Policia e Skraparit ka arrestuar shoferin e furgonit, i cili një ditë më parë u aksidentua teksa po transportonte nxënës shkolle. Si pasojë e aksidentit, 10 nxënës mbetën të plagosur, një prej të cilëve ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Astrit Hysi u arrestua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
“Më datë 12.03.2018, nga Specialistët e Seksionit për Qarkullimin Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Astrit Hysi, 52 vjeç, banues në fshatin Vërzhezhë, Skrapar.
Arrestimi i tij u bë pasi, në rrugën dytësore Vërzhezhë – Çorovodë, në vëndin e quajtur “Kthesa e Minos”, duke drejtuar mjetin tip Benz autobuz, me targa AA 245 KE humbi kontrrollin e mjetit dhe doli nga rruga duke u përmbysur në përrua, ku për pasojë u lënduan nxënësit që udhëtonin me këtë automjet”, sqaroi policia.