Arshi Pipa
Çfarë është mendimi? Ai është një prodhim, si gjithë të tjerët, një fenomen i evolucionit, hallka e fundit e një zinxhiri shkaqesh që kanë ardhur duke u zhvilluar përgjatë miliona vjetësh, burimi i përbashkët i të cilëve është material. Nëse çdo qenie reale është dukuria e asaj që përbën materien, dua të them energjia, mendimi do të jetë një formë energjie, ndërmjet shumë formave të tjera që gjenden në realitet. Mendimi është forma më e lartë e energjisë, format e ndryshme të të cilit janë vetëm transformime.
Unë identifikohem me trupin tim të gjallë, nuk jam asgjë më tepër se ai. Që, edhe mbas shpërbërjes së trupit tim, unë do të vazhdoj të ekzistoj, kjo është për t’u diskutuar: sidoqoftë, nëse mbijetesa e shpirtit është e vërtetë, kjo duhet të shpjegohet në bazë të ligjeve natyrore, që janë vetë ligjet e veprimit, gjatë jetës e mbas vdekjes. Ndoshta unë nuk do të di t’i gjej këto ligje. Por, a është kjo një arsye e mjaftueshme për të besuar se ligje të tilla mund të mos ketë, dhe që, për rrjedhojë, mbijetesa e shpirtit duhet të shpjegohet me ndihmën e një parimi të ndryshëm nga energjia materiale? Jo, kjo s’është një arsye e mjaftueshme, të paktën derisa unë të mos jap një provë bindëse se jo gjithçka në botë mund të shpjegohet me parimet natyrore. Parimin e energjisë unë e kam në veten time, e eksperimentoj në çdo çast: eksperienca ime, dhe jo vetëm e imja, më shtyn që ta mohoj një transcendencë e cila të mos jetë dhe imanencë. Por ka një arsye më të thellë që s’më lë të qetë, derisa unë mos të kem arritur te bindem për imanencën absolute, dhe është një arsye e karakterit të pastër moral: derisa të mos besoj se jam unë zot i fatit tim, se jam i lirë – në kufijtë e së mundshmes — që ta krijoj jetën time sipas kërkesave të mia më të thella njerëzore, unë nuk do të mund të kem kurrë respekt për veten time, asnjëherë nuk do të bindem se jam një subjekt jo vetëm teorik dhe artistik e fetar, po edhe, kryesisht, një subjekt moral, domethënë i tillë që t’i imponohem vetë natyrës që më ka krijuar dhe t’i diktoj asaj ligie të arsyes, megjithëqë e di se duhet t’u përshtatem ligjeve të saj të domosdoshmërisë natyrore. Prandaj unë do ta dua imanencën, do t’i besoj asaj: dhe do të bindem pastaj se ky besim nuk është i keqbazuar, por që, madje, nuk është veçse vetë rrënja e realitetit tim, e bërë ndjenjë tek unë dhe e zhvilluar në teori. Do të shihet që, nëse unë e dua imanencën, kjo do të thotë se unë të mund të bëj pa transcendencën, pa këtë mbështetje të rreme tek e cila mbërthehet bima e arsyes sime, që s’është rritur ende aq sa të mbahet vetë.
Trupi im është, pra, vetja ime, dhe trupi im është energji e organizuar. A do të pyes unë se çfarë është energjia? Edhe kjo më duhej, që të bëja këtë hap fatal, i cili më drejton tek ajo transcendencë që unë kam ndërmend ta mohoj, kur e dimë se energjia është vetë Qenia, është kategoria e kategorive e gjithçkaje që ekziston e që mund të mendohet.
Po të pyesja unë se ç’është Qenia, nuk do të mund të përgjigjesha, veçse me tautologjinë më absurde: Qenia është ajo që është! Dhe, përkundrazi, duke dashur të hiqem si mendimtar i madh, do të filloja të shpjegoja Qenien. Me çfarë tjetër do ta shpjegoja, përveçse me mosqenien? Duhej të thoja atëherë: Qenia nuk është materie, nuk është shpirt, nuk është vullnet, nuk është mendim, nuk është liri, as domosdoshmëri, as njësh, as shumëfish, e kështu me radhë. Gjë që në fund do të thotë: Qenia nuk është: Qenia është asgjëja. Të tilla akrobaci dialektike ka me shumicë në historinë e mendimit. Fantazma e “gjësë në vetvete” (agnostike), lind pikërisht nga kjo: më parë zhvishet Qenia nga të gjitha atributet, e pastaj habitemi që nuk gjejmë asgjë. Por asgjëja nuk mund të na bindë, sepse çdo gjë te ne, që nga trupi deri te mendimi, është pohimi i diçkaje, e atëherë imagjinojmë se nën atë që duket si asgjë, duhet të jetë patjetër diçka, që ne nuk arrijmë ta shohim: “gjëja në vetvete”. Kjo lloj “gjëje” do të jetë atëherë surrogati i transcendentes. Por unë nuk kam nevojë të dal jashtë meje për të gjetur Qenien. Prandaj do të them: vetëm Energjia ekziston me të vërtetë, dhe këtë energji unë e ndiej të gjallë në vete. Do të kërkoj të shpjegoj thelbin e saj, thjesht duke numëruar atributet e saj. Muri që kam përpara meje, nuk është asgjë më shumë sesa ajo që unë ndiej, perceptoj dhe konceptoj: energji që i reziston energjisë sime, që shprehet me disa elementë të kohës e hapësirës, formës e përmbajtjes, sasisë e cilësisë. Dhe po kështu jam për të edhe unë. Filozofia do të përpiqet që t’i përcaktoje këta elementë në marrëdhëniet e tyre për të përftuar kombinimin e një gjëje të caktuar.
Ontologjia reduktohet në gnoseologji. Çdo problem ontologjik që i pretendon të ketë zgjidhje të veçantë, domethënë që nuk zgjidhet si element njohjeje, është një pseudo problem që duhet të përjashtohet që në fillim. Metafizika ose do të jetë shkencë, ose ndryshe ajo nuk do të mund të ketë të drejtën për t’u quajtur e besueshme. Dhe, duhet bërë kujdes: shkencë nuk do të thotë rezultat definitiv, i bërë përfundimisht, por që bëhet në historinë e mendimit. Këtu ka rëndësi, së pari, drejtimi i saktë i kërkimit: po të marrim rrugën e drejtë, mund të kemi besim se për çështjet të cilave nuk u është dhënë ende zgjidhje në mënyrë të kënaqshme, do të arrihet herët a vonë zgjidhja: virtualisht ne e zotërojmë atë që kërkojmë.
Me problemin fals të Qenies transcendente është i lidhur koncepti fals i infinitit. Madje ky është burimi ku ushqehet vazhdimisht transcendenca. Duhet të lihet mënjanë një herë e përgjithmonë ky koncept fals dhe të mos përdoret në asnjë mënyrë. Infiniti nuk ekziston, ai është hija e pafuqisë – e deklaruar — e mendimit tonë, e mungesës së guximit të tij. Ekziston indefiniti, jo infiniti. Indefiniti është çfarë nuk është përcaktuar ende, domethënë që nuk është në zotërimin tonë ende, por që, një ditë, ka mundësi që të jetë. Është mbretëria e përafërsisë gjithnjë e më të i plotë dhe, prandaj, e mundësive të gabimit. Llogaritjet matematike të fizikës moderne jepen me një siguri të përafërt: a mos duhet të nxjerrim prej këtej përfundimin se atyre u mungon çdo siguri? Në këtë tendencë të fizikës moderne, – për të mos marrë një qëndrimin dogmatik që të supozojë një element gabimi edhe deri në arritjen e së vërtetës, – ne shohim mentalitetin filozofik, të cilin po fillon ta përvetësojë shkenca moderne, një element të ri me rëndësi historike, që është paracaktuar të ketë pjellorinë më të madhe.
Nuk do të shpenzojmë kohë këtu për t’i bërë kritikë konceptit të infinitit të tashëm, si një realitet i dhënë, një absurditet që tashmë është likuiduar nga filozofia bashkëkohore: infinit i tashëm do të thotë – siç thoshte Renouvier – një numër i panumërueshëm. Dhe, për infinitin potencial, do të themi se ai të çon te koncepti i së mundshmes. Por e
mundshmja, derisa të mos bëhet reale, është një koncept negativ. Shumë përfundime janë të mundshme kur ndërmerret një punë, por vetëm njëri do të jetë ai që do të realizohet; derisa ky njësh të mos jetë realizuar, mundësitë do të vazhdojnë të mendohen, por negativisht: mjafton që njëra nga ato të realizohet dhe të gjithë të tjerat do të digjen. Kështu, për mua janë të mundshme një mori veprimesh në një moment të caktuar:
në të vërtetë, unë do të bëj një veprim të vetëm, dhe do të bëj vetëm atë që mundtë bëj si rrjedhojë e disa kushteve të caktuara. Pse nuk ka qenë e mundur te realizohen veprimet e tjera? Sepse ato ishin vetëm virtualiteti nga i cili duhej të dilte realja. Le ta mohojmë realen e bërë dhe do të kemi, në të njëjtë’n kohë, infinitin e mundësive, d.m.th. infinitin potencial.
Dhe, sigurisht, koncepti negativ përdoret vazhdimisht në praktikë për nevojën e pohimit: ky e përmban në vetvete mohimin si një moment të tij të kapërcyer, si një virtualitet. Por, ta bësh diçka pozitive, reale, është një gabim i pafalshëm.
Koncepti i infinitit nuk i pëlqen arsyes sonë. Derisa të flitet për infinit matematik, ku, siç u tha, infiniti është thjesht një indefinit, ai mund të ketë një kuptim. Madhësia “II” mund të merret si shembull i këtij infiniti. Por, ajo që në matematike kërkohet nga nevoja për të kaluar më tej, duke qenë se numri është një madhësi jo e vazhdueshme, që ka nevojë për infinitezimalen, që lëvizja të bëhet e kuptueshme (problemet e Zenonit t’Eleas), nuk duhet të merret seriozisht në realitet, ku çdo gjë është e vazhdueshme, e lëvizshme: zgjidhja me anën e infinitit këtu nuk kërkohet më.
Kështu që, nëse universi është një Gjithësi, infiniti nuk mund të përfshihet në “Gjithësi”. Infinit do të thotë më shumë se Gjithësi: por një Gjithësi që rritet në një farë pjese të tij: por edhe kjo pjesë është në Gjithësi! Një absurditet. Po çfarë mund të jetë më shumë se Gjithësia, përveç Asgjësë?
*Shkëputur nga “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, traktat filozofik shkruar më 1955, në burgun e Burrelit