Kuvend/ Shezai Rrokaj: Nuk njohin realitetin shqiptar, copy-paste kudo, asgjë konkrete

0
211

 

Në shoqërinë e sotme multikulturore është bërë gjithnjë edhe më urgjente çështja për të siguruar mjetet dhe strukturat e nevojshme për trajtimin e sfidave të integrimit me të cilat ballafaqohet bashkëjetesa e popujve, e kulturave dhe e traditave të ndryshme të vendeve Ballkanike dhe më gjerë. Ballkani është produkt i historisë së vet. Popujt e tij kanë ndarë me njëri-tjetrin si të mirat që vijnë prej bashkëjetesës dhe të këqijat që vijnë prej përplasjeve e konflikteve dhe prej kësaj përvoje shekullore duhen adresuar edhe sfidat për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët mbi parime të bashkëjetesës dhe të vlerësimit të kulturave dhe traditave të njëri-tjetrit, jo si diçka e huaj por si një vlerë e shtuar e kombeve tona. Është e vërtetë që me krijimin e shteteve të Ballkanit dhe lindjes së nacionalizmit më shumë se çdo pjesë tjetër e Europës, Ballkani vuajti prej të ashtuquajturës sindromë e “vendeve etnikisht të pastra”. Gjë që binte në kundërshtim me vetë realitetet në këto vende. Këtë frymë e ushqeu herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë tërthorazi edhe ideologjia komuniste  e shumë prej vendeve të Ballkanit, e cila i fryu në shumë raste zjarrit nacionalist.

Ndryshe nga kontinentet e tjera, në raport me sipërfaqen, Europa shpërfaq një mozaik multikulturor dinamik prej thuajse 220 gjuhësh e  kulturash në një areal politik prej 51 shtetesh bashkë me Kosovën.      Bashkëjetesa e këtyre gjuhëve, kulturave e popujve nuk ka qenë e lehtë në rrjedhë të historisë, por koncepti i Europës së Bashkuar, bashkë me ëndrrën e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, ka rritur vizionin për bashkëjetesë dhe respektim të të drejtave gjuhësore, fetare, kulturore të pakicave, duke i konsideruar ato si vlerë e shtuar, si urë miqësie dhe si fakt historik i pamohueshëm i Ballkanit si një produkt i historisë së vet.

Ky vullnet për bashkëjetesë dhe respektim të pakicave duhet të njësohet me atë çka parashikon Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ratifikuar me ligjin nr.8496, datë 3.6.1999, e cila ndonëse jo detyruese për shtetet që e kanë nënshkruar, këshillon hartimin e ligjeve specifike, siç është edhe projektligji që po diskutojmë, i cili përbën edhe një nga kushtet që i janë vënë vendit tonë në kuadër të përmbushjes së 5 prioriteteve të rekomanduara nga Komisioni Evropian në udhërrëfyesin për zbatimin e prioritetit 5 “Të drejtat e njeriut”, ku objektiv është “përmirësimi i kuadrit ligjor dhe politikave për mbrojtjen e pakicave.

Fryma e këtij projektligji është mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe garantimi i ushtrimit të të drejtave specifike të njeriut për çdo person, që i përket një pakice kombëtare, që janë të nevojshme për mbrojtjen dhe nxitjen e identitetit dallues të tyre si një komponent thelbësor i një shoqërie të integruar dhe që garantojnë mosdiskriminimin dhe barazinë e plotë para ligjit. Deri në këtë pikë ndajmë, besoj, të gjithë pak a shumë të njëjtin vullnet dhe mendim për ta miratuar një draft të tillë.

Ajo që më ka shqetësuar seriozisht në përmbajtjen dhe trajtimin e këtij ligji është mosnjohja në shkallën e duhur e realitetit shqiptar lidhur me këto pakica.  Ndonëse në relacion përmenden konsultime me aktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përmbajtja e relacionit është një bricolage paragrafësh copy-paste të cilët përsërisin njëri-tjetrin, pa dhënë një pasqyrim konkret të situatës multikulturore e gjuhësore me të dhëna që duhej të buronin nga raporte me kredibilitet të lartë shkencor të certifikuar. Pa mohuar kontributet e përmendura në Relacion, një projektligj i tillë nuk do të duhej të na paraqitej pa hulumtime të reja dhe statistika zyrtare që vijnë nga institucione si Akademia, Qendra e Studimeve Albanologjike, katedra universitetesh, institute kërkimore në fushën e problematikave sociale, ekonomike e kulturore etj.

Po veçoj disa problematika mjaft të rëndësishme në syrin tim.

  1. Deri më sot në Shqipëri është folur për minoritete kombëtare, me të cilat identifikoheshin pakicat greke, maqedone dhe serbo-malazeze. Më tej njiheshin pakicat etno-gjuhësore me të cilat identifikoheshin vllehët dhe romët, si dhe njiheshin si komunitete boshnjakët dhe egjiptiane. Kjo ndarje trijare, e cila mbështetej mbi kritere historike, gjuhësore e kulturore, është eliminuar në ligj, përmes përdorjes së termit ombrellë pakicë kombëtare. Futja nën një ombrellë është një deformim shkencor historik, etnik kulturor, gjuhësor e gjeografik, i vetë këtyre pakicave dhe raportit të tyre me entitetin kombëtar, e bërë kjo ndoshta nga pragmatizmi semplist i plotësimit të këtij prioriteti të vënë si kusht. Në fakt, në qasjen historike dhe traditën shtetformuese termi minoritet parakuptonte një pakicë kombëtare që ka vijimësi territoriale me trungun amë, në dallim nga pakicat e tjera që nuk kanë vijimësi territoriale, por ekzistojnë në formën e enklavave apo të shpërndara në territorin indigjen.

