Rasti i kryekomunarit Plaku, ish-kryeministri: Heshtja kriminale akuzon qeverinë
Rasti i fundit i atentatit me kallashnikov ndaj fëmijëve të kreut të komunës së Farkës, ngre shqetësime të mëdha në radhët e opozitës lidhur me situatën e rendit dhe kriminalitetit në vend. Sipas të djathtëve, një akt i tillë, i përsëritur më parë dhe ndaj kryekomunarit Plaku, si edhe heshtja nga ana e strukturave përgjegjëse, hedh dyshime mbi implikime politike në këtë çështje. Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha në një takim që zhvilloi dje me kryetarin demokrat të komunës së Farkës dhe kryetarit të shoqatës kombëtare të komunave të Shqipërisë Fatbardh Plaku në zyrën e tij akuzoi qeverinë për heshtjen e saj ndaj ngjarjes. “Pas sulmit terrorist në orën 3 të mëngjesit para një muaji ndaj dje bandat e qeverisë derdhën breshëri kallashnikovi mbi fëmijët e tij tek ktheheshin nga shkolla. Kjo është një heshtje kriminale që akuzon Ramën për implikim, me veprim apo mos veprim, në këto akte të shëmtuara terroriste me potencial të rrezikshëm destabilizues për vendin. Policia vërtetë sot njofton se ka marrë në mbrojte kryetarin e komunës se Farkës z. Fatbardh Plaku, por nuk thotë pse dhe me urdhër të kujt i refuzoi kërkesën për mbrojtje pasi e gjuajtën me antitank shtëpinë e tij”, – shkruante Berisha në rrjetin social. Në këtë kontekst, ish-kreu i qeverisë shqiptare bëri thirrje: “Qytetare dhe qytetarë, është koha që me protestën tonë të fuqishme të ndahemi nga Edi Rama dhe bandat e tij qeveritare!”.
Topalli
Duke theksuar se krimi në vend ka marrë siguri, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli pohon se akti ndaj kryekomunarit demokrat ishte më shumë se kriminal. “Një herë qëllojnë me antitank drejt shtëpisë së Kryetarit të Komunës Farkë – Bardh Plaku, një herë sulmojnë me shotgan mbi makinën ku ishin fëmijët e tij 18 e 11 vjeç që ktheheshin nga shkolla! Ky është terror! E kjo ndodh në mes të Tiranës, e në mes të ditës! Dhe ky tmerr 2 herë brenda një muaji! Ky është më shumë se një akt kriminal”, nënvizoi ajo. Më tej, deputetja demokrate theksoi se krimi është i mbrojtur dhe nuk ka frikë. Të qëllosh edhe mbi fëmijët, kjo nuk ndodh as në filmat e mafies! Të qëllosh me antitank në Tiranë dhe policia të mos “zbulojë asgjë” nuk e beson njeri! Krimi është padroni, është shefi i shefave! Mafia ka peng shefat! Mafia vendos nga lart! Egërsia e tyre nuk ka as mëshire as skrupuj! Krimi i organizuar po bën kërdinë ! Quo vadis… Shqipëri!”
Denoncimi/ PD: I dënuari nga drejtësia për ryshfete në provime kthehet si mësues gjuhe
Partia Demokratike akuzoi dje qeverinë për emërimin në sistemin arsimor të personave që kanë probleme me drejtësinë. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi deklaroi se në arsimin publik janë bërë hapa mbrapa pasi njerëz që më parë janë dënuar nga gjykata po rikthehen në arsim. “Në gjimnazin “Naim Frashëri” në Fier, rilindja e arsimit të Edi Ramës, ka emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskalin, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion. Dheskali, kur ishte pedagog në Universitetin e Vlorës, merrte para në këmbim të notës në provime. 70 mijë lekë për notë kaluese, 100 mijë lekë për notë të mirë. Policia dhe prokuroria zbuluan mekanizmin dhe e arrestuan Dheskalin. Gjykata e rrethit e dënoi me dy vite burgim dhe 600 mijë lekë gjobë, ne vitin 2009. Një vit më pas, Gjykata e Apelit të Vlorës, e la në fuqi të njëjtin vendim, duke i dhënë dënimit formë të prerë”, – deklaroi ajo.
Pagat dhe dietat e larta/ Deputetët kërkojnë llogari nga Fullani: Shpenzime më shumë se çdo institucion kushtetues
Guvernatori: S’duhen prekur shpenzimet, cenojnë pavarësinë e institucionit
Shpenzimet e larta për paga dhe dieta në Bankën e Shqipërisë janë cilësuar si të tepruara nga ana e deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Në raportimin e Guvernatorit Ardian Fullani, ligjvënësit socialist, duke u mbështetur mbi raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë theksuar se ky institucion ka pagat më të larta se të gjitha institucionet e tja kushtetuese. “Nga ana tjetër konstatojmë, – thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, – mosrespektim të ndjeshmërisë së qytetarëve në lidhje me përdorimin e fondeve në dispozicion. Kjo referuar niveleve shumë të larta të pagesave, për nivelet drejtuese, si paga dhe shpërblime të ndryshme të trajtimeve dhe dieta’, krahasuar me nivelin e pagës së punonjësve në institucione kushtetuese, jo për pjesën e administratës”, – tha kryetari i Komisionit, Erjon Braçe. Lidhur me këto kritika, Fullani theksoi se pagat dhe shpërblimet e stafit të institucionit të Bankës së Shqipërisë nuk duhen ndryshuar pasi sipas tij në të kundërt preket pavarësia e institucionit. “Ruajtja e një niveli të përshtatshëm të pagës bazë, është një nga instrumentet që aplikohet në institucionin tonë dhe bankave të tjera qendrore, për motivimin, nxitjen dhe ruajtjen e performancës së kërkuar, kërkesës së llogarisë. Çdo dobësim, apo cenim i pavarësisë financiare të institucionit të Bankës së Shqipërisë, që nënkupton edhe kompetencën e pavarur për të caktuar shpenzimet, kompensimet financiare, paga dhe shpërblimet për punonjësit dhe personelit drejtues të saj, do të përbënte të pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë, referuar edhe standardeve ndërkombëtare”, – deklaroi guvernatori Fullani. Ndërkohë Komisioni ka kërkuar sqarime edhe për rekrutimet në Bankën Qendrore, ku në përgjigje të akuzave ëpr nepotizëm dhe favorizime politike, Fullani theksoi se janë cituar emra individësh, që nuk punojnë në Bankën e Shqipërisë, ndërkohë që sipas tij një pjesë e mirë e punonjësve të cituar në lista, nuk janë punësuar së fundmi, por kanë mbi 10 vjet punë në Bankën e Shqipërisë. “Ka shumë pasaktësi dhe kakofoni brenda. Banka e Shqipërisë ka një staf mjaft të kualifikuar. Personeli i Bankës ka një formim të thellë akademik, brenda apo jashtë vendit, si edhe eksperiencë punë të vlefshme për të punuar në Bankë”, – theksoi guvernatori.