Shqipëria është një ndër vendet që ka gjenerimin më të ulët të plehrave për frymë në Europë, por edhe të procesit të ndarjes së mbeturinave në burim. Niveli i ulët i zhvillimit industria ka bërë që Shqipëria të gjeneroië 373 kg/banor mbetje në vitin 2016, SIPAS INSTAT, në një kohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 480 kg/frymë, sipas të dhënave të fundit të Eurostat. Nivel më të ulët të gjenerimit të mbetjeve se Shqipëria kanë Serbia, me 268 kg/frymë dhe Kosova, me 220 kg/frymë.
Pavarësisht nivelit të ulët të mbetjeve të gjeneruara dhe të përpunuara, qeveria ka plane ambicioze për ndërtimin e tre inceneratorëve, me kapacitete të larta përpunuese, përmes projekteve koncesionare të formës së partneritetit publik-privat. Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (Albtek Energy), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh është tashmë funksional. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 120-140 ton/ditë, sipas deklarime zyrtare në kontratë.
Inceneratori i Trajtimi i mbetjeve Fier (“Integrated Technology Waste treatment Fier”) ka një kosto totale prej 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 180-200 ton/ditë. Ky projekt nuk ka nisur ende, për shkak të protestave të vazhdueshme të banorëve të fshatit Verri, të cilët nuk pranojnë ndërtimin afër zonës së tyre, teksa i tremben ndotjes së ajrit dhe produkteve bujqësore. Projekti i tretë është Trajtimi i mbetjeve Tirane (“Integrated Energy B.V shpk”), me kosto totale 31.17 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues do të jetë rreth 550-800 ton/ditë. Projekti nuk ka filluar ende nga ndërtimi.
Nëse të tre inceneratorët do të viheshin në punë, kosto totale në buxhet do të arrinte në rreth 40 miliardë lekë dhe kapaciteti total mesatar i përpunimit në rreth 1000 ton në ditë, ose rreth 130 kg për frymë në vit. Nëse krahasohet me të dhënat e Eurostat për shtetet e BE-së, rezulton se vetëm vendet e zhvilluara kanë një kapacitet më të lartë. Gjermania e ka kapacitetin për frymë të përpunimit të mbetjeve përmes inceneratorëve 474 kg/frymë në vit; Franca 205 kg/frymë në vit dhe Austria me 380 kg/frymë/vit. Të tre këto shtete kanë një nivel gjenerimi të paktën dyfish të plehrave për frymë, në krahasim me Shqipërinë.
Por, nëse krahasohemi me shtet fqinjë rezulton se Shqipëria nëse i ndërton të gjithë inceneratorët që ka në plan, do të ketë një kapacitet tepër të lartë. Në Itali, sipas të dhënave të Eurostat, sasia e plehrave që përpunohet përmes procesit të incenerimit është vetëm 35 kg për frymë, pra katër herë më e ulët se në Shqipëri. Në Greqi është 12 kg për frymë. Serbia e ka akoma edhe më të ulët, në 6.3 kg për frymë. Sipas Eurostat, në përgjithësi në BE në vitin 2016, 30% e mbetjeve u riciklua, 27% u dogjën, 25% u iceneruan dhe 17% u kompostuan. Në Shqipëri, kpaciteti i inceneratorëve, nëse do të ishin funksionalë, do të ishte sa 35% e totalit të mbetetje, pra më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian.
Por, për çfarë e do Shqipëria gjithë këtë kapacitet të lartë përpunues të inceneratorëve, kur procesi i rikuperimit të mbetjeve në burim si dhe të të gjithë procesit të menaxhimit të mbetjeve, tek ne ende nuk është eficient?! Iljaz Mehmeti, përfaqësues i Shoqatës Shqiptare të Riciklimit, në një analizë që ka bërë për inceneratorin e Elbasanit, publikuar në Gazetën e Dhomës së Tregtisë Durrës ka marrë në krahasim Italinë një vend ku efiçenca e procesit të rikuperimit me diferencim të mbetjeve është në nivelet mesatare të BE. Autori i referohet të dhënave të entit italian ISPRA, dhe dedukton sasinë optimale të mbetjeve solide të vlefshme për inçenerim për stabilimentin e Elbasanit.
“Praktikisht, ne Itali, sipas ISPRA, vetëm 20% e mbetjeve urbane inçenerohen, ndërkohë që ketu në Shqipëri presupozohet të incenerohet (digjet) çdo gram mbetje”, thotë z.Mehmeti. Ai shton se nga studimi rezulton qe inceneratori i Elbasanit do mund të djegë mbetje për një popullsi prej: 130,000 kg / 0.05 kg = 4,333,333 frymë, ose sa popullsia e Shqipërisë dhe e Maqedonisë të marra së bashku. Pasi të djegin mbetjet e Ballkanit, me çfarë lënde të parë do të punonin dy inceneritorët e tjerë, në Fier dhe Tiranë, pyet Z.Mehmeti?!/ Monitor