Një ndeshje që vlen një kampionat. Kishte vite që kjo gjë nuk ndodhte në Spanjë. Barcelona apo Reali, kjo ka qenë rruga e vetme në të cilën shkonte titulli. Mirëpo këtë sezon surpriza ishte Atletiko, që ka mundësi ta thyejë këtë dominim të dy skuadrave. Skuadra e Simeones shpërdoroi të shtunën e kaluar për t’u shndërruar në kampionen e re të La Liga-s. “Los Colchoneros” e kishin titullin në duar, pasi luanin përballë publikut të tyre ndaj një kundërshtari si Malaga që nuk kishte asnjë objektiv. Megjithatë, traversa e goditur nga David Vija në pjesën e parë, por edhe pritja e çmendur e portierit të Malagës,Vili Kabalero pak sekonda përpara fundit të ndeshjes nuk e lejuan skuadrën e Diego Simeones të shpallej për herë të 10-të në historinë e saj kampione e Spanjës dhe mbi të gjitha të rikthente në anën tjetër të Madridit një titull që mungon prej 18 vjetësh. Tashmë madrilenët duhet të luajnë një finale përballë Barcelonës në “Camp Nou”, por nëse përpara ndeshjeve të javës së parafundit ekipi i “El Cholo”-s shihej ndjeshëm favorit për të triumfuar në La Liga tashmë nuk ndodh më një gjë e tillë pasi për kompanitë kryesore të basteve në Botë është Barcelona pretendentja kryesore për të fituar trofeun e Primera Division. Edhe pse Atletiko luan për dy rezultate në finalen e “Camp Nou”-t vetë fakti që katalanasit ndeshjen e fundit e luajnë përpara publikut të tyre të bën të mendosh se ata do të rikonfirmohen si kampionë të Spanjës. Për bookmakers-at britanikë të “Bet365”, triumfi i blaugranave kuotohet me koeficentin 1,83, ndërsa ai “Los Colchoneros” shumëzon me 2 bastin e vënë. Akoma më e ulët koutohet fitorja e Barcelonës nga kompania “Betfair” që i ka vendosur koeficentin 1,72 suksesit të Barçës dhe 2 atij të Atletikos. Edhe për bookmakers-at e “William Hill” skuadra e drejtuar nga Tata Martino është ndjeshëm favorite pasi kuotohet me koeficentin 1,67 kundrejt 2,1 të Atletikos. Ata që paguajnë më shumë për një fitore të mundshme të Barcelonës janë austriakët e “Bwin” që e vlerësojnë me kuotën 1, 85 suksesin bluagrana dhe po me të njëjtin koeficent rezultatin pozitiv të skuadrës së Diegos Simeones.