Lufta në Siri / Grupi i terroristëve rrjet që funksiononte prej vitit 1999, në financimin të “Al-Kaedës”

0
188

Anxhela Tato

Prokuroria zbardh emrat e 5 shqiptarëve që rekrutojnë dhe stërvitin ushtarët në Shqipëri dhe Siri

Ushtarët shqiptarë luftojnë në Siri pro grupit terrorist të njohur si “Al-Nusra”

 

timthumbGrupi i terroristëve ka funksionuar si rrjet që prej vitit 1999 duke u financuar nga fondacione të ndryshme dhe celula radikale, të cilët janë të lidhura me grupin e “Al-Kaedas”. Nga hetimet, është provuar se të gjithë besimtarët mysliman të dërguar nga Shqipëria për të luftuar në Siri nuk luftojnë në krah të ushtarëve të lirisë, opozitës siriane kundër regjimit të Bashar Al-Asadit. Ata luftojnë në krah të grupit militant i lidhur me “Al-Kaeda-n” dhe njihet me emrin “Al-Nusra”. Ky grup, që drejtohet nga emiri Abu Mohammad al-Jaëlani dhe përbëhet nga muxhahedinë islamik sunit. Qëllimi i tyre është për të përmbysur qeverinë e Asadit dhe për të krijuar një shtet pan-islamike në bazë të Sheriatit (kodi moral dhe ligji fetar i Islamit) dhe ka për qëllim për të rivendosur Kalifatin. Ky grupi, është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, SHBA-ja, Australia dhe Britania si organizatë terroriste.

Hetimet

Prokuroria pohon se Imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, Genc Balla i njohur edhe si Sheh Abdurrahim Balla dhe Imami i vetëshpallur i xhamisë së fshatit Mëzëz Bujar Hysa i njohur si Ebu Usama si dhe teologu Orin Reçi, tashmë të arrestuar janë personat kryesor të këtij rrjeti në Shqipëri. Këta të dyshuar me ndihmën e të arrestuarve të tjerë, rekrutonin, stërvitnin, financoni udhëtimin e tyre deri në Turqi. Për të mbërritur në destinacion, të dyshuarit përveç udhëtimit nga Tirana dhe Prishtina drejt Turqisë, në disa raste përdornin edhe rrugën tokësore, Tiranë-Pogradec-Maqedoni-Bullgari-Turqi. Besimtarët mysliman i prisnin bashkëpunëtorët e imamit, Gert Pashja i njohur me emrin fetar Ebu Muxhahidi dhe që mendohet se është imam në kampin ku stërviten shqiptarët që përfundojnë në zonën e luftimeve në Siri. Pas stërvitjes, besimtarët dërgohen në zonën e Alepos në Siri, ku ndaheshin në dy grupe, njëri i drejtuar nga ish-imami i xhamisë së Leshnicës së Pogradecit, Almir Daci, i njohur edhe si Ebu Belkisa ose Haliti nga Pogradeci dhe grupi tjetër në krah të grupit të drejtuar nga një emir turk, ku zv/komandanti i këtij grupi është shqiptari nga Elbasani, i njohur me emrin Zeyd Al Albani. Financimi apo ndihma e dhënë ndaj organizatës “Al-Nusra”, prej të arrestuarve dhe të shpallur në kërkim, është cilësuar tashmë vepër penale e terrorizmit, akuzë për të cilën do të përgjigjen të dyshuarit që rrezikojnë dënimin nga 10 deri në 25 vjet heqje liri. Gjatë viteve 2012-2013 në Rinas janë zmbrapsur rreth 10 persona që vinin nga Turqia në Shqipëri, që mendohet se vinin për të financuar dhe bashkëpunuar me këtë grup në rekrutimin e personave që do niseshin për në Siri. Në lidhje me 6 personat e tjerë që janë në kërkim mendohet se kanë bërë të njëjtën gjë në Kosovë dhe Maqedoni, përhapje të ideve dhe rekrutim të personave që më pas dërgoheshin nga Rinasi në drejtim të Turqisë. Nisja bëhej me grupe nga 2-3 persona.

