Pas deklaratave të Bankës Botërore se Shqipëria dështoi me objektivat për uljen e humbjeve të energjisë, reforma në energji, e trumbetuar nga qeveria si një nga sukseset e saj më të mëdha ka marrë një tjetër goditje të fortë.
Sekretariati i Energjisë në Vienë ka paditur Shqipërinë në Këshillin e Ministrave të Europës për dështim në liberalizimin e tregut të energjisë. Sekretariati e akuzon Shqipërinë se ka thyer, jo një, por tre detyrime që i rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë për procesin e liberalizimit të tregut, i cili duhet të ishte realizuar që në vitin 2015.
“Shqipëria ka dështuar të transpozojë nenin 26 të Direktivës së Komisionit Europian për energjinë elektrike mbi ndarjen ligjore dhe funksionale të Operatorit të Shpërndarjes,” thuhet në letrën që sekretariati i ka dërguar.
Sipas Sekretariatit, përveçse nuk miratoi në kohë ligjin, qeveria dhe OSHE dështuan edhe në ndarjen praktike të kompanisë, ndërsa vetë kompania nuk miratoi Oficerin e Etikës, një funksion kyç në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit, siç kërkohet nga Paketa e Tretë e Eneergjisë.
Sipas detyrimeve të Traktatit, Operatori i Shpërndarjes duhet të ishte ndarë në dy kompani, një tregtare dhe një teknike, të cilat duhet të funksiononin si të pavarura nga njëra tjetra.
“Ndarja e Operatorit të Shpërndarjes është një nga elementët kryesore në liberalizimin e tregut të energjisë dhe ka qenë i detyrueshëm që në vitin 2015,” thuhet në padinë e hapur nga Sekretariati i Energjisë kundër Shqipërisë dhe OSHE-së.
Ndarja e Operatorit të Shpërndarjes rrit transparencën, ul kostot për qytetarët dhe kufizon hapsirat për abuzime. Zvarritja e ndarjes së OSHE duket se nuk ka qenë e rastësishme. Kjo do të ulte, fuqinë e kompanisë, por mbi të gjitha do të kufizonte hapsirat për abuzime financiare.
Padia ndaj Shqipërisë për dështim me liberalizimin e tregut të energjisë është goditja përfundimtare, që rrëzon plotësisht mitin propagandistik të krijuar nga qeveria për reformën në energji, efekti i vetëm i së cilës ishte goditja pa mëshirë e të varfërve.