Vendimi në PD/ Opozita, të enjten para Parlamentit: Protesta popullore deri në largimin e Kryeministrit

0
132

Gëzim Saliu

Vendimet e grupit: Kërkesë të re për komision të ri hetimor për drogën, pjesë edhe Divjaka. Jo bojkot Parlamentit, debate të forta që seancën e së enjtes me temë kryesore trafikun e drogës

mbledhja e grupit Partia Demokratike dhe opozita do të udhëheqë protestat popullore deri në largimin e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Ky është vendimi i marrë në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, ku në koordinim me aleatët, u cilësua si domosdoshmëri ngritja e qytetarëve në protesta pas ngjarjes së ndodhur me avionin që u rrëzua në plazhin e Divjakës në tentativën për të trafikuar drogë. Protesta do të zhvillohet ditën e enjte në orën 10:00 para Parlamentit dhe në krye të saj do të jetë pikërisht kërkesa për dorëheqjen e kreut të qeverisë, Rama. Mësohet se kryetari Basha ka kërkuar angazhimin e të gjithë deputetëve për këtë protestë për të bërë të mundur pjesëmarrjen e sa më shumë qytetarëve, duke nënvizuar nga ana tjetër përmasat e mëdha të ngjarjes së Divjakës. Sipas opozitës, rasti i avionit në Divjakë vërtetoi më së miri akuzat e pohuara më parë nga demokratët si edhe implikimin e qeverisë në këtë çështje. Ndërkohë, një tjetër vendim i marrë dje në mbledhjen e grupit ishte ai që kishte të bënte me kërkesën e re të PD-së për komisionin hetimor parlamentar për trafikun e drogës ku do të përfshihet edhe ngjarja me avionin në Divjakë. “Baza hetimore e komisionit do të jetë: Trafiku i drogës dhe lidhjet e qeverisë në trafik”. Po ashtu, grupi parlamentar demokrat ka vendosur që pavarësisht përmasave të ngjarjes së ndodhur në Divjakë të mos bojkotojë seancat parlamentare dhe punimet në komisionet e Kuvendit, por në të kundërt të zhvillojë një përballje të fortë që në seancën e ditës së enjte me mazhorancën, ku në qendër të debatit do të jetë pikërisht rasti i trafikimit të lëndëve narkotike në Divjakë.

 

Komisioni hetimor

Partia Demokratike do t’i drejtohet sot me një kërkesë të re komisionit hetimor parlamentar për trafikun e drogës. Në kërkesën e saj, forca më e madhe opozitare do të kërkojë që bazë hetimore e komisionit për trafikun e drogës të jenë dhe lidhjet e qeverisë në këtë trafik. Po ashtu, demokratët do të kërkojnë që pjesë e hetimeve të këtij komisioni të jetë edhe ngjarja e ndodhur më 10 maj në Divjakë. Komisioni i posaçëm parlamentar aktualisht ka në qendër të hetimit të tij akuzat e opozitës për implikimin e infrastrukturës së Forcave të Armatosura në transportin dhe trafikun e lëndëve narkotike. Komisioni hetimor u ngrit me propozim të mazhorancës dhe i votuar vetëm me votat e saj në Parlament, pasi opozita kërkoi përfshirjen e disa ndryshimeve në hetim, të cilat nuk u pranuan nga e majta. Pavarësisht se e bojkotoi votimin, PD bëri të ditur pjesëmarrjen e saj në hetimet e këtij komisioni, ashtu siç edhe ka ndodhur. Por, sipas demokratëve, ngjarja e ndodhur në Divjakë nuk mund të anashkalohet, pasi përbën një rast tronditës dhe njëkohësisht faktues për akuzat e ngritura më parë nga opozita. Në këtë kontekst, PD kërkon që komisioni të hetojë përfshirjen e drejtpërdrejtë, sipas të djathtëve, të qeverisë në trafikun e drogës si edhe veçanërisht rastin e avionit me drogë në Divjakë.

 

Vendimet e grupit

1. Protesta të pandalshme popullore deri në largimin e Kryeministrit dhe qeverisë

2. Të enjten në orën 10:00 para Parlamentit do të zhvillohet protesta e udhëhequr nga PD dhe opozita për ngjarjen e ndodhur në Divjakë, ku në qendër do të jetë kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit Rama

3. Kërkesë e re në komisionin hetimor parlamentar për trafikun e drogës, ku do të kërkohet që baza hetimore e tij të jetë: “Trafiku i drogës dhe lidhjet e qeverisë në trafik”. Po ashtu PD kërkon që pjesë e komisionit do të jetë edhe rasti i Divjakës

4. Nuk do të ketë bojkot të Kuvendit. Opozita do të zhvillojë përballje të fortë dhe të drejtpërdrejtë në komisione si edhe në seancat parlamentare me mazhorancën qeverisëse për çështjen e trafikut të drogës, mbështetur kjo mbi faktet e ditëve të fundit

 

Ish-kryeministri/ Berisha: Policia fshehu çantat, si u ndihmua piloti për të dalë në aeroport

 Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi dje strukturat e shtetit se janë të përfshira në ngjarjen e Divjakës. Sipas tij, policia ka fshehur ngarkesën e gjetur në avion dhe nuk ka folur kurrë për çantat që u gjetën në të. “Policia ka fshehur ngarkesën e gjetur në avion në 4 çanta. Në komunikatat e saj kishte njoftuar se u gjeten 27 mijë euro dhe asnjë fjalë për çanta. Sot një gazetar i guximshëm paraqiti fotot e marra nga një dëshmitarë në vendngjarje, në të cilat tregohet një njeri duke zbritur dy çanta nga avioni. Sipas dëshmitarit, menjëherë pas rënies së avionit, ai konstatoi se avioni u rrethua nga 6 makina “Mitsubishi” dhe një “Golf” dhe nga avioni zbriten piloti me një person tjetër si dhe u nxorën prej tij dhe 4 çanta (me drogë? me groshë?), dy prej të cilave dëshmitari i kishte fotografuar me një person që i mbante ato. Na del se personi ishte një inspektor lokal policie që ndodhej në vendngjarje me makinën e një privati dhe kishte thyer (me urdhër nga sipër) çdo rregull në qëndrimin ndaj provave në vendin e ngjarjes”, – shkruante Berisha në rrjetin social. Më tej ai nënvizoi: “Menjëherë pas paraqitjes së këtyre fakteve tronditëse nga gazetari në “News 24”, policia njoftoi një konferencë shtypi dhe, në një akt shantazhi të vërtetë ndaj gazetarit që publikoi faktet tejet të renda, paraqiti në një foto dy çanta që nuk dukeshin aspak si çantat e fotos së dëshmitarit duke thënë se ato ishin çantat e pilotit. Policia ra brenda me këmbët e veta sepse me këtë dëshmoi se ajo ka fshehur ekzistencën e 4 çantave dhe në asnjë komunikate të saj deri sot nuk ka njoftuar për gjetjen e çantave në avion”. Ndërkaq, Berisha foli edhe lidhur me çështjen e pilotit të avionit, ku tha se ai u ndihmua nga njerëz të afërt me Kryeministrin Rama për të dalë nga aeroporti. “Burime serioze plotësisht të besueshme njoftojnë se piloti Reformato (rilindasi i Ramës), ka hyrë dhe dalë në aeroport nga dera e personelit duke shmangur kështu sistemin e kontrollit. Për të hyrë dhe dalë nga porta e personelit Reformaton e ka ndihmuar, me urdhër nga lart, në kundërshtim flagrant me ligjin, menaxheri i turnit të kompanisë së sigurisë së aeroportit ICTS, z. Bushi ish-avokat i PS në KQZ dhe bashkëshorti i ish-shefes së kabinetit të Edvin Kristaq Ramës si kryetar Bashkie dhe aktualisht zyrtare e larte në Agjencinë Kombëtare të Transportit Ajror në Rinas”, – nënvizoi ai, duke shtuar se këto fakte pohojnë ekzistencën e një trafiku të mirëfilltë qeveritar droge.

 

Ish-ministri i Mbrojtjes/ Imami: Rama të largohet për t’i hapur rrugën hetimit të drejtë dhe të pavarur

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ishte edhe i pari që e denoncoi trafikun e drogës me avionë, tha dje se Kryeministri Rama duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë hetimit të plotë të ngjarjes-skandal të Divjakës. “Qeveria shqiptare, Kryeministri Rama është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë trafik. Është e domosdoshme që z. Rama të largohet për një arsye: për t’i hapur rrugën një hetimi të drejtë dhe të pavarur”, – deklaroi ai në një intervistë për “TV Klan”. Më tej, duke komentuar fotot e publikuar dje në media për çantat e transportuara nga disa persona drejt makinave pas rrëzimit të avionit më 10 maj, për të cilat policia tha se ishin personel i saj që kishte bërë sekuestrimin, deputeti demokrat pohoi: “Fotot e sotme (djeshme) tregojnë implikime akoma më të mëtejshme të kësaj afere të madhe droge të cilin e kemi denoncuar prej muajsh. Ajo që të bën përshtypje është se pa ardhur policia zyrtarisht, persona me uniformë kanë lëvizur mallin që dyshohet të jetë drogë e të dyja llojeve, dhe e kanë zbrazur. Për një orë e gjysmë nuk është lejuar të shkojë zyrtarisht dhe formalisht në vendin e ngjarjes kur posta e policisë së Divjakës me makinë nuk është më shumë se 7-8 minuta nga vendi i ngjarjes. Janë bërë të gjitha përpjekjet për ta mbuluar dhe për ta maskuar këtë krim të madhe në nivel politik me mushkonja, me blloqe betoni, me refuzime dhe me mashtrime”. Më tej, ish-ministri theksoi se fotot tregojnë implikimin e shtetit në trafikun e drogës. “Sot kemi fotot e dukshme të implikimit të shtetit në këtë krim monstruoz, i cili është trafik ndërkombëtar narkotikësh. Sipas të dhënave një nga të dyshuarit ka thënë se iu drejtuam Divjakës se u mbyll aerodromi i Gjadrit”. Ndërkaq Imami tha se kjo situatë fatkeqësisht nëse vazhdon në të njëjtën linjë do të rëndojë edhe vendimin e statusit. “Pa dyshim një vend i narkotrafikut do ta ketë shumë të vështirë të marri këtë status, dhe ky është një lajm shumë i hidhur nëse do të shkojë në këtë drejtim”, – tha deputeti demokrat.