 

Imami Balla

Ekstremisti që nxiste Islamin e dhunshëm dhe propagandonte pro luftës në Siri

Imami i vetëshpallur Genci Balla është anëtar i një rrym radikale ekstremiste, e cila predikon dhunën kundër shtetit dhe mbizotërimin e ligjit islam mbi qeverinë dhe demokracinë. Burime nga organi i akuzës e identifikojnë Ballën si një nga imamët më ekstremistë, i cili prej gjashtë vjetësh ishte aktivizuar në qarqet e indoktrinimit dhe rekrutimit të shqiptarëve, të cilët dërgohen si ushtarë mercenarë në luftën në Siri. Nga të dhënat e akuzës mësohet se Balla ka përfunduar studimet në Arabinë Saudite dhe këtu ai ka rënë në kontakte me anëtarë të një rryme radikale, të cilët e kanë indoktrinuar me principet e Sheriatit dhe fesë islame të dhunshme. Balla është një ndër aktivistët më të flaktë të luftës në Siri, duke propaganduar dhunën ndaj shtetit ligjor dhe organeve të demokracisë, nxitjen e urrejtjes kundër kulteve të tjera fetare dhe përhapjen e mesazhit për bashkimin e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është zbuluar kontributi i fuqishëm dhe bashkëpunëtorët e Ballës në dërgimin e ushtarëve shqiptarë në Siri. Faqet e uebeve, videot në Youtube dhe libri fetar janë disa nga provat kyçe të organit të akuzës në dosjen voluminoze të terroristëve. Për t’i shërbyer principit të Sheriatit dhe idealeve të grupeve radikale Genci Balla arriti që në formë ilegale të hapte një shkollë islami brenda ambienteve të Xhamisë. Në këtë shkollë jepeshin leksione indoktrinimi për të “besuarit”, me të cilët do të dërgoheshin ushtarë në Siri. Gjithashtu nxënës të kësaj shkolle ishin edhe fëmijë, përfshirë këtu djalin e imamit të vetëshpallur. Genci Balla nuk ka lejuar fëmijët e vet që të vijonin studimet në shkollat shqiptare, sepse imami ishte për mosnjohjen e shtetit, mosnjohjen e Komunitetit Mysliman.

 

Kallëzimi

Dylber Shuli: “Genc Balla rekrutoi dhe dërgoi në Siri djalin tim bashkë me familjen”

Familja Shuli nga Fshati Gurras i Zagrocanit, akuzon imamin e vetëshpallur të Xhamisë së Unazës së Re, për rekrutimin dhe dërgimin e djalit në Siri. Kryefamiljari Dylber Shuli tregon detaje të ikjes së djalit dhe kallëzimin ndaj Genc Ballës. Ndërkohë, kryeplaku i fshatit tregon se nga Gurrasi kanë ikur në Siri 5 të rinj. Imami i vetëshpallur Genc Balla, i njohur mes myslimanëve edhe me emrin Shehj Abdurrahim Balla do të përballet edhe me një denoncim të ri. I arrestuar për terrorizëm dhe pas kallëzimit të shkodranit Mani për dërgimin e ish-bashkëshortes dhe djalit të tij 4 vjeç drejt Sirisë, Dylber Shuli nga Gurrasi i Librazhdit akuzon imamin e Xhamisë së Unazës së Re. Shuli thotë se Balla i rekrutoi dhe i dërgoi në Siri djalin e tij, Krenar Shuli, së bashku me familjen. Sipas plakut, nga Rinasi djali u largua drejt Turqisë më 24 tetor të vitit të kaluar së bashku me tre fëmijët dhe gruan. Për këtë ai nuk mori miratimin e familjarëve. Nëna e Krenar Sulit, Asija edhe pse flet herë pas here në telefon me djalin, është në merak dhe kërkon të kthehet. Ajo pretendon se djalin e kanë mashtruar, pasi vetëm 6 klasë shkollë kishte. Për kryeplakun e fshatit, Altin Beqiri, dërgimi i të rinjve është bërë si aventurë në zonën e tyre. Ai pranon se nga fshati kanë ikur në Siri rreth 5 të rinj. Prokuroria për Krime të Rënda pritet që të administrojë në dosje kallëzimin e familjes Shuli të dorëzuar tashmë në Prokurorin e Pogradecit