLD

 Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij pritën në një takim ekspertë të Komisionit të Venecias, përkatësisht z. Peter Paczolay, kryetar i Gjykatës Kushtetuese në Hungari, z. Sergio Bartole, anëtar i Komisionit të Venecias dhe z. Schnutz Rudolf Dürr, kryetar i Divizionit i së Drejtës Kushtetuese në Komisionin e Venecias. Qëllimi i vizitës së përfaqësisë së Komisionit të Venecias ishte marrja e informacionit teknik dhe opinioneve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë lidhur me reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Gjatë takimit, ekspertët e Komisionit të Venecias e konsideruan si thelbësor rolin e KLD-së, si udhëheqëse në reformimin e sistemit gjyqësor. Pasi falënderoi të pranishmit për interesimin e tyre për të përmirësuar sistemin gjyqësor në vendin tonë, z. Çefa shprehu gatishmërinë e KLD-së për të kontribuuar në evidentimin e problematikave që ka sot sistemi gjyqësor në vend, në funksion të përmirësimit tërësor të sistemit të drejtësisë. Duke u ndalur në çështjet me karakter teknik, ekspertët e Komisionit të Venecias u informuan nga zëvendëskryetari i KLD-së për përbërjen e KLD-së, kompetencat kushtetuese të tij, mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve si dhe për kompetencat dhe funksionimin e Inspektoratit të KLD-së. Gjithashtu, zëvendëskryetari i KLD-së u parashtroi ekspertëve të Komisionit të Venecias vizionin e KLD-së për ndryshime në kuadrin ligjor, me qëllim rritjen e eficencës dhe performancës së sistemit gjyqësor. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se reforma në sistemin e drejtësisë duhet të kalojë nëpërmjet një procesi të gjerë konsultativ me të gjithë aktorët e sistemit dhe në mënyrë të veçantë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë me qëllim minimizimin e ndërhyrjeve të politikës ndaj institucioneve të drejtësisë në funksion të forcimit të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë të këtij sistemi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency