Në shumicën e rasteve mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Territorit po bëhen në mungesë të plotë transparence dhe jashtë vëmendjes së publikut. Vendime të rëndësishme, si ato për kullat shumëkatëshe që do të ndërtohen në Tiranë, apo leje për fshatra turistikë, kanë kaluar në heshtje të plotë këtë vit.
Një muaj më parë në 10 nëntor KKT që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama miratoi 2 leje zhvillimi, për dy objekte shumëkatëshe që do të ndërtohen në zonën e ish-Bllokut. Të dyja lejet i përkasin një kompanie, e cila sipas dokumenteve zyrtare të QKR-së është themeluar në nëntor 2016.
Ndërkohë, një tjetër leje ndërtimi është dhënë për një kompleks gjigant deri në 24 kate që do të ngrihet në Rrugën e Kavajës në truallin e ish-Muzeut të Shkencave të Natyrës. Emri i projektit është “Garden Building”.
Edhe për kulla të tjera që do të ndërtohen në Tiranë, mbledhjet Këshillit Kombëtar të Territorit janë zhvilluar pothuajse në fshehtësi. Në prill të këtij viti kaluan lejet për një godinë 35 kate ngjitur me Hotel Tirana dhe projekti “DownTown Albania”, një godinë me lartësi rreth 135 metra, që do të ndërtohet tek këndi lojërave “7 Xhuxhat”, tek kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me Unazën e Tiranës.
Në mungesë të plotë transparence është bërë edhe mbledhja e 16 tetorit e KKT-së, ku janë dhënë disa leje për fshatra turistikë. Njëri që do të ndërtohet në Ksamil të Sarandës, ndërsa për një kompleks turistik në Jalë edhe dhënë leja e zhvillimit.
Në të njëjtën datë, Këshilli Kombëtar i Territorit ka vendosur shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit për një fshat turistik në Ishëm të Durrësit shkruan tch.
Ligji i planifikimit urban detyron, Agjencinë e e Zhvillimit të Territorit të publikojë në Regjistrin Kombëtar të gjitha vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit 10 ditë pas miratimit, por në faqen zyrtare të kësaj agjencie vendimet e fundit janë ato të korrikut 2017, të cilat gjithsesi janë marrë në mbledhje jopublike./tch/