Lëvizja Socialiste për integrim e cilëson si absurde situatën më të fundit të krijuar në vend në lidhje me debatet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe plotësimin e vendeve në institucionet e drejtësisë.
LSI ka konkluduar se në këto raste është cënuar Kushtetuta, ka hipokrizi dhe është shqelmuar fryma e konsensusit.
“Trusti i drogës për të shmangur përballjen me drejtësisë po tenton të kapë drejtësinë, që pas qeverisë së drogës të kemi edhe institucionet e drejtësisë të kapura nga trusti i drogës. Dhe pastaj krijohen absurditete të tilla, kur një pjesë e policisë shpall në kërkim pjesën tjetër të saj”, tha në emër të LSI-së, Luan Rama, zv.kryetar i kësaj partie.
Në vijim ai shtoi se patentat e krimit dhe të drogës të humbura rrugës nuk do të gjejnë asnjë shpëtim nga makinacionet që po bëhen për të kapur reformën në drejtësi. Ai bëri të ditur se një mision faktmbledhës nga SHBA ka ardhur në Shqipëri edhe për këto shqetësime të krijuara së fundmi, ndërsa shtoi se do t’i njohë ata me situatën reale që po kalon vendi dhe përpjekjet që po bëhen për kapjen e drejtësisë.
“Të mos i shohim zyrat e ndërkombëtarëve si orakullin e shpëtimit, pasi edhe ata njerëz janë dhe nuk janë të imunizuar kur jetojnë në një ambient të kontaminuar nga krimi dhe droga”, tha Luan Rama.
Ai shprehu vendosmërinë e LSI për të zbatuar në çdo gërmë frymën e Kushtetutës. Sipas tij, vendosmëria dhe rezistenca ndaj të keqes, është misioni kryesor dhe atdhetar për të moslejuar që qeveria e drogës të kapë edhe drejtësinë.
“Jemi në një situatë absurde kur festat dhe përqafimet në llozhën e Kuvendit kur u miratuan ndryshimet Kushtetuese, janë zëvendësuar nga hipokrizia, hiletë dhe përpjekjet tinzare për të korruptuar proçesin dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Edhe sot kemi pasur të njëjtën qasje nga ana e mazhorancës, në të ashtëquajturin short për anëtarët e institucioneve të drejtësisë, KED. Mazhoranca u soll me arrogancë dhe produkti i një proçesi që nisi në mënyrë të dështuar përfundoi në mënyrë të dështuar. U zgjodhën njerëz me penalitete, që nuk plotësojnë kriteret. Me shumë tinzarllëk dhe me shumë hile dëgjuat dje një propozim për një pakt për zgjedhjen e kryeprokurorit. Por edhe kjo ishte një përpjekje me hipokrizi, pasi u ushqye opinioni sikur ne jemi për zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit aktual apo për emrin e kryeprokurorit të ri. Ne nuk kemi asnjë problem të tillë, por kemi problemin e proçesit”, tha Rama.