Një gomone e mbushur me kanabis sativa është ndaluar mbrëmjen e kësaj të shtune në brigjet italiane, ndërsa në pranga kanë rënë edhe tre trafikantë shqiptarë.
Sipas të dhënave paraprake, mësohet se gomonia, rreth 9 metra me dy motorë të fuqishëm fuoribordo, ishte e ngarkuar me lëndë narkotike të llojit marjuanë.
Ndërsa në bordin e saj ishin tre shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur ende.
Gomonia me lëndën narkotike është ndaluar në zonën e Salentos, mes San Cataldo dhe Sant’Andrea në Leçe të Italisë.
Sipas asaj që bën të ditur Policia e Shtetit, pas një hetimi të gjatë dhe informacionesh operative të marra dhe shkëmbyer midis Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antidrogë.
Avioni i Guardia di Finanza është vënë në ndjekie të gomones në ndihmë të njësive detare të Guardia di Finanza të Pulias që e kanë bllokuar në pjesën e poshtme të Adriatikut.
Ndërkohë sasia e lëndës narkotike ende nuk dihet pasi nuk është peshuar akoma.
Ndërkohë policia e shtetit thekson se “nuk mund të japim detaje të mëtejshme për shkak të sekretit të hetimit me palën italiane.”