Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën godet një tjetër rast të “Trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
Sekuestrohen 34 pako me peshë 61 kg e 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Arrestohet në flagrancë një shtetas.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Kapshticë, në vijim të punës së tyre për evidentimin dhe goditjen e rasteve të prodhimit, shitjes e trafikimit të lëndëve narkotike, gjatë ditës së sotme në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit :
Klajdi Beqir, 29 vjeç, banues në Korçë.
Më datë 22.10.2017, ky shtetas u paraqit në dalje të Republikës së Shqipërisë, me automjetin tip “Opel Zafira” me targa AA304PT.
Nisur nga dyshimet e shfaqura se në këtë mjet mund të ishte fshehur lëndë narkotike shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Doganës bënë përzgjedhjen e tij për verifikim në vijën e dytë.
Gjatë kontrollit të detajuar përfshi edhe procesin e skanimit të kryer janë konstatuar në brendësi të dyshemesë dhe në fenerët e pasëm të mjetit pako të dyshuara me lëndë narkotike .
Grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale gjithësej :
34 pako me peshë 61 kg e 400 gr, lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sativa.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.