Florenc Drizari
Flamur Noka: Kërkesa e PS-së, mllef dhe dëshirë për ta zaptuar institucionin
Zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, paralajmëron se opozita nuk do ta njohë ngritjen e komisionit parlamentar për kontroll në institucionin e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Pak ditë më parë, deputeti i PS-së, Piro Lutaj, ka kërkuar mbikëqyrje në këtë institucion nga një grup ligjvënësish lidhur me disa publikime të fundit të dala në media për përqendrimin e hetimeve të SHISH-it si dhe emërimet e fundit në SHISH. Kërkesa e tij është kundërshtuar nga deputetët e opozitës me argumentet se ajo është antiligjore.
Në një reagim për gazetën “Standard”, deputeti i opozitës, Flamur Noka, thotë se qëllimi i mazhorancës është presioni politik ndaj institucioneve të pavarura dhe nënshtrimi ligjor i tyre nën urdhrat politikë të Partisë Socialiste.
“Nuk mund të ketë komision të pabazuar në ligj. Ne jemi ligjvënës, jemi parlamentar dhe nuk mund të ketë çmenduri më të madhe se sa ligjvënësit të ngrejnë komisione punëtore fshatare të pabazuar në ligj. Ky komision që kërkon mazhoranca nuk ka asnjë lidhje me ligjin dhe është tërësisht jashtë ligjit”, – theksoi deputeti Noka.
Gjithashtu, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë paralajmëroi mosnjohjen e këtij komisioni, përbërja e së cilës është parashikuar më parë nga socialistët me tre deputetë për mazhorancën dhe dy nga opozita.
“Kjo kërkesë nuk mund të shqyrtohet në komision se nuk ka bazë ligjore, kështu që gjërat antiligjore sigurisht një komision që përbëhet nga njerëz të ligjit – siç janë deputetit nuk mund t’i marrin në shqyrtim, e jo më të krijohet komisioni.
Nuk është që ne e quajmë antiligjor, ajo letër e krijuar nga deputetët e mazhorancës është një letër bakalli e cila nuk ka asnjë vlerë ligjore sepse nuk ka bazueshmëri ligjore. Ajo kërkesë është thjeshtë e bazuar në disa dëshira për të zaptuar një institucion ose nga disa mllefe kundër këtij institucioni dhe nuk ka asnjë lidhje dhe bazë ligjore”, – deklaroi për gazetën, Flamur Noka.
Lidhur me shtyrjen e raportimit të kreut të SHISH-it, Visho Ajazi, një javë më parë në Komisionin e Sigurisë, për mungesë të certifikatës së sigurisë, deputeti i Partisë Demokratike e quan këtë një arsye absurde nga përfaqësuesit e mazhorancës me qëllim për të shmangur komentet e tij. Sipas Nokës, kreu i Shërbimit u tregua i gatshëm për të raportuar para deputetëve dhe kërkesa për certifikatë sigurie ndaj Drejtorit të SHISH është e pabazuar për faktin se në bazë të ligjit për Shërbimin dhe informacionin e klasifikuar, edhe referuar një VKM-në të vitit 2001, krerët e institucioneve të tilla kanë të drejtën dhe autorizimin e përpunimit të informacioneve të klasifikuara pa pasur nevojën për certifikate, për sa kohë ata gëzojnë të drejtën e certifikatës teksa ushtrojnë punën e tyre.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë, por është një sajesë për t’ju kapur pas një ideje të paqenë dhe për të sulmuar dhe futur në kthetra një institucion të tillë. Me këtë pretekst kërkuan certifikatën e kreut të SHISH megjithëse kreu i shërbimit kërkoi kohë që të niste procedurat teknike, edhe pse kërkesa e mazhorancës ishte absurditet. Kreu i Shërbimit u krijua shumë luajal për të respektuar deputetët e komisionit për t’u pajisur me këtë certifikatë dhe nga ana jonë iu dha kohë dhe nuk u caktua afat.
Kërkesa nuk ka lidhje me atë që kërkojnë se informacionet mund t’i marrin edhe me shkrim, e kanë këtë të drejtë dhe ne kemi marrë informacione me shkrim, por teoria e tyre është për të ngritur një komision kontroll punëtor fshatar për të shkuar si njëherë e një kohë dhe për të kontrolluar ose për të sulmuar një institucion dhe për ta gllabëruar në kthetrat e partisë”, – deklaroi ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka.
Më herët në mbledhjen e fundit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputetët e mazhorancës u shprehën pro kërkesës për të mbikëqyrur nga afër punën e kreut të SHISH-it, por theksuan nevojën e një kërkese me shkrim në komision, ndërkohë që deputetët e opozitës kundërshtuan nismën duke e quajtur një sulm ndaj institucioneve të pavarura.
Propozimi i PS-së ndaj SHISH-it: Komision parlamentar me 5 deputetë
Pak ditë më parë, mazhoranca zyrtarizon nismën për të kontrolluar Shërbimin Informativ Shtetëror. Deputetët e PS-së depozituan kërkesën në Kuvend përmes së cilës propozojnë ngritjen e një komisioni parlamentar për të kontrolluar nga afër ligjshmërinë e veprimeve të SHISH-it, si edhe udhëzimin për përgjimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Sipas kërkesës, komisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita dhe ai do të kërkojë verifikimin e ligjshmërisë të Shërbimit Sekret dërguar drejtorive të SHISH-it, ku kërkohet informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore te emëruar në pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit si dhe të gjitha veprimet apo mosveprimet e ndërmarra nga SHISH në zbatim të kësaj kërkese. Kërkesa e firmosur nga deputeti socialist Piro Lutaj jep arsyet edhe për nismën në kuvend për grupin e kontrollit ku thuhet: “Nisur nga fakti se në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë nuk u morën përgjigje për shkak të mospasjes së certifikatës së sigurisë nga kreu i SHISH për t’u njohur me dokumentacionin sekret, është e nevojshme kryerja e kontrollit në ambientet e këtij shërbimi”.
900 mijë fansa në “Facebook”, Berisha: Jemi rrjeti me rritjen më të shpejtë
“Urime Urime! Sot u beme 900 mije! Gezuar miq!”,-ky ishte vlerësimi i ish-kryeministrit Sali Berisha në rrjatin social “Facebook”. Pas falëndrimit të miqve vitualë, Berisha thotë se rrjeti i tij social është rrjeti me rritjen më të shpejtë.
“Ne nje hark kohor 15 mujor dhe nje rritje mesatare ditore pothuaj prej 2000 miqsh ne jemi sot rrjeti me rritjen me te shpejte (ne proporcion me popullaten) dhe me te madhe ne fushen politike se sa çdo rrjet tjeter social ne FB. Rrjeti yne eshte njeri nga 6-7 rrjetet e vetme te fushes te verifikuara “v” nga FB ne Europe. Magjia e rrjetit tone jeni ju, qe me entuziazmin, energjine, perkushtimin dhe komentet tuaja per te vertetat e statuseve te tij, e bete ate te kryesoje per shpejtesine dhe permasat e rritjes, interesin e madh, te gjitha rrjetet e tjera.
Duke shprehur respektin dhe mirenjohjen me te thelle ndaj secilit prej jush ju ftoj te vazhdojme se bashku krenar me rrjetin tone e te behemi sa me pare nje milione miq ne FB tone! GEZUAR!”, – ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Pas Berishës për nga numri i lartë i miqve në “Facebook”, vjen Kryeministri Edi Rama me 612.696 ndjekës. I treti në listë rendit kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me 497.588 miq në rrjet. Aktualisht rrjetet sociale, si “Facebook” apo “Twitter”, janë kthyer në mjete të suksesshme informimi ku politikanë të shumë edhe në Shqipëri, shprehin mendimet e fundit për ngjarje të ndryshme politike në vend.