Bërja bashkë e të gjitha pakicave duke përfshirë si pakicë kombëtare edhe romët edhe vllehët, egjiptianët etj., të cilët nuk kanë ose nuk ruajnë lidhje amësie me një komb të caktuar, por janë trajtuar si produkte historike etno-gjuhësore krijon një problem konceptual në ligj. Këto pakica trajtohen shkencërisht si pakica Ergo Dachlos (pa Çati), për të përdorur një term nga fusha e sociolinguistikës. Studiuesit i trajtojnë (Vaigandi) vllehët (gjermanishtja ose keltishtja=i huaj) si popuj të Ballkanit të romanizuar (ilir, trakë), përfshirë këtu edhe vetë kolonizatorë romanë që u vendosën rrugëve kryesore për të garantuar lëvizjet e ushtrive  në këto akse. Por me krijimin e Shtetit të ri rumun u investua edhe në tezën tjetër për ta lidhur prejardhjen e tyre me arumunët.

Abdyl Frashëri hodhi idenë e një shteti vëlleh që do të shtrihej midis Shqipërisë dhe Greqisë. Po e jap këtë argument për të thënë se mund të flitet për vllehë si realitet etno gjuhësor, por jo detyrimisht /arumunë. Mendimi i shprehur se Konventa Kuadër ka vetëm një sintagmë për këto lloj komunitetesh, duke i quajtur Pakica Kombëtare, është i pavërtetë, jo vetëm prej faktit se ajo nuk është detyruese, por vetë kjo Konventë lë të hapur hartimin e ligjeve të veçanta në përputhje me specifikat e vendeve për këto komunitete. Rasti i arbëreshëve tanë, të cilët nuk quhen pakicë kombëtare, por pakicë gjuhësore me ligjin 482.

  1. Kriteri i vetëdeklarimit apo vetëidentifikimit është i pamjaftueshëm për të përcaktuar qenësinë si pakicë po të kemi parasysh realitetin shqiptar, se si mjaft shqiptarë për mbijetesë ndërruan emër e fe, apo siç është rasti i fundit me pasaportat e Bashkimit Europian (shqiptarët që vetdeklarohen si bullgarë për hir të marrjes së pasaportës bullgare). Ndaj ishte e nevojshme që kriterit të vetëdeklarimit t’i shtohej në kontekstin shqiptar kriteri i verifikimit mbi bazën e tri elementeve: gjuha, kultura, feja nga njëra anë, por edhe një kriter tjetër shumë i rëndësishëm, ai numerik, i cili përcakton në përqindje cilësimin si pakicë, ku ndonjë pakicë e përmendur në ligj nuk kap as shifrën e 200 banorëve. Si studiues dhe si qytetar them haptazi se çdo liri dhe mbrojtje e tyre dëshmon shkallë të lartë të tolerancës dhe demokracisë. Por si politikan po them gjithashtu se ku qëndron parimi i reciprocitetit midis vendeve të Ballkanit lidhur më pakicat kombëtare? Për shembull, mund ta njohim pakicën kombëtare bullgare edhe pse jemi në një situatë kreolizimi me përkatësinë ambigue të popullsive që konsiderohen maqedone, por përse Bullgarët nuk e njohin si pakicë kombëtare Mandricën apo Arbanasin? Pse Greqia nuk i njeh pakicat kombëtare, përfshirë dhe ato shqiptare që nga Spata në Athinë, Preveza, Igumenica, Filati, për të përmendur vetëm disa minoritete apo pakica etno-kulturore, ku qysh prej arvanitasve dhe roli i tyre për pavarësinë e Greqisë dhe diskutimi i gjuhës shqipe në Parlamentin grek të kohës, e deri sot e gjithë ditën nuk ka ligj për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre.
  2. Ligji ka përplasje midis të ashtuquajturave pakica në Nenin 3 dhe në nenin 14 ku përcaktohet se cili komunitet mund të quhet pakicë dhe të ketë të drejta (në rast se arrin 20% të numrit të popullsisë së njësisë vendore). Kësisoj i bie që vetëm Pusteci, Finiqi dhe Dropulli ta përmbushin këtë kriter. Praktikisht shumë pakica të përmendura më lart dalin vetveti jashtë parashikimit të ligjit për çështje të praktikës gjuhësore (sepse nuk e arrijnë 20% -shin në një njësi të caktuar vendore, ose sepse janë të shpërndarë, siç ndodh me romët, egjiptianët a vetë vllehët).

Në këto kushte ligji duhet t’i rishikojë këto çështje sidomos për ndarjen dhe klasifikimin e minoriteteve kombëtare mbështetur në të dhëna statistikore të verifikuara dhe të besueshme. Për sa u takon respektimit të të drejtave të tyre, të gjithë besoj jemi dakord. Po kështu, interesimi i përligjur, nganjëherë edhe i tepruar e kushtëzues nga vendet që kërkojnë  njohjen dhe respektimin e komuniteteve të tyre në Shqipëri, duhet të gjejë vullnet reciprok edhe për njohjen e komuniteteve shqiptare në këto vende.

Lidhur me përgjegjësitë që u ngarkon ky ligj Këshillit të Ministrave dhe institucioneve të tjera përkatëse për të detajuar këto problematika, duhet bërë shumë kujdes në qartësimin e ambiguiteteve apo “lëshimeve” që mund të bëhen rast pas rasti. Pra liria dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave të mos shndërrohet as në paragjykime e as në lëshime për shkak të trysnive të jashtme, por të jetë produkt i demokracisë për bashkëjetesën e kulturave dhe përfitimin e ndërsjellë të shoqërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here