Një grabitje është shënuar këtë pasdite në Lezhë.
Sipas Policisë, rreth orës 19:15, në banesën e Arben Isakut në afërsi të bordit të kullimit, kanë hyrë tre persona të maskuar, njëri prej të cilëve i armatosur.
Pasi kanë goditur me sende të forta të zotin e banesës, kanë marrë një shumë parash dhe disa bizhuteri dhe duke përfituar nga errësira kanë mundur të largohen, shtojnë të njëjtat burime.
Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje, pas marrjes së njoftimit lidhur me ngjarjen.
Forca të shumta policore po krehin zonën duke përdorur edhe qenin e gjurmës, njofton Policia, janë ngritur pika kontrolli dhe po sekuestrohen pamjet filmike në zonën ku ka ndodhur vjedhja.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, thanë burime zyrtare nga Policia lokale.