Kërkesa për konsensus / Ja tri opsionet e opozitës ndaj qeverisë

0
127

Florenc Drizari

Demokratët pohojnë se qeveria nuk u është përgjigjur thirrjeve të opozitës për konsensus

 

1553441_10152182346954909_938880238_oPas kërkesës së kreut të opozitës, Lulzim Basha, për rikthimin e konsensusit politik me mazhorancën, ende mes PD-së e PS-së nuk ka një marrëveshje apo ulje në tryeza diskutimesh për reformat në vend. Në deklaratën e fundit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u kërkohej krerëve të mazhorancës një reflektim pas protestës së zhvilluar nga opozita më 20 shkurt, si dhe një qasje ndryshe me pakicën parlamentare për një sërë vendimesh.

Në tërësi, Basha kishte renditur pesë pika në të cilat kërkohej rikthimin e konsensusit politik për nëpunësin civil dhe ulja në tryezë për të filluar negociatat lidhur me reformën administrativo-territoriale. Pas këtij qëndrimi, ende PD e PS duken larg një marrëveshjeje të mundshme. Burime brenda Partisë Demokratike bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur negociata me mazhorancën, edhe pse opozita protestoi në sheshet e Tiranës dhe bëri thirrje për bashkëpunim me qeverinë. Aktualisht, opozita shqiptare pritet të vendosë ditën e hënë se cili do të jetë qëndrimi zyrtar që do të do të ndjekë me qeverinë.

Të kontaktuar nga gazeta, disa deputetë të PD-së duket se ndajnë dy qëndrime të ndryshme. Një pjesë e tyre theksojnë se ndaj vendimeve të shumicës parlamentare është e drejtë që të mbahet një ashpërsim i lëvizjeve opozitare, duke filluar me bojkotin e Kuvendit dhe rikthimin e protestave derisa mazhoranca të reflektojë mbi kërkesat e opozitës. Këtë qëndrim ata e argumentojnë me “indiferencën” e mazhorancës përballë deklaratave të krerëve të opozitës. Por përballë këtij qëndrimi, ka deputetë të PD-së të cilët vënë theksin tek ashpërsimi i qëndrimit opozitar në Kuvendin e Shqipërisë me një monitorim të fortë të vendimeve të fundit, duke i bërë ato sa më transparente përballë opinionit publik. Gjithashtu, deputetët e PD-së propozojnë një komunikim më aktiv me qytetarët si dhe dërgimin e çështjeve në gjykata e prokurori, por edhe duke iu drejtuar shoqërisë civile. Më herët janë disa vendime të qeverisë të cilat janë ankimuar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Një ndër to ishte edhe akti normativ për nëpunësin civil, vendim të cilin Gjykata vendosi rrëzimin e tij. Ndërkaq, nisma të tjera të opozitës në Gjykatën Kushtetuese janë ato që lidhem me vendimet e qeverisë për të ndryshuar projektbuxhetin e vitit të kaluar dhe çështja për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së. Lidhur me këtë të fundit, mazhoranca ndryshoi kërkesën, duke votuar lirimin e Zana Xhukës në Kuvendin e Shqipërisë me argumentimin se ajo ishte emëruar në këtë post në kundërshtim me ligjet e vendit. Përballje tjetër mes pozitës dhe opozitës është edhe çështja e reformës administrative-territoriale. Më herët mazhoranca ka zhvilluar mbledhjen e parë të komisionit të posaçëm parlamentar, ndërkohë që opozita nuk ka marrë pjesë. Madje, përfaqësuesit e PD-së, e quajnë të paligjshëm komisionin, për faktin se ai nuk është miratuar me konsensus. Sipas opozitës, mazhoranca duhet të japë garanci për votimin e produktit të komisionit për ndarjen administrativo-territoriale të vendit deri në votim në Kuvendin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, përfaqësues të qeverisë kanë vënë theksin se pakica parlamentare është përfaqësuar në këtë komision me të drejta të barabarta.

 

 

 

1. Opozitë e fortë në Parlament

2. Komunikim intensiv me qytetarin

3. Denoncime në gjykata, prokurori dhe në shoqërinë civile

 

5 Kërkesat e opozitës ndaj Ramës

1. Të tërheqin menjëherë projektligjin famëkeq që synon shkatërrimin e ligjit konsensual “Për nëpunësin civil”

2. Të zbatojnë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e nëpunësit civil

3. Të ndalin menjëherë luftën politike dhe personale kundër institucioneve të pavarura

4. Të pranojnë konsensusin politik me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territoriale-administrative

5. Të ulen dhe të përcaktojnë bashkë me opozitën një plan të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit në BE

 

Paloka: Do të rishohim qëndrimin ndaj Parlamentit

 

Pas vendimit të Parlamentit për shkarkimit të kryeinspektores së ILDKP-së, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, paralajmëroi ndryshime në marrëdhëniet e opozitës me Kuvendin e Shqipërisë. Duke e quajtur vendimin e shumicës parlamentare për shkarkimin e Xhukës si antikushtetuese dhe tendencë për të kapur institucionet e pavarura, Paloka paralajmëroi mazhorancën për një bojkot të mundshëm të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë.

“Në këto kushte, kur kjo mazhorancë po e bën Parlamentin Shqiptar të paqenë, në këto kushte kur opozita dhe populli shqiptar injorohen dhe përbuzen në këtë mënyrë, me arrogancë nga kjo mazhorancë, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike unë deklaroj se grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të rishohë qëndrimin e tij ndaj Parlamentit shqiptar”, – deklaroi Paloka dy ditë më parë. Kreu i grupit parlamentar demokrat kritikoi ashpër mazhorancën e majtë për shkarkimin e Xhukës. Sipas tij, vendimi i marrë në seancën e fundit plenare ishte në kundërshtim me çdo procedurë parlamentare dhe ligj të vendit.

 

 

PS: Opozita, politikë dhe aleancë me krimin

Partia Socialiste reagoi një ditë më parë në lidhje me akuzat e opozitës lidhur me situatën e kriminalitetit në vend. “Opozita ka zgjedhur të bëjë politikë dhe aleancë me krimi, ndërsa ka disa muaj që është kthyer në zëdhënësin e kronikës së zezë”. Kështu u shpreh deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, e cila në një deklaratë dhënë për mediat theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vendosur e rivendosur rendin dhe sigurinë në vend, e lënë sipas saj, si mos më keq nga qeveria “Berisha”.

Në deklaratën e dhënë nga selia e PS-së, deputetja e PS-së u shpreh se koha kur Ministria e Brendshme mbante të fshehta shifrat e kriminalitetit ka ikur, “që nga dita kur zoti Ristani dhe zoti Flamur lanë pushtetin pas 1 milion shuplakave. E vetmja gjë që bëjnë është të monitorojnë lajmet dhe sa herë ndodh një aksident apo një krim, me vrap dalin në ekran për t’ia përcjellë lajmin publikut, a thua se përndryshe media nuk informon. Zotërinjtë e opozitës duhet ta kuptojnë se të vrarët e plagosurit nuk janë shifra, por njerëz, ndaj me ta nuk mund të luhet”, – tha Felaj.

“Mazhoranca është e vendosur të luftojë jo vetëm krimin, por mbi të gjitha shkaqet e krimit, shkaqe që e kanë zanafillën tek mungesa e shtetit, aleanca e zyrtarëve të policisë me krimin, dhe mbi të gjitha tek kultura e pandëshkueshmërisë që qeverisja që lamë pas kishte rrënjosur. Seriozitetin e punës së strukturave të policisë, e tregoi edhe aksioni i suksesshëm që çoi në pranga autorin e krimit te djeshëm”, – përfundoi deklaratën për mediat deputetja e PS-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency