Kiço Londo çon Teatrin Shëtitës në Lazarat. Sigurisht e lehtë

0
158

Kico-Londo-Foto-ARKIV-ATSH-Është parë si tabu, gjë e rrallë të hyjë një “shqiptar” tjetër në Lazarat, përveç vendalinjve. Ka qenë Teatri Shëtitës i regjisorit Kiço Londo që dje ka qarkulluar lajmin, ndër më kryesorët, se ky vend mbetet një legjendë urbane. Nuk dihet kush i ka thënë regjisorit se aty mund të “vrasin” njerëz të thjeshtë, artistë apo ku dihet çfarë mund të bëjnë. Thjesht “legjenda” është pafuqia e shtetit për t’u përballur me njerëzit që merren me drogë në këtë zonë. Kaq është “legjenda”. Megjithatë, dje në një sallë të thjeshtë, janë mbledhur fëmijët lazaratas dhe kanë qeshur dhe pse janë konsideruar “të izoluar”!

Nuk mund të quhet heroizëm ky “gjest” i Londos, aq më tepër i ndihmuar e i mbështetur nga aktorja, njëkohësisht deputete e PS-së, Luiza Xhuvani. Çudia këtu merr fund. PS edhe pse në pushtet, nuk mund ta shohë Lazaratin, fjala vjen, si Indi, që po ndihmon fëmijët. Nëse do fëmijë të lirë, që lëvizin, që nuk kanë ndjenjën e prindërve të rrezikshëm le të funksionojë shteti ligjor, dhe jo ndihma diskriminuese si kjo e zonjës Xhuvani, që me artin s’ka lidhje. Teatri Shëtitës bën “detyrat” e tij jep shfaqje, është teatër privat dhe mund të shëtisë kudo. Nëse do të kishte frikë të shkonte në Lazarat, është shteti që t’i japë siguri e t’i garantojë të drejtat e liritë. Në të kundërtën nuk mund “të mburret” as Londo se u ndihmua nga një zonjë socialiste.

Megjithatë Londo gjithmonë e ka gjetur “gjuhën” me politikën, sidomos me të majtët, për t’i dhënë frymë teatrit. Dhe kjo është ndër të rrallat raste që kalaja i merret nga brenda politikës. “Shkuam me biletën e dashurisë edhe të fjalës së mirë, dhamë dashuri dhe fjalë të mira, morëm dashuri dhe shumë buzëqeshje. Ne nuk hymë në Lazarat, ne shkuam në Lazarat. Shkuam fare normalisht. Shijuam mikpritjen e Lazaratit, të drejtuesve të Komunës, të shkollës, të mësuesve dhe veçanërisht të nxënësve të klasës së parë deri në klasë të gjashtë. Ishte një shfaqje e plotë me të gjithë komponentët e saj. Nuk mungoi gjë si në një skenë të mirëfilltë. Na bëri përshtypje dëshira me të cilën ata hynë në teatër”, – tha Londo.