Bisedime mes Koreve, Veriu pranon ftesën e Seulit

0
179

Koreja e Veriut ka pranuar një ofertë për të marrë pjesë në bisedimet e nivelit të lartë javën e ardhshme, thanë zyrtarët koreanojugore. Takimi më 9 janar do të fokusohet në gjetjen e një mënyre që atletët koreanoveriorë të marrin pjesë në Lojërat Olimpike dimërore në Korenë e Jugut, në shkurt.

Lideri koreanoverior Kim Jong Un tha këtë javë se dërgimi i një delegacioni në lojëra do të ishte një mundësi e mirë për të treguar unitetin e popullit. Takimi pritet të mbahet në Panmunjon, në kufi. Këto do të jenë të parat bisedime të nivelit të lartë mes Koreve, që nga dhjetori 2015. Nuk është bërë ende e qartë se kush do të marrë pjesë. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae In ka thënë më herët se ai i shikon olimpiadat dimërore si një shans i shkëlqyer për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, që teknikisht janë ende në luftë mes tyre.

Sidoqoftë, shumëkush ka sugjeruar se pranimi i Koresë së Veriut për të marrë pjesë në bisedime direkte me Seulin mund të prekë rolin e SHBA në bisedimet e ardhshme për paqe. Të tjerë, kanë shprehur ndërkohë dyshime për domethënien e lëvizjes. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis tha të enjten se marrëveshja ishte rezultat i presionit ndërkombëtar, por shtoi se ishte e paqartë nëse lëvizja ishte një degë dafine apo një kurth i Kim Jong Un-it.

Edhe Japonia tha se vendi do të mbetej vigjilent dhe se Koreja e Veriut duket se ka si qëllim të vijojë me programin e saj të armatimit. Panmunjon, i ashtuquajturi fshat i paqes, në zonën e demilitarizuar që mbahet nën mbikqyrje të rreptë është vendi ku të dyja palët kanë mbajtur historikisht bisedime